Edvini s’pranon kartat e identitetit, thotë se me 1 maj do shpallë dështimin e zgjedhjeve
Kreu i PS-së nuk është vonuar fare për t’iu përgjigjur propozimeve më të fundit të kryeministrit Sali Berisha lidhur me përshpejtimin e ritmeve për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Përkundër propozimeve për lehtësi të mëtejshme dhe subvencionim deri në 80 % të çmimit, përfaqësuesi i Edvinit ka dalë sot për të theksuar se pas prillit, PS do të shpallë se zgjedhjet do të jenë të dështuara. Në mesditë doli para mediave, Damian Gjiknuri, Nënsekretar i Çështjeve Ligjore në PS, i cili paralajmëroi se sipas PS, “nëse nuk ka zgjidhje të arsyeshme brenda muajit prill, procesi mund të quhet i dështuar”. Gjiknuri deklaroi se situata me procesin e pajisjes me letërnjoftime tashmë ka hyrë në fazën më kritike. Kjo për arsyen e thjeshtë, sipas Gjiknurit, se nëse nuk ndërmerret një ndryshim radikal në lidhje me politikën e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime brenda muajit prill, procesi përfundimisht dështon, dhe bashkë me të edhe çdo grimcë legjitimiteti për zgjedhjet. Për PS, “deklarimet dhe propozimet që serviri kryeministri dje, përfundimisht konfirmojnë ekzistencën e problemit që Partia Socialiste ka kohë që e ka bërë prezent, problem ky që po rrezikon seriozisht procesin e ardhshëm zgjedhor”. Gjiknuri akuzoi më tej Kryeministrin se “në vend që të ofrojë zgjidhje të pranueshme për problemin që tashmë vetë e pranon, ofron skema aplikimi që më shumë komplikojnë dhe e ç’orientojnë se sa zgjidhin problemin, duke anashkaluar çështjen themelore, atë të pamundësisë ekonomike për pagesën fillestare të letërnjoftimit”.
Por Ministria e Brendshme përsërit se s’ka vend për panik e se deri më tani gjysmë milioni shqiptarë kanë aplikuar për kartat e reja. Fatmir Konja, zëdhënës i MB, tha se mbi gjysmë milion shqiptarë që kanë aplikuar deri më tani, kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin me sukses të aksionit të madh kombëtar për pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identitetit. Duke u ndalur në shifrat, Konja tha se kanë aplikuar deri më tani mbi 500 mijë qytetarë, janë prodhuar 403 744 letërnjoftime elektronike, nga të cilat 306 560 janë dërguar në zyrat e shpërndarjes. Ndërkohë Konja sqaroi se pranë zyrave përkatëse janë dërguar të gjitha letërnjoftimet për aplikimet deri më 31 Mars. Nga ana tjetër, MB ka lëshuar një tjetër apel: “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar, të paraqiten pranë këtyre zyrave për të tërhequr letërnjoftimet”, - citoi Konja ftesën e MB.
...