Derkovitsch takon Berishën: Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, z. Klaus Derkovitsch, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Tiranë.
Kryeministri Berisha e vlerësoi plotësisht të suksesshme punën e Ambasadorit austriak gjatë misionit të tij diplomatik në Shqipëri dhe u shpreh se z. Derkowitsch largohet nga vendi ynë si një mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë.
Nga ana e tij, ambasadori austriak Derkowitsch e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për fjalët e ngrohta dhe mikpritjen dhe e uroi Kryeministrin për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Duke iu bashkuar fjalës së Kryeministrit Berisha se largohet si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Ambasadori Derkowitsch u shpreh se gjatë kësaj periudhe të misionit të tij diplomatik në vendin tonë, ai ka ndjerë, si në asnjë vend tjetër, afrimitetin, ngrohtësinë dhe miqësinë e shqiptarëve, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që i është ofruar nga institucionet shqiptare.
Në takim u vlerësua fakti se gjatë misionit të Ambasadorit Derkowitsch në Tiranë, marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe lidhjet e ngushta tradicionale e historike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve, janë konsoliduar dhe zgjeruar edhe më tej, si dhe është rritur ndjeshëm bashkëpunimi ekonomik dhe në veçanti investimet, asistenca dhe ndihma austriake për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha e falënderoi me mirënjohje të thellë Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, z. Derkowitsch, për kontributin e tij personal dhe të vendit të tij në konsolidimin e këtyre marrëdhënieve.
Nga ana tij, Ambasadori Derkowitsch u shpreh se përshtypja e tij personale, por edhe si ambasador dhe si qytetar i BE-së është se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në shumë fusha, ka arritur suksese në reforma të rëndësishme dhe ka pasur një ecuri shumë të mirë në procesin e integrimit evropian.
Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadorit Derkowitsch, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drekë e cila kaloi në atmosferë shumë të ngrohtë dhe miqësore.
...