E Diel, 1 Nëntor 2026

Pragu zgjedhor, të vegjlit kërcënojnë socialistët

Drejtuesit e partive të vogla të së majtës kanë reaguar ashpër ndaj tentativës së socialistëve për të mbështetur një rritje të pragut kushtetues. Paralajmërimi se ky detaj i reformës zgjedhore mund të cenojë raportet brenda opozitës është faktuar në qëndrimin e "të vegjëlve". Në një pozicion më të favorshëm paraqitet Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kërcënimi

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kujtoi se partitë e vogla kanë paraqitur një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore. "10 parti nuk janë pak për t‘u kujtuar të mëdhenjve se duhet të jenë të kujdesshëm në marrëdhënie me to", vlerësoi Milo. Sipas tij, në këtë situatë nuk bëhet fjalë për kapriçiot e njërit apo tjetrit subjekt politik. "Nuk mund të paragjykoj Partinë Socialiste për aq kohë sa nuk ka shfaqur platformën e vet zyrtare për reformën zgjedhore", theksoi Milo. Duke premtuar se nëse kjo do të ndodhë, atëherë PDS-ja ka të drejtën të mbajë një qëndrim të caktuar. I pyetur në lidhje me pozicionimin e LSI-së në raport me pragun, Milo vuri në dukje se partia e Metës është tërhequr nga propozimi për prag në masën 4%, pasi pranoi të firmosë me të vegjëlit. "Nuk do të ishte në interesin e tyre të rreshtohen te të mëdhenjtë", u shpreh Milo. Deputeti i LSI-së, anëtar i komisionit për reformën, Ndre Legisi, tha se kjo parti nuk dëshiron të jetë iniciatore e lëvizjes së pragut zgjedhor. "Nëse të mëdhenjtë bien dakord, le të jetë edhe 4% apo 3.5%. E kemi thënë se nuk duhet të pritet që LSI-ja të marrë flamurtarin e ngritjes së pragut", argumentoi Legisi. Çështja e pragut, shtoi ai, besoj se do të jetë një vendimmarrje jo në nivel ekspertësh. "Kjo i takon vendimmarrjes së politikës së madhe, ku do jetë edhe PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja, ku do të arsyetohet se pse mund të shkohet te rritja e pragut", vijoi Legisi. Më i ashpër në qëndrimin e tij paraqitet përfaqësuesi i Partisë Aleanca Demokratike, Arben Demeti. "Partia Socialiste nuk duhet të guxojë të bëjë veprime të tilla sepse nuk ka arsye. Mendoj se nuk duhet të ketë arrogancë në këtë punë, pragu është kushtetues dhe normal", u shpreh Demeti. Kjo masë, sqaroi ai, ka treguar se është e pranuar dhe pragu 2.5% do të thotë katër deputetë sipas ndryshimeve që do bëhen. "Pra nuk ka më dushqe dhe ai që merr 2.5 % në Shqipëri e ka me meritë dhe djersë. Kush tenton të rrisë pragun tenton të godasë pluralizmin në Shqipëri, në emër të gjoja stabilitetit", këmbënguli Demeti. Duke konstatuar se të gjitha eksperiencat nga viti 1991 kanë treguar se nuk kanë qenë të vegjëlit problemi i stabilitetit, kanë qenë mazhorancat e mëdha. "Fajin e ka mentaliteti i dy partive të mëdha dhe një veprim i tillë do të ketë edhe përgjigjen e vet", premtoi Demeti.

Drafti

Partitë e vogla, pa konsultim me PS-në, kanë nënshkruar preferencat e tyre të përbashkëta me të vegjëlit e djathtë. Drafti parashikon që Kuvendi të ketë 140 vende, por të jetë me tavan të hapur. Kërkohet një balancë 50/50% e "mandateve mazhoritare" dhe "mandateve proporcionale". Zgjedhësit kanë vetëm një votë dhe vota mazhoritare për kandidatin është e unifikuar me votën proporcionale për partinë që përfaqëson ky kandidat. Sa i takon pragut elektoral, të vegjëlit mbështetur te modeli gjerman mendojnë se ai nuk duhet të lëvizë përtej 2.5%. Përllogaritja e mandateve bëhet në nivel kombëtar për partitë që kalojnë pragun elektoral prej 2.5%, ku secilës prej tyre i caktohet një numër mandatesh në mënyrë që të ketë një përputhje të plotë të përqindjes së mandateve në Kuvend me përqindjen e korrektuar të votave në shkallë vendi për çdo parti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›