Godo: Ligji për martesat gay, i parakohshëm
ADI SHKEMBI
Politikani i njohur Sabri Godo del kundër propozimit për miratimin e një ligji për martesat e homoseksualëve. Kryeministri Berisha është deklaruar pro miratimit të ligjit për martesat e homoseksualëve. Si e komentoni ju një nismë të tillë?
Homoseksualizmi nuk është një fenomen shoqëror këtu te ne dhe shumë njerëz kanë mbetur të habitur nga kjo nismë e Berishës. Unë ia qaj hallin atij, sepse ai vetë ka ndjerë një farë neverie kur është marrë me këtë punë. Por i duhet të bëjë një luftë në front të gjerë, për të hapur rrugën e Shqipërisë ndaj Evropës dhe u shfaq pro këtij ligji. Thonë që do të vijë nga shoqëria civile. Personalisht nuk do ta miratoja me qejf këtë ligj sepse në botë te njerëzit, te kafshët, te bimësia, ekziston raporti mashkull- femër, në bazë të së cilit është vijimësia, riprodhimi. E shoh këtë më tepër si njëlloj përmbysje të ndjenjave që vërtetohet te disa njerëz. Tani shtrohet pyetja që meqenëse jetojmë në një shoqëri të lirë, këta duhet të ndëshkohen për një gjendje të tillë? Ti fusim në burg, siç kemi bërë më parë? Mendoj se kjo kohë ka kaluar dhe këta mund të lihen të lirë, por unë nuk besoj se do të dalin në rrugë të festojnë si një fitore. Nuk është vendi në Shqipëri. Mua nuk më duket se kjo është një kërkesë eksplicite e KE-së, por bën pjesë në kuadrin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut dhe Berisha me këtë veprim i thotë Evropës se ne jemi për respektimin në thellësi të të drejtave të njeriut.
I duhej Shqipërisë tani një ligj i tillë?
Nuk mendoj se ne tani duhej të ngulnim këmbë të avancojmë në këtë gjë, nën pretekstin se kështu lëmë mbrapa 23 vende të Evropës. Të përpiqemi t’i lëmë mbrapa ato në plotësimin e kushteve që na pengojnë në rrugën drejt Evropës, siç është rendi, sigurimi i kufirit, dokumentet personale që kërkohen. Këtë mund ta kishim lënë për më vonë. Tani e shoh si të parakohshme, megjithatë le të zhvillohet një debat. Doemos që komunitetet fetare do shfaqeshin kundër. Unë nuk jam njeri fetar dhe nuk u dal në krah për këtë gjë, por them se nuk do të jenë vetëm ato që do të ndrydhen nga ky ligj. Në fund them se nuk duhet ta marrim një gjë shumë të madhe. Jetojmë në një kohë kur këto gjejnë përkrahje dhe në shumë vende të përparuara. Ne nuk më duket se kishim nevojë për domosdo që të themi që jemi të parët në Ballkan që përqafojmë një ligj të tillë. Më duket më shumë si shaka, sesa si serioze.
Ka një perceptim që kjo deklaratë e Berishës vjen për të hequr mendjen nga zhvillimet e tjera politike në vend...
Berisha po të donte të shpallte ndonjëlloj manifestimi politik ka fusha gjithandej për të bërë shoë. Është krejt e padrejtë dhe jo logjike të vihet në këtë plan. Ai ka parë kushtet e vëna nga KE për t’u plotësuar, një ndër to është respektimi i të drejtave themelore të njeriut, çdo njeri ka shijet e tija. Them se është nisur vetëm nga kjo. Ndoshta pak në mënyrë të avancuar, për t’i thënë Evropës se ne jemi të përparuar për të miratuar një ligj të tillë. Jam i bindur se është thjeshtë kështu.
Kjo është hera e dytë që bëhet një debat për një ligj të tillë. Këtë herë, a duhet të ngelet vetëm në nivelin e debatit, apo të miratohet përfundimisht?
Po të isha deputet në Kuvend, do votoja kundër. Do të thosha të mos kenë shtrëngime, të mos kenë përndjekje, të mos përçmohen dhe nëse në këtë drejtim do të duhej të bëhej një ligj, le të bëhej ndonjë interpretim ligji, por të thuash se tani e mbrapa jeni të lirë dhe të jetoni si çift dhe të kurorëzoheni, nuk më duket se do të ndihmonte vendin për të zgjidhur ndonjë problem. Nëse do bëhej ndonjë referendum mbi këtë, sipas vlerësimeve të mia që janë krejt subjektive, 95% e shqiptarëve do thoshin ç’na duhet kjo punë. Por dua të shpjegoj se pavarësisht nëse unë e pëlqej apo jo, duhet me doemos që individit t’i garantohen liritë e tij. Mua më kujtohet që në kohën e Klinton, ai propozoi një ligj që të lejoheshin marrëdhëniet seksuale në ushtrinë amerikane, por u detyrua të tërhiqej për shkak të reaksionit që iu bë. Ky është një debat në shumë vende, që ka zgjatur me vite. Në 3-4 vende të Evropës është lejuar martesa e homoseksualëve, por ne s’ka pse ngulim këmbë që të jemi ndër të parët.
Në cilësinë e Presidentit të Asamblesë së PR-së, a do ta votojë kjo forcë politike miratimin e këtij ligji?
Partia Republikane bën pjesë në këtë koalicion dhe është shtyllë e tij dhe domosdo që duhet të veprojë brenda koalicionit për gjëra që nuk dëmtojnë politikat dhe ideologjinë e Partisë Republikane. Ne nuk mund të tërhiqemi nga çështja e pronave apo ndonjë çështje tjetër që ka të bëjë me interesat kombëtare, por për gjëra të karakterit shoqëror gjërat mund të diskutohen. Unë them se Berisha dhe shumica nuk do ta shihte si ndonjë katastrofë nëse ndokush del kundër, ky është një debat i lirë.
PDK: Larg BE jo nga homoseksualët
Partia Demokristiane ka reaguar dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha për të miratuar ligjin “Për martesat e homoseksualëve”. Në një deklaratë për shtyp thuhet: “Partia Demokristiane denoncon talljen e fundit me shqiptarët dhe Bashkimin Evropian të Kryeministrit Berisha, kur dje u propozoi shqiptarëve një ligj që legjitimon martesat midis individëve të së njëjtës gjini”. Sipas kësaj force: “Nëse flasim për standardet, nuk janë të drejtat e homoseksualeve që e mbajnë Shqipërinë larg BE, por është korrupsioni i lartë në qeverisje, korrupsioni elektoral, dhunimi i procesit zgjedhor, paaftësia për të pajisur qytetarët me karta identiteti dhe pasaporta biometrike në afatet e caktuara”.
“Martesa mes njerëzve të të njëjës gjini, e dënueshme”
Komunitetet fetare në Shqipëri kanë reaguar njëzëri kundër nismës për të miratuar ligjin “Për martesat e homoseksualëve”. Mon Sinjor Gergj Frendo, përfaqësues i Kishës Katolike, tha dje se “Martesa është bashkim i burrit dhe i gruas. Ne nuk kemi asnjë aftësi të dënojmë ose të gjykojmë homoseksualët, megjithatë nuk mund të injorojmë faktin që sipas planit të Zotit se martesa është bashkim i dy sekseve të ndryshme. Fatkeqësisht sot ligje të tilla konsiderohen si shenja përparimi, por në të vërtetë nuk është ashtu, përkundrazi është detyrë e çdo shteti të mbrojë martesën”. Ndërsa përfaqësuesi i Kishës Ortodokse, Peshkopi Andon Merdani, ka theksuar se kjo martesë nuk mund të aprovohet nga ana fetare. “Për Kishën Ortodokse, ashtu edhe si për shumë Kisha të tjera veprimi dhe akti që kryhet mes dy njerëzve të së njëjtës gjini është i dënueshëm. Për këtë arsye çdo lloj veprimi aq më tepër kur ato bëhen edhe ligjore nuk shikohet me sy të mirë dhe nuk mund të aprovohet nga ana jonë si besimtarë dhe si Kishë”, tha Peshkopi Merdani. Ligji për martesat e homoseksualëve u kundërshtua edhe nga komuniteti mysliman.
Gjermeni: Drafti kundër diskriminimit
Deputetja më e re e PS-së në Qarkun e Tiranës, një nga aktivistet e njohura të shoqërisë civile shprehet se më shumë se një ligj martese mes homoseksualëve, p/ligji i cili pritet të hidhet për diskutim ka të bëjë me ndalimin e diskriminimit të disa kategorive vulnerabil të shoqërisë, siç janë romët, egjiptianët dhe ata me orientim homoseksual. “Nuk e kam lexuar projektligjin, por informohem nga kolegët, se bëhet fjalë për individët të diskriminuar që kërkojnë të drejtat e tyre, i cili nuk shprehet për martesën mes homoseksualëve. Edhe nëse pranohet një ligj i tillë, më parë duhet të ndryshojë Kodi i familjes”, shprehet Gjermeni. E pyetur nëse ky ligj mund të mbërrijë në Parlament, a është e përgatitur shoqëria shqiptare për ta mirëkuptuar atë, Gjermeni u shpreh se: “Ky draft më parë kërkon një diskutim të gjerë në publik, me grupet e interesit, me mediat, pasi rëndësia e një ligji nuk është vetëm miratimi i tij, por kuptimi dhe zbatimi i tij nga të gjithë”.