Projekti 2.5 miliardë euro i Semanit, Berisha kërkon ndihmën e Katarit
Qeveria shqiptare kërkon kredi nga Katari për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, Kryeministri Berisha deklaroi nga Katari se Shqipëria do të marrë kredi për investimet në infrastrukturë. Në ditën e dytë të vizitës së tij në këtë shtet, gjatë takimit me Sheikh Hamad bin Jassim bin Jabr al-Thani, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se vendi i tij mund të marrë një kredi nga Katari për zhvillimin e infrastrukturës. Lajmi u botua në gazetën "Gulf Time" në Doha të Katarit. Nga ana tjetër, qeveria "Berisha" i shtrin dorën e bashkëpunimit këtij shteti edhe në fushën ekonomike. Gjatë vizitës në Gjirin Persik, Kryeministri shoqërohej edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas Kryeministrit Berisha, kompani të Katarit kanë një blerë dhe po operojnë ose do të fillojnë së shpejti ndërtimin e rezorteve të mëdha turistike në brigjet e Shqipërisë. "Një vend të veçantë në bisedimet tona, si dhe një nga qëllimet, është edhe projekti i madh i Semanit. Ky projekt prej rreth 2.5 miliardë euro është një nga projektet më gjigante të rajonit dhe më gjerë", u shpreh Kryeministri Berisha, i cili thekson se "ftova qeverinë e Katarit që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt, sikundër iu kërkova që të garantojnë sigurimin me gaz të këtij projekti të madh, në rast se nuk përfshihen direkt". Për shkak të interesimit të këtij projekti, shumë shpejt do të vijë në Shqipëri ministri i Naftës dhe i Gazit të Katarit për të negociuar. "Mendoj se dhe ky ishte një rezultat shumë i rëndësishëm i kësaj vizite, pasi autoritetet e këtij vendi treguan interes real për projektin e Semanit, që është një nga projektet më të mëdha në rajon për rigazifikimin dhe prodhimin e energjisë", u shpreh Berisha. Emiri i Katarit, Sheikh Hamd bin Khalifa al-Thani, priti një ditë më parë në një takim Kryeministrin e Shqipërisë. Homologu i tij në Katar, u shpreh se vizita e Kryeministrit shqiptar forcon më tej marrëdhëniet e forta midis dy vendeve. Ai tha se të dy palët pranuan që Katari të dërgojë një delegacion në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe. "Unë jam i lumtur që vizita ime në Katar do të pasohet nga një vizitë e Emirit dhe Kryeministrit të Katarit në vendin tim", theksoi Kryeministri Berisha. Më herët, Shqipëria dhe Katari nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në sektorin teknik, ekonomik dhe tregtar. Marrëveshje të tjera pritet të nënshkruhen në Tiranë. Kryeministri i Shqipërisë sqaroi se vendi i tij do të hapë së shpejti një ambasadë në Doha, ndërsa ftoi biznesmenët e Katarit të investojnë në vendin e tij. Kryeministri i Shqipërisë gjithashtu, nënvizoi se vendi i tij mirëpret kompanitë e Katarit që operojnë në fushat e energjisë, shëndetit dhe arsimit. "Shumë kompani nga Katari po punojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe kanë bërë një progres të shpejtë", tha ai, duke shtuar se "Qeveria e Katarit shfaqi interes të madh për projektin e gazit të lëngshëm në Shqipëri, i cili është një projekt në të cilin investitorët e Katarit janë të mirëpritur".