Shqipëri-Kroaci, firmoset në fund të muaji ndërtimi i centralit bërthamor
Lajmi bëhet i ditur nga “Wall Street Italia”,
Tirana dhe Zagrebi ftojnë që të bëhen pjesë e këtij projekti edhe vendet e tjera
të rajonit si Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia.
TIRANE - Shqipëria dhe Kroacia do të firmosin së shpejti marrëveshjen për ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër. Lajmi është publikuar dje në faqen e internetit të gazetës së mirënjohur italiane në fushën ekonomike “Wall Street Italia”, ndërsa thuhet se dokumenti do të siglohet në fund të këtij muaji nga ministrat e energjetikës së dy vendeve. Kjo e fundit informon se centrali do të ndërtohet nga kompania kroate “Hrvastka Hrvatskoj” dhe do të kushtojë 4 miliardë euro dhe do të ketë një kapacitet prej 1500 Megavat.
Projekti ka hasur megjithatë në kundërshtimin e Malit të Zi për shkak të rrezikshmërisë që ai paraqet, duke qenë fare pranë kufirit. Autoritet e Podgoricës të cituara nga Dojçe Vele thonë se ky impiant do të derdhë mbetjet në liqenin e Shkodrës, ndërsa ato nuk janë informuar aspak për ndërtimin e këtij centrali nuklear. Gjithsesi gazeta italiane kujton se kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader duke iu referuar shqetësimeve të tilla ka ftuar muajin e shkuar Malin e Zi që të bashkëpunojë me dy vendet e tjera për realizimin e këtij projekti.
“Ne jemi shumë të interesuar për projektin dhe do të ftojmë Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi që të marrin pjesë në bisedime mbi ndërtimin e mundshëm të një centrali bërthamor në Shqipëri”, pati deklaruar Sanader. Vetë Mali i Zi ka në fuqi një glij që ndaj ndërtimin e çfarëdolloj impianti nuklear.
Negociatat intensive për ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme energjetike janë zhvilluar në fillim të këtij viti mes kryeministrit Sali Berisha dhe homologut kroat Sanader. Kreu i qeverisë shqiptare vizitoi Zagrebin në 11 shkurt, ku u diskutua gjetja e mundësive të bashkëpunimit në projektin e energjisë nukleare. Ideja fillestare ishte që në këtë projekt të përfshihen edhe vende të tjera të rajonit si Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. Në atë takim u diskutua edhe për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik dhe u ra dakord që të dyja vendet të bashkëpunojnë për shtrirjen e gazsjellësit Trans-Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. Madje kryeministri Berisha informoi homologun Sanader se gjatë vizitës që zhvilloi në SHBA, kërkoi ndihmën e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, e cila sipas tij, shprehu interesim për këtë projekt.
Projekti i gazsjellësit është pritur pozitivisht edhe nga kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan.