E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarët e kryesisë dhe eksponentë të lartë socialistë i heqin vizën ambicieve të Edvinit për rikandidimin

Pas Blushit, edhe Malaj, Haxhiymeri e Bello deklarojnë prerë se “Rikandidimi i Edi Ramës, do të ishte një humbje e dyfishtë, për PS-në dhe të majtën”, prandaj mospërzierja e tij në kongresin e 29 gushtit do të ishte rruga më e mirë për kryetarin e ndërprerë të PS-së

Kur të gjithë duan kokën e tij në “gijotinë”, për disfatën dhe skarcitetin politik që u solli, duke i lënë në opozitë dhe për katër apo edhe për shumë vite të tjera, mësohet se Edi Rama, po përgatit terrenin, për të manipuluar Kongresin e 29 gushtit, për ta vënë në shërbim të tij. Por kjo lëvizje e Edvinit, e cila i kushtëzohet nga dhimbjet e forta të kokës dhe sikletosjes së ethshme, si pasojë e humbjes së mandatit të kryetarit të PSSH, duket jetë shkurtër, pasi anëtarët e kryesisë dhe anëtarësia e thjeshtë socialiste, nuk mund të lejojë kurrsesi, përsëri Edi Ramën në krye të selisë rozë.

Shqetësimet e rënda të kryesocialistit pa mandat, bëhen akoma më të forta kur dihet tashmë se jo vetëm ka humbur zgjedhjet, por ka humbur edhe besimin tek socialistët e thjeshtë, të cilët deri dje e shihnin si liderin e udhëheqjes së bindjeve të tyre majtiste.

Degradimi deri në nivelin më ulët të mundshëm, deri aty sa askush nuk do t’ia shohë fytyrën e vranët dhe prej humbësi nëpër korridoret e selisë apo edhe në daljet e rëndomta mediatike, tregojnë pafytyrësinë politike të Edi Ramës, që me dhunën, kërcënimet dhe pazaret e pista, kërkon të qëndrojë me çdo kusht në një parti të cilën e çoi drejt shkatërrimit të plotë, madje ka filluar kalkulimet për rikandidim, në mënyrë që të mbizotërojë në PS.

Por a do ta lejojnë socialistët këtë? Reagimet e para janë shfaqur dhe kanë tmerrësisht të egra, duke e konsideruar rikandidimin e Edvinit, si jo vetëm humbje të dyfishtë për PS-në, por edhe shkatërrim për të majtën.

Kësisoj, sekretarja për Shanset e Barabarta në Partinë Socialiste Edlira Haxhiymeri, duke i’u referuar deklaratës së një dite më parë të zotit Rama se ai do të çojë përpara projektin e tij në PS, jep arsyet se përse zoti Rama nuk duhet të jetë me në krye të Partisë, të shtrira në rrafshin juridik, atë politik e moral.

“Mos rikandidimi i Ramës shtrihet në tre plane, në atë juridik të cilit mandatit i ndërpritet kur humbet në zgjedhje, në atë politik që dështoi projekti i tij dhe atë moral, që ka një traditë në PS ku humbësi dorëhiqet. Madje në një intervistë dhënë dikur nga vetë Rama pas humbjes në zgjedhjet e 2005 ai e ka pohuar një gjë të tillë ndaj kryetarit të asaj kohe në PS”, tha Haxhiymeri.

Respektimi i pikave statutore do të shqyrtohet në kongresin e jashtëzakonshëm të 29 gushtit, ku Rama pritet të rikandidojë, siç la të kuptojë edhe kryetari i Asamblesë, Ruçi. Por tashmë, mjaft anëtarë të kryesisë dhe eksponentë të lartë të Partisë Socialiste deklarojnë se rikandidimi i tij do të jetë një tjetër disfatë për Partinë Socialiste. “Rikandidimi i tij do të thoshte një tjetër humbje për PS”, shtoi ajo.

Zërat për largimin e Ramës nisën të artikulohen menjëherë pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Ato u konkretizuan me një resolutë të propozuar nga anëtari i kryesisë, Ben Blushi, i cili në fjalimin e tij në asamble, tha se me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, Rama po e mban peng Partinë Socialiste për arsye personale.

Arben Malaj: Edi Rama do të përdorë Kongresin, për mbijetesë parazitare

Me afrimin e datës së mbajtjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, anëtari i kryesisë së selisë rozë dhe njëherazi deputeti Arben Malaj, deklaron se Edi Rama, për të shpëtuar mbijetesën politike mund të përdorë kongresin me metoda të ndryshme formaliteti, si dhuna, kërcënimet apo edhe pazaret e pisëta.

Duke marrë shkas nga ajo që ndodhi në asamblesë kombëtare të PS, e cila u shndërrua në një mbledhje plenumi të komitetit qendror, si në monizëm, ku mungoi transparenca dhe liria e informimit, Malaj shton se Rama është në siklet dhe mund ta kthejë Kongresin e Jashtëzakonshëm në një solidaritet të zhurmshëm të tij.

“Aktiviteti i tij është minimizuar dhe se Rama është në sikletin se nëse nuk do ta respektojë formën e filozofisë që solli dhe të mbetej me kredibilitet pozitiv duke shtuar se nëse ndodh kjo atëherë kostoja për PS-në do të ishte shumë e madhe”, tha Malaj.

Duke ripërsëritur qëndrimin e tij për largimin e Edi Ramës nga Partia Socialiste, Malaj u shpreh edhe për kandidimin e tij, për kreun e PS-së, duke e konsideruar këtë si ambicie politike dhe jo si mbijetesë parazitare.

“Gara për kreun e PS-së është një sfidë e madhe për të cilën duhet mbështetje në opinion për aftësinë që do të paraqesësh. E gjykoj si një ambicie politike dhe jo si mbijetesë parazite”, u shpreh Malaj.

Marko Bello: Lideri i ardhshëm i PS, nuk është Rama, ai bën mirë të mos rikandidojë

Deputeti i PS-së Marko Bello në kuadër të qëndrimit të të tij të shprehur tashmë publikisht kundër filozofisë së Edi Ramës në Partinë Socialiste, deklaron se Kongresi duhet të ndryshojë statutin e partisë që në këtë mënyrë të legalizohet të menduarit ndryshe në Partinë Socialiste.

Ai theksoi se Kongresi do të vendosë për dorëheqjen e Ramës, por njëherazi shton gjithashtu se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë, pasi siç e sheh Bello këtë lëvizje, do të dëmtojë akoma më shumë PS-në dhe të majtën.

“Është kongresi që do të vendosë për dorëheqjen e Ramës. Rama është mirë të mos rikandidojë pasi ai nuk ka as sharmin dhe as misterin pozitiv që kishte në 2005-ën. Një rikandidim i mundshëm i tij, do të dëmtonte akoma më shumë PS-në dhe të majtën në vend”, u shpreh Bello.

Një nga zërat kritikë të Edi Ramës, deputeti Marko Bello tregoi më tej edhe arsyet që sipas tij Partia Socialiste nuk mundi të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit duke bërë fajtor kryesor Edi Ramën që nuk mundi të ngrinte një frymë fitoreje dhe se koalicioni i PS-së ishte më i madh dhe më real.

Gjithashtu ai theksoi se PS-së i duhet një lider vizionar që ta çojë partinë në fitore dhe ky nuk është Rama. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›