E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama pezullon hetimet për Andis Harasanin

Kryeprokurorja Ina Rama ka pezulluar
hetimet për deputetin socialist,
Andis Harasani. Disa javë më
parë, Prokuroria e Përgjithshme i paraqiti
zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë,
kërkesën e saj për autorizimin të ndjekjes
penale ndaj deputetit të PS-së, Andis
Harasani. Kërkesa erdhi pas një konflikti
të ndodhur më 11 shtator 2008, mes deputetit
socialist dhe oficerëve të Gardës,
për dy kalli misri pa kokrra... Oficerët e
Gardës depozituan në prokurori një kallëzim
penal, me pretendimin se janë goditur
nga deputeti socialist, gjatë ushtrimit
të detyrës së tyre, pasi nuk e kanë lejuar
deputetin të fusë në sallën e Kuvendit
sende që nuk i lejon rregullorja, konkretisht
disa kallinj misri pa kokrra.
Megjithëse Kryetarja e Kuvendit, Jozefina
Topalli, gjatë një seance plenare tha
se është e detyruar të mbledhë Këshillin
e Imuniteteve dhe Rregullores për të
shqyrtuar kërkesën e depozituar nga organi
i akuzës, një gjë e tillë nuk është realizuar.
Nga burime pranë organit të akuzës
mësohet se Kuvendi ka "injoruar"
kërkesën e tyre dhe nuk ka kthyer
përgjigje në lidhje me fatin e imunitetit të
Harasanit. Të ndodhur para këtyre kushteve,
duke parë që edhe afati kohor është
ezauruar, Prokuroria e Përgjithshme ka
pezulluar hetimet deri në një vendim të
Parlamentit të Shqipërisë. Vetë deputetit,
pas bërjes publike të këtij njoftimi, është
shprehur se akuzat e ngritura ndaj tij, nuk
janë gjë tjetër veçse akuza qesharake të
formuluara nga Kryetarja e Kuvendit,
Jozefina Topalli.
Nuk është hera e parë që Kuvendi vihet
para presionit të organit të akuzës për
të vendosur heqjen e imunitetit të deputetëve
me qëllim hapjen rrugë të
hetimit të tyre. Një vit e gjysmë më parë
kjo gjë është kërkuar për ministrin Basha
dhe ish-ministrin Mediu, të cilët janë nën
hetim për korrupsionin. Ndërsa për deputetin
Hajrulla Paturri, i cili goditi me
grushte një arbitër në fushën e lojës dhe
këtë veprim e pranoi edhe vetë në një konference
për shtyp, këshilli i imunitetit nuk
vendosi për heqjen e imunitetit të tij. Vendimi
u zvarrit nga Kryetarja Topalli më
shumë se tre muaj dhe në bazë të rregullores
nëse brenda kësaj kohe nuk merret
vendimi, atëherë kërkesa bie poshtë
dhe prokuroria është e detyruar të mbyllë
dosjen, pasi nuk mund të hetojë një person,
i cili ka imunitet. I njëjti "skenar" ndodhi
edhe me deputetin Harasani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›