Pas anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, BE do ndalë procesin e vet të zgjerimit
Deklaron gjatë një interviste, Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Bruno Le Mer
Pas anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE, përfshi këtu edhe Shqipërinë, ky bllok duhet të pushojë së zgjeruari.
Kështu ka deklaruar Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Bruno Le Mer gjatë një interviste për radion “Frans Inter”. “Për BE me rëndësi të veçantë është çështja e Ballkanit si dhe anëtarësimi i këtyre vendeve në strukturave evropiane”, tha Le Mer.
Ai sqaroi se për hyrjen e vendeve të Ballkanit në BE paraprakisht është i domosdoshëm ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, pasi siç tha ai në këtë mënyrë BE do të ketë entet e nevojshme për të mundësuar anëtarësimin.
Për sa i takon Turqisë, Sekretari francez i Shtetit u shpreh kundër perspektivës së anëtarësimit të Turqisë në bllokun 27-anëtarësh, pasi BE-ja nuk është e përgatitur për këtë. “Nuk mundemi të vazhdojmë me një zgjerim të pafund”, përfundoi Le Mer.