E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e Kushtetueses refuzojnë dorëheqjen

Shkaqet e paraqitura nga PS kundër ligjit të lustracionit jo të bazuara në ligj

Në këtë çështje ka ndërhyrë edhe Komisioni i Venecias, përgjigja e të cilit pritet që të përcaktojë edhe fatin e ligjit të lustracionit.

TIRANE - Gjykata Kushtetuese e konsideroi dje si jo plotësisht të bazuar në ligj ankimimin e Partisë Socialiste në lidhje me ligjin e hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Ndërkaq mungesa e përfaqësuesve ligjorë të saj ka bërë që kjo gjykatë të vendosë që të shtyjë për në 7 maj, seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e 36 deputetëve për ligjin e lustracionit.
 “Ndonëse shkaqet e paraqitura nga grupi parlamentar i PS-së nuk janë plotësisht të bazuara, Gjykata Kushtetuese, në interes të çështjes, ka vendosur që në 7 maj të dëgjojë argumentet e 36 deputetëve socialistë që kanë bërë kërkesë në këtë gjykatë kundër ligjit të lustracionit”, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimri Kristo, duke shtuar se vendimi merret pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila njoftoi mungesën e përfaqësuesve ligjorë të saj.
Ndërkaq Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje pretendimin e përfaqësuesve të Kuvendit për konflikt interesit të trupit gjykues lidhur me çështjen e Ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve”.
Duke paraqitur argumentet për rrëzimin e kësaj kërkese, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimri Kristo, u shpreh se “kjo gjykatë është organi që garanton Kushtetutën dhe i vetmi organ gjyqësor që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji ndaj Kushtetutës. Asnjë organ tjetër nuk e zëvendëson Gjykatën Kushtetuese. Në këtë drejtim Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e një çështje i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe asnjë ligji tjetër. Të gjitha këto argumente e bëjnë Gjykatën Kushtetuese që ta konsiderojë të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesit e Kuvendit”, u shpreh Kristo.
Ligji i lutracionit u miratua nga Kuvendi më 22 dhjetor të vitit 2008 vetëm me votat e mazhorancës. Opozita e majtë refuzoi të votojë për këtë ligj, duke e cilësuar atë 'antikushtetues'. Në këtë drejtim, 36 deputetë socialistë i'u drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Kërkesa e tyre konsiston në shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve.
Aktualisht ligji, edhe pse i miratuar, nuk mund të zbatohet për shkak të një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate për ta pezulluar atë.
Ndërkaq të gjitha palët presin përgjigjen nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje, një organizëm ky që ka asistuar në hartimin e Kushtetutës aktuale në vitin 1998.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›