E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave betohen para Presidentit Bujar Nishani

05-04-2013 / Gazeta 55

Anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e djeshme plenare u betuan pasdite para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Pas leximit të formulës së betimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Arben Idrizi, në të cilën thuhet “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”, anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave, përkatësisht, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Arsimit e Shkencës, Myqerem Tafaj; Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi; Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Florjon Mima; Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti u betuan para Kreut të Shtetit dhe firmosën dokumentin e betimit.
Kreu i Shtetit u uroi anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave suksese në detyrë. Në ceremoninë e betimit të anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha; Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli; Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Fatos Beja; Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Edmond Spaho; Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›