Lëvizja e Veliajt? Të majtët, mes indiferentizmit dhe mbështetjes
Lëvizja qytetare e ish-drejtuesit të "Mjaft"-it, Erion Veliaj, duket se ka gjetur të papërgatitur opozitarët. Drejtuesit e partive të vogla të së majtës japin deklarata të ndryshme që variojnë nga indiferentizmi te mbështetja për krijimin e kësaj partie të re. Ashtu sikurse ka premtuar, Veliaj pritet që brenda vitit të fillojë të projektojë aksionin politik, që kulmin do ta ketë në pragzgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.
Reagimi
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ndre Legisi, vlerësoi se sa më shumë parti të ketë nga e majta, aq më shpejt do të vijmë në pushtet. "Besoj se lëvizja e re politike e Erion Veliajt nuk do të jetë kërcënim te të majtët", tha Legisi. Çka, sipas tij nuk sjell ndonjë problem për partitë e tjera, pjesë të opozitës. "Lëvizja Socialiste për Integrim është e konsoliduar, e suksesshme dhe rritet çdo ditë", theksoi Legisi. Ai argumentoi se zoti Meta ka dhënë prova për reformat e mëdha që ka bërë. "Edhe zoti Berisha e ka vlerësuar punën e kryer gjatë kohës kur Meta ishte Kryeministër", u shpreh Legisi. Sakaq kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, pohoi se "zotin Veliaj e njoh vetëm si individ të shoqërisë civile dhe jo si individ politik, në momentin që do të shfaqet do ta gjykojmë". Milo tha se është i rezervuar të japë një qëndrim më të gjerë. "Tani për tani ai përfaqëson vetëm një individ dhe nuk ka se çfarë rreziku të ketë për partitë e tjera të së majtës", u shpreh Milo. Një nga drejtuesit kryesorë të Partisë Aleanca Demokratike, Arben Demeti, tha se nuk i ka kushtuar rëndësi këtij fakti. "Do të jetë thjesht një parti e re në spektrin politik", shprehet Demeti. Ndërsa këmbëngul se Veliaj do ta ketë të vështirë po nuk pati suport nga një parti tjetër.
Lëvizja
Pasi ka lënë drejtimin e lëvizjes "Mjaft", Erion Veliaj ka planifikuar të futet në politikë. Ai publikisht ka deklaruar se do të angazhohet në një lëvizje qytetare, që nuk do të jetë e njëjtë me partitë klasike. Veliaj deklarohet që tani në opozitë me qeverinë "Berisha" dhe ka si mision largimin e despotit të fundit nga pushteti. Ai ka lënë të natyrshëm një koalicion me partitë e tjera të së majtës, kryesisht me Partinë Socialiste. Ndërsa ka shprehur si objektiv afrimin e personaliteteve me peshë të shoqërisë civile te politika. Lëvizja ka një trajektore të kundërt me atë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili synon të kundërtën, pra afrimin e politikës te qytetari. Veliaj ende nuk ka zbuluar se cilët do të bëjnë pjesë në grupin nismëtar të lëvizjes qytetare.