E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Laprakë: Shqipëria do ndryshojë shpejt

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e 13 rrugëve në lagjen Laprakë të Tiranës. Berisha: "Shqipëria do të ndryshojë për t’u bërë një vend i përgatitur për anëtarësimin në BE". I pranishëm në ceremoni dhe ambasadori D'Elia. 

TIRANE-Kryeministri Berisha premtoi mbrëmë se në 4 vitet e ardhshme Shqipëria do të ndryshojë për t’u bërë një vend i përgatitur për anëtarësimin në BE. 

I pranishëm në ceremoninë e përurimit të 13 rrugëve të brendshme të Laprakës, financim prej 3 milionë eurosh i kooperacionit italian, kryeministri premtoi projekte të tilla në të gjithë vendin.

“Shqipëria në këto 4 vite do të ndryshojë më shpejt se kurrë në tërë historinë e saj dhe në qershorin e vitit 2013 do të shkojë si një vend i sukseseve të mëdha e i ndryshimeve më të thella, si një vend i përgatitur për verdiktin përfundimtar nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për intregimin e saj të plotë", është shprehur dje në mbrëmje Kryeministri Sali Berisha.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur sot se në takimin me banorët, z. Berisha theksoi se "këto 4 vite do të vazhdojmë të festojmë fitoren në çdo fshat dhe qytet të këtij vendi me projekte te reja. Çdo ditë dhe çdo javë do të inaugurojmë fillim punimesh dhe përfundime punimesh të rrugëve, ujësjellësave dhe kanalizimeve, të shkollave, sistemeve të vaditjes dhe shërbimeve të ndryshme dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri ditën e fitores së ardhshme më 2013".

Kreu i Qeverisë shprehu angazhimin për të hapur gjatë mandatit të ri qeverisës mbi 160 mijë vende pune dhe për të financuar të gjitha projektet e paraqitura nga bashkitë dhe komunat për ndërtimin e rrugëve, shkollave ujësjellësave, për zhvillimin e turizmit.

Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen qeverisë italiane për projektet e realizuara në kuadrin e Kooperacionit Italian.
Financimi i Kooperacionit Italian prej 3 milionë eurosh përfshiu rikonstruksionin e 13 rrugëve në lagjen Laprake, me një gjatësi prej 7 kilometrash. Në këtë ceremoni ndodhej dhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Saba D'Elia.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›