E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për Fazliç, Qipro nuk jep asnjë të dhënë për kompanitë

Hetimet shqiptare për
Damir Fazliç, serboboshnjakun
e konsideruar
si mikun e
Kryeministrit Sali Berisha, kanë
"ngecur" në shtetin e Qipros. Në
këtë vend, Fazliç dyshohet se ka
krijuar një shoqëri fantazmë e cila
ka blerë një firmë të tij në Shqipëri
për 1.7 milionë euro. Më pas, këto
para janë transferuar në Zvicër.
Hetuesit e çështjes kanë analizuar
edhe legjislaturën e këtij shteti në
lidhje me krijimin e shoqërive. Nga
të dhënat e para ka rezultuar se në
Qipro shteti nuk kontrollon nëse
shoqëritë kanë kapital ose jo si dhe
nëse kryejnë transaksione bankare.
Përqindja që merr shteti në
këtë rast është shumë e vogël. Veprimtaria
e Damir Fazliç në Qipro
duket se do të shuajë shumë
pikëpyetje për hetuesit e çështjes,
nëse në këtë shtet shoqëria e
tij ka pasur apo jo kapital, si dhe
paratë që është blerë firma
"Crown Acquisition" kanë qenë të
deklaruara apo janë vënë në
mënyrë të paligjshme. Pikërisht
për këto enigma, hetuesit e çështjes
dërguan disa javë më parë në
shtetin e Qipros një letër-porosi.
Sipas hetuesve nga prokuroria,
ende nuk ka mbërritur një
përgjigje, ndërsa informacionet e
para për kthimin e letër-porosisë
është fillimi i muajit prill të këtij
viti. Burimet nga Prokuroria e Tiranës
deklarojnë se në Shqipëri
janë pyetur të gjithë bashkëpunëtorët
e Fazliç, si dhe pronarët
e tokës në Porto-Romano,
të cilët i kanë shitur serbo-boshnjakut
rreth 15 hektarë në vendin
që do të ngrihet parku energjetik.
Megjithatë, e domosdoshme për
hetuesit e çështjes është sqarimi
i aktivitetit të të akuzuarit në
Qipro. Ky shtet, nga korrespondencat
e Prokurorisë së Përgjithshme,
ka "refuzuar" disa herë
të bashkëpunojë për të zgjidhur
çështje të përbashkëta hetimore.
Në asnjë rast, drejtësia
qipriote nuk u ka kthyer përgjigje
të sakta hetuesve shqiptarë
për disa kompani fantazmë në
atë vend. Hetuesit e Prokurorisë
së Tiranës përmendin edhe rastin
e hetimeve për tragjedinë e
Gërdecit, për sa i përket trafikut
të armëve. Megjithëse Prokuroria
e Përgjithshme ka dërguar një
letër-porosi në Qipro, ende nuk
është kthyer një përgjigje për
firmën "Edvin ltd", e cila ka qenë
nënkontraktore për firmën
amerikane SAC për të blerë municione
në Shqipëri.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar
letër-porosi në Qipro, Kroaci, Bosnjë,
Zvicër dhe Angli për të
zbardhur pastrimin e parave nga
shtetasi serbo-boshnjak, Damir
Fazliç në Shqipëri. Dyshohet se në
këto shtete, ai ka kompani pa kapital
me anë të të cilave kryente
pastrim parash. Sipas prokurorisë
shqiptare, kjo veprimtari fillonte
nga shteti i Qipros, ku Fazliç ka shitur
kompaninë "Crown Acquisition".
Më pas transferonte paratë
e shitjes së kompanisë në Shqipëri
duke arritur të blejë qindra
dynymë tokë në Durrës. Por mësohet
se prokuroria është thelluar
në hetime dhe ka dërguar një
letër-porosi në Zvicër nga kërkohen
detaje. Në këtë shtet ka të
dhëna se Fazliç ka një kompani
tjetër që ka shërbyer si nënkontraktore
për shitjen e "Crown Acquisition".
Gjithashtu, prokuroria
shqiptare shpreson në një bashkëpunim
të ngushtë me zviceranët
edhe për transfertën e 1.7
milionë eurove nga Tirana në
Zyrih. Një tjetër letër-porosi është
dërguar në Kroaci, ku kërkohet informacion
për disa kompani të
tjera të Fazliç që veprojnë në këtë
shtet. Ndërsa letër-porosia në
Qipro dhe Angli shërben për rezidencat
e Damir Fazliç.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›