“Skena politike e polarizuar - KQZ ka kryer pjesën më të madhe të përgatitjeve”

ODIHR publikon raportin paraprak për zgjedhjet në Shqipëri
OSBE-ODIHR publikon raportin paraprak për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, bazuar në vëzhgimet që janë bërë nga data 11 deri në 17 mars nga misioni në Shqipëri.
Në raportin e publikuar në faqen e ODIHR thuhet se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të zhvillohen në një ambient të polarizuar nga dy partitë politike kryesore. “Në 23 qershor Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në kontekstin e një mjedisi politik ku dominohet nga dy parti politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Shumë prej bashkëbiseduesve me OSBE/ODIHR e përshkruajnë situatën dhe mjedisin politik si të tensionuar, kryesisht për shkak të konflikteve të dikurshme të dy partive kryesore, duke shprehur shqetësim se kjo mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e zgjedhjeve”, thuhet në raport.
ODIHR sqaron se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohet me një kuadër ligjor të amenduar i cili ishte miratuar nga parlamenti me mbështetje të gjerë më 19 korrik 2012. Ndryshimet janë të gjera dhe të adresuar në rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR. Në raport thuhet se listat e zgjedhësve janë të bazuara në informacionin e nxjerrë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.
Sipas këtij raporti, përgatitjet e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë në vazhdimësi, dhe pjesa më e madhe e afateve janë përmbushur.
“KQZ-ja nuk mundi të vendosë për çështjen e ndarjes së mandateve dhe numrin e zonave të administrimit zgjedhor. Mungesa e konsenusit ka shumë gjasa që të çojë në politizimin e mëtejshëm të KQZ-së. Për këtë arsye dy teknologji të reja zgjedhore do të përdoren për zgjedhjet në Tiranë dhe në Fier”, thuhet në raport.
Shumica e bashkëbiseduesve me misionin e OSBE/ODIHR kanë kërkuar numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, me një theks të veçantë në vëzhgimin e numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.
“Bazuar në gjetjet e këtij raporti, OSBE/ODIHR-i rekomandon vendosjen e një Misioni të vëzhgimit të zgjedhjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Midis çështjeve të tjera, Misioni do të përqendrohet në kuadrin ligjor, të ndryshuar, sjelljen e zgjedhjeve, zbatimi i teknologjive të reja zgjedhore, regjistrimin e votuesve, mbulimin nga media të fushatës”, thuhet në raport.
ODIHR thekson se përveç një ekipi bërthamë ekspertësh, OSBE/ODIHR do të kërkojë dërgimin e rreth 30 vëzhguesve afat-gjatë për të ndjekur procesin zgjedhor në të gjithë vendin, si edhe 400 vëzhgues afatshkurtër për të mbikëqyrë procedurat e ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë votimin, numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve.