E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi i KQZ-së: Si do të bëhet verifikimi i kandidaturave për deputetë

Një grup pune do të verifikojë të gjithë dokumentacionin e kandidatëve. Si do të trajtohen rastet kur konstatohen regjistrime të parregullta

Shaban Sulçe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një udhëzim, në të cilin zyrtarizohet ngritja e një grupi pune që do të bëjë verifikimin e të gjithë kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky grup pune do të përbëhet nga një përfaqësues i Drejtorisë Juridike, një përfaqësues i Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore dhe nga një përfaqësues i Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit. Ata do të verifikojnë të gjithë dokumentacionin që partitë parlamentare, partitë joparlamentare dhe kandidatët e pavarur do të depozitojnë për t’u regjistruar në zgjedhje. Pas verifikimit, dokumentacioni do t’i kalohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin përfundimtar të kandidaturave të tyre për zgjedhjet e 28 qershorit. Në rast të konstatimit të parregullsive, KQZ-ja do të kërkojë rishikim të dokumentacionit, ndërkohë që mund të marrë masa për pezullimin e kandidaturave të parregullta.

Dokumentacioni
Listat shumemërore të partive politike, të cilat zotërojnë të paktën një mandat në Kuvend, duhet të shoqërohen në çdo rast me dokumentacionin e miratuar me vendim të KQZ-së. Partitë parlamentare duhet të dorëzojnë deklaratat e çdo kandidati të listës, në të cilat ata deklarojnë të dhënat e tyre personale si dhe shprehen se gëzojnë të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar. Gjithashtu partitë duhet të depozitojnë vërtetimin e Kuvendit të Shqipërisë për zotërimin e mandateve në Kuvend. Ndërkohë partitë joparlamentare duhet të depozitojnë në KQZ listat shumemërore të kandidatëve, deklaratat e tyre, listën e zgjedhësve që mbështesin listat shumemërore të partisë me emrat e jo më pak se 10 000 zgjedhësve, deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara KQZ si dhe deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara noterit. Përsa u përket kandidatëve të pavarur, ata duhet të depozitojnë propozimin e Komitetit Nismëtar për regjistrimin e kandidatit të propozuar nga zgjedhësit. Bashkëngjitur, ata do të depozitojnë kërkesën e këtij komiteti nismëtar, listën me emrat e jo më pak se 1% të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore përkatëse që e mbështesin, deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin në KQZ si dhe për nënshkrimin para noterit. Gjithashtu, kandidati i pavarur duhet të dorëzojë një deklaratë, në të cilën ai pranon se nuk është pjesë e asnjë partie apo koalicioni dhe nuk i mbështet haptazi apo në mënyrë të tërthortë ato.

Verifikimi
Nëse grupi i punës vëren parregullsi, jo më vonë se tri ditë nga paraqitja e dokumentacionit, i paraqet një relacion KQZ-së, në të cilin parashtrohen parregullsitë e konstatuara. KQZ-ja shprehet me vendim për kthimin për korrigjim të parregullsive të konstatura në dokumentacionin e paraqitur. Vendimi i kthimit për korrigjim të dokumentacionit merret jo më vonë se 35 ditë nga data e zgjedhjeve. Verifikimi nëse shtetasi i listës mbështetëse të partive politike është i regjistruar në listën paraprake të zgjedhësve dhe në rastin e kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, të jetë zgjedhës i zonës zgjedhore përkatëse, bëhet nga Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit. Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit pajiset me programin aplikativ të përshtatshëm për identifikimin e zgjedhësve, në bazën e të dhënave elektronike të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Për verifikimin nëse një zgjedhës ka mbështetur më shumë se një koalicion, parti politike apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit, DTI-ja kontrollon nëpërmjet programit/eve kompjuterik listat mbështetëse të paraqitura në format elektronike nga subjektet zgjedhore. Nëse gjatë verifikimit rezulton se një zgjedhës figuron në dy a më shumë lista mbështetëse të subjekteve zgjedhore të ndryshme, grupi i punës paraqet relacionin në KQZ, e cila me vendim ua kthen ato subjekteve zgjedhore të bëjnë korrigjimet e duhura sipas përcaktimeve të pikës 2 të nenit 73 të Kodit Zgjedhor.

Qarqet

Qarku Numri i Numri
votuesve i deputetëve
Tiranë 660505 32
Fier 327918 16
Vlorë 257258 12
Elbasan 282528 14
Korçë 246700 12
Berat 150871 8
Dibër 116431 6
Durrës 265180 13
Gjirokastër 112728 5
Kukës 66375 4
Lezhë 135890 7
Shkodër 218560 11

Katër koalicionet në zgjedhje

1-Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokrate e Re, Lëvizja e Legalitetit, Partia Aleanca Demokratike

2-Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia G99

3-Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste e Vërtetë 1991, Partia e Gjelbër, Partia Lëvizja për të Drejtat e Njeriut

4-Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›