E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e KQZ-së, “debat” për vëzhguesit në zgjedhje



Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve debatuan dje për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në KZAZ, KQV dhe VNV. Debatet kanë patur të bëjnë me pikën 2 të nenit 2 të Udhëzimit të KQZ-së për zgjedhjet, i cili thotë se vëzhguesit për partitë që kandidojnë në koalicion duhet të caktohen vetëm nga koalicioni. Por një pikë e tillë u mohon të gjitha partive të drejtën për të patur vëzhguesit e tyre dhe për këtë arsye anëtarët e KQZ-së kanë diskutuar “ndërhyrjen” në këtë pikë. Përfaqësuesi politik i PD-së, Kosovrasti, propozoi që pika 1 e këtij neni, që i jep këtë të drejtë çdo partie ose koalicioni për të caktuar vëzhgues, të ndryshohet dhe të hiqet pjesa koalicion. Ai e arsyetoi këtë se kjo pikë përsëritet. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, hodhi një propozim tjetër në të cilin të lihet çdo parti ose koalicion. Për këtë pikë, anëtarët e komisionit vendosën që të diskutohet të martën. Një tjetër çështje për të cilën nuk u arrit një marrëveshje kishte të bënte me çështjen se kush i miraton listat e vëzhguesve. Ndryshe nga zgjedhjet e 2005-s, këtë vit vëzhguesit duhet të akreditohen nga KQZ-ja. Anëtari i këtij komisioni, Hysen Osmani, propozoi që kompetenca e miratimit t’u lihet KZAZ-ve. Në rast se do t’u lihet partive, kjo do të jetë një barrë për KQZ-në, - tha Osmani. Të njëjtin mendim pati anëtari tjetër i këtij komisioni, Klement Zguri, si dhe përfaqësuesi i PS-së Gjoncaj. Por këtë delegim nga KQZ te KZAZ nuk e lejon Kodi. Kosovrasti kërkoi që po qe nevoja t’i kërkohet Kuvendit që të miratojë një ndryshim në kod. Ndërkohë Ristani i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme që t’i dërgojë këtij komisioni raportin mbi emrat e shtetasve me të drejtë vote që ende nuk janë pajisur me mjete identifikimi. Neni 179 i Kodit Zgjedhor detyron MB-në që të informojë në mënyrë periodike, jo më pak se një herë në muaj, KQZ-në në lidhje me procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Ai kërkoi që listat të jenë të rifreskuara dhe të mos jenë të cunguara. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Gjonçaj, i kërkoi KQZ-së që informacionet që vijnë nga Ministria e Brendshme t’u vihen në dispozicion edhe përfaqësuesve politikë në mënyrë që të kenë kohë të përgatiten për diskutim.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›