Katër vitet e ardhshme, projekti madhor zhvillimi rural
Kryeministri Berisha bashkëbisedon me akademikë dhe pedagogë të shkencave bujqësore mbi perspektivën e zhvillimit rural dhe të bujqësisë në vend
Kryeministri Sali Berisha bashkëbisedoi dje me akademikë e pedagogë të shkencave bujqësore, si dhe specialistë të fushës së bujqësisë, ushqimit dhe blegtorisë. Në tryezën e rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shkencorë dhe pedagogjikë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Universitetit të Korçës, përfaqësuesve të qendrave të Transferimit të teknologjive bujqësore në rrethe etj. Kryeministri dialogoi mbi problematika të zhvillimit bujqësor dhe rural të vendit, si dhe paraqiti vizionin dhe objektivat e këtij zhvillimi në të ardhmen. Kryeministri i falënderoi ata për bashkëpunimin e ofruar ndaj qeverisë, në konceptimin, hartimin dhe realizmin e mjaft programeve të mëdha kombëtare që qeveria ka realizuar në këto 8 vite, si dhe vlerësoi rolin e mendimit dhe kërkimit shkencor, në realizimin e projektit madhor për zhvillim rural dhe bujqësi moderne. Akademikët parashtruan një sërë sugjerimesh dhe ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe ngritjen në një nivel të ri të arsimimit në fushën e bujqësisë, me mbështetjen më të madhe te studentëve që zgjedhin për të studiuar në këtë fushë, me fuqizimin e rolit të kërkimit shkencor, me nxitjen më të madhe dhe promovimin e prodhimeve bujqësore vendase, etj. Duke iu përgjigjur secilës problematike në veçanti, Kryeministri siguroi se qeveria është e interesuar të konsolidojë një bashkëpunim konstant me elitën akademike në fushën e bujqësisë dhe se projekti madhor për zhvillimin rural të vendit ka nevojë jetike për mendimin e tyre shkencor.
“Në projektin tonë për një zhvillim rural dhe bujqësi moderne, në projektin tonë për një përpjekje të madhe, natyrisht jo afatshkurtër, e cila synon në dhjetëfishimin e prodhimit bujqësor dhe të fushës në tërësi në Shqipëri, ne llogarisim si kusht Sine qua non, udhëheqjen tuaj të këtij procesi me studimet, me kërkimet shkencore, llogarisim, besojmë dhe mendojmë se ju do të jeni arkitektët më të mirë të këtij projekti ambicioz, por plotësisht të mundshëm për tu realizuar, siç kanë faktuar vende të tjera dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për një Shqipëri, vend i zhvilluar. Gjatë këtyre viteve përqendrimi ynë total ka qenë në ndërtimin e një infrastrukture, nen moton ‘tu japim fshatrave infrastrukturën e lagjeve të qyteteve’. Me këtë moto kemi investuar në Shqipërinë rurale, mbi 60 për qind të të gjitha investimeve tona. Kemi ndërtuar mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1 mijë shkolla, qindra qendra shëndetësore, ujësjellës kanalizime dhe prapë është një inventar i tërë për tu realizuar, por po shkon drejt finalizimit. E rëndësishme është që ky mandat i ardhshëm në 2-3 vitet e para, finalizon infrastrukturën rrugore dhe gjatë këtij mandati ne jemi ambiciozë për të nisur një infrastrukturë ujitje, ndër më modernet që ekziston. Ne do të bëjmë gjithçka për përmirësime të mëdha dhe cilësore, për ti garantuar zonave rurale të Shqipërisë të njëjtat parametra energjie elektrike njësoj si zonat urbane, pra do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Së bashku me ju kemi projektuar programe kombëtare shumë të rëndësishme, siç është programi i ullirit dhe ai po lëshon shtat çdo ditë e më fuqishëm. Unë udhëtoj shpesh dhe mahnitem me plantacionet e pafundme dhe të reja që kanë veshur kodrat e vendit në zonën ku ato mund të mbillen Kemi ndërmarrë projektin tjetër të arrorëve. E vërteta është që ky projekt ka pasur një interes të madhe dhe në rritje”, tha kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi se në fokus është zhvillimi bujqësor për rritjen e prodhimit dhe nxitjen e punësimit.
“Ky aspekt është punësimi, e vërteta është që sot në këto fusha vendi i punës krijohet me koston më të ulët se ne te gjitha fushat e tjera dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ne nuk ndalojmë dhe nuk do të ndalojmë kurrë trendin e urbanizmit të vendit. Por ne do të bëjmë gjithçka që të nxisim , të mbështesim punimin, prodhimin në çdo metër katror të një vendi. Ne jemi kundër braktisjes së tokave, natyrisht asnjeri nuk pengojmë, por ne do të bëjmë ç’është e mundur që shqiptarët të nxjerrin maksimumin e mundshëm nga tokat e tyre. Përqendrimi ynë në këtë fushë ka dhe një rëndësi tjetër themelore për ekonominë e vendit, për bilancin e pagesave. Faktikisht, sot bujqësia është 17 për qind kontributore në prodhimin e përgjithshëm të vendit, por përsëri 60 për qind e nevojave mbulohen nga importet. Para pak vitesh mbuloheshin 90 për qind, kemi zbritur në 60 për qind dhe ka potencial të madh të shkojmë drejt ngushtimit progresiv të këtij hendeku. Pardje vizitova në Fushë-Kruje një pulari ndër më modernet, e cila funksiononte mbi bazën e standardeve më të larta, me të gjitha certifikatat europiane, por aktualisht ne mbulojmë vetëm me 12 për qind nevojat me mish pule, ndërkohë që ky standard është 30 për qind në vendet e zhvilluara, në një kohë që në prodhimin e vezëve jemi shumë më mirë, kemi kaluar 1 miliard dhe do të rritet më shumë”.