E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtari i Bandës së Zanit rrëfen masakrën e Qafë-Gjashtës

Një anëtar i bandës së
"Çoles" në Vlorë ka treguar
para Gjykatës së Krimeve
të Rënda masakrën e "Qafë-
Gjashtës". Robert Gërdhuqi, i cili
ka ardhur me pranga në sallën e
gjyqit, pasi është i dënuar ndërkohë
për një vrasje, tha se kishte
marrë vesh nga persona të tjerë se
në vendin e quajtur "Qafa e Gjashtës"
kishin ardhur disa të SHIKut.
Ai vazhdoi dëshminë e tij duke
deklaruar se atë ditë ka vajtur me
motor në fshatin Metaq dhe se te
lapidari në "Qafë-Gjashtë", ka
parë shumë njerëz të mbledhur
dhe një kamion të djegur. Aty ai
kishte arritur të shihte Eduart
Çipën, Edmond Seikon dhe Miço
Golemin të armatosur. Ndërkohë
që nga ana e prokurorit, Adnan
Xholi, u kundërshtua kjo thënie,
pasi sipas deklarimeve të para ai
ishte shprehur se: "Kam parë në
"Qafë-Gjashtë" shumë njerëz të
mbledhur aty dhe një njeri të lidhur
pas një peme. Ata kishin ardhur
nga Vlora dhe kishin marrë peng
Fatos Mahmutajn dhe Armando
Hysin. Në mes të asaj turme pashë
dy makina që po digjeshin". Të
pranishëm në këtë seancë ishin
dhe 6 dëshmitarë të tjerë, të cilët u
kthyen sërish në Sarandë, pasi
braktisja e seancës nga njëri prej
avokatëve, detyroi trupin gjykues
ta shtyjë sërish seancën gjyqësore.
Dje, në Gjykatën e Krimeve të
Rënda kanë dëshmuar edhe disa
persona të tjerë. Seanca ka nisur me
debate dhe revokime të ashpra
mes të pandehurve, gjyqtarëve
dhe dëshmitarëve. Disa të pandehur
u revoltuan dhe ofenduan
dëshmitarin Myzafer Elezi, i cili ka
qenë inspektor i antiterrorit. Sipas
tyre, Elezi, që ka mbajtur postin e
inspektorit të antiterrorit gjatë
viteve ‘99, ka ushtruar dhunë gjatë
marrjes në pyetje të njërit prej
dëshmitarëve, pikërisht ndaj
Vladimir (Flamur) Këndezit. Dy të
pandehurit janë nxjerrë nga salla,
pas fjalorit banal të tyre. Në vazhdim
ta seancës, Elezi ka dëshmuar
se në vitin ‘99 mbante postin e inspektorit
të antiterrorit të Vlorës dhe
se i ishte ngarkuar detyra për
zbardhjen dhe dokumentimin e
kësaj ngjarjeje. Ai deklaroi se në
vitin ‘99 ka shkuar në Sarandë, së
bashku me eprorin e tij, Edmond
Kule, dhe me dy persona të tjerë,
për të marrë deklarime në lidhje
me këtë ngjarje. Ata kanë marrë në
pyetje të pandehurin Vladimir (Flamur)
Këndezin, i cili në atë kohë
nuk ishte i arrestuar. Gjatë deklarimeve
të bëra nga ana e tij, Këndezi
ka pranuar se kishte qenë
pjesë e kësaj ngjarjeje dhe se ishte
aty i armatosur me automatik
bashkë me personat e tjerë. Këndezi
kishte përmendur se bashkë
me të kishin qenë Vladimir e
Nestor Sinani, Eduart Çipa, Ristan
Labi, Agron Qurku, një person që
ai e quante "Bubeqi", si dhe disa
persona të tjerë. Dëshmitari Elezi
deklaroi se menjëherë pas deklarimeve,
Këndezi ishte arrestuar për
këtë ngjarje. Ka qenë pikërisht ky
momenti në të cilin vëllezërit Sinani
janë revoltuar ndaj dëshmitarit
duke e ofenduar atë rëndë, por
Elezi deklaroi se mbi të pandehurin
Këndezi nuk ishte ushtruar asnjë
lloj dhune dhe se personi ka
qenë i kthjellët gjatë dhënies së
deklarimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›