BE, 300 faqe me pyetje për Shqipërinë
Evropa është e lodhur nga zgjerimi dhe tepër e preokupuar për krizën ekonomike që ka pllakosur botën. Aspiratat e qeverisë shqiptare për të bërë brenda qershorit kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat nuk ka gjasa të përkrahen as nga shtete që kanë vuajtur njësoj si në izolimin prej "Perdes së hekurt". Të paktën ky konkluzion doli dje nga fjala e ambasadores çeke në Tiranë, Marketa Fialkova, gjatë një fjalimi të mbajtur para studentëve dhe pedagogëve në universitetin "Aleksandër Xhuvani" të qytetit të Elbasanit. Tryeza ishte organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri dhe kishte të bënte me sfidat e presidencës çeke të Bashkimit Evropian. Ambasadorja preferoi të flasë me tone diplomatike, por u ka mëshuar standardeve që Shqipëria duhet të përmbushë përpara se të pretendojë të hedhë një hap tjetër drejt anëtarësimit në BE. "Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian dhe këtë e pohoj në emër të shtetit tim, që sikurse mban kryesinë e radhës, ka edhe dëshirën e mirë për anëtarësimin e vendit tuaj", pohoi ambasadorja çeke. Por sipas saj, Evropa duket e lodhur ndaj zgjerimit me anëtarë të rinj, pa mohuar këtë përjetim edhe për vetë Çekinë. "Bashkimi Evropian është përballë sfidave të reja, për shkak të krizës ekonomike globale, ndaj edhe po projektohen politika të reja zhvillimi brenda vendeve anëtare dhe po synohet shtrirja e forcimi i marrëdhënieve edhe me shtete të forta në botë në lëmin ekonomik, të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit", shtoi Fialkova. Sipas ambasadores se Republikës Çeke në Tiranë, anëtarësimi i Shqipërisë mbetet shumë i rëndësishëm, sikundër është anëtarësimi në këtë organizëm i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, ajo deklaroi se "Për Shqipërinë janë edhe 300 faqe me pyetje që kërkojnë angazhim serioz të qeverisë dhe politikës shqiptare për t‘u dhënë atyre përgjigje pozitive para se të nisë aplikimi shumë i dëshiruar për anëtarësim në këtë organizëm të rëndësishëm". Ambasadorja nuk ka fshehur admirimin për përpjekjet dhe dëshirën e Shqipërisë për anëtarësimin, duke pohuar se priste nga presidenca e vendit të saj që ta prezantojë Shqipërinë me notat e optimizmit të saj, por edhe me notat "kaluese" të plotësimit të standardeve. Ndërkohë, ambasadorja çeke ka nënkuptuar në fjalën e saj edhe dukurinë e shfaqjeve proteksioniste nga vendet e forta si Franca apo Gjermania në këtë bashkim, por "Slogani ynë si vend kryesues mbetet një Evropë pa kufij", ka deklaruar ajo. Duke iu referuar problemit të liberalizimit të vizave, ambasadorja çeke e ka konsideruar një procedurë teknike që shkon paralelisht me përgatitjet dhe plotësimin e kushteve të vendit kandidatit. Takimi i djeshëm i ambasadores çeke konsistonte ndërkohë edhe me përzgjedhjen e Elbasanit si një ndër shtatë qytetet universitare ku do të ngrihen qendra të informimit evropian. Më pas takimi i ambasadores Fialkova u shoqërua me pyetje-përgjigje nga ana e studentëve të këtij universiteti. Pak ditë më parë, komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se "zgjedhjet në Shqipëri janë kushti kritik kur t‘i vijë koha vlerësimit se sa i gatshëm është vendi për t‘i dhënë statusin kandidat". Në vlerësimin e tij, Shqipëria gëzon perspektivën evropiane me qëllimin përfundimtar të anëtarësimit, gjë që kërkon që në një moment të jetë logjike dhe e natyrshme që Shqipëria të aplikojë për anëtarësim në BE. Por, shtoi ai, ne kemi kritere shumë të qarta për këtë dhe njësoj si në rastin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë vendi duhet të plotësojë kriteret politike, dhe numri një i këtyre është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare. "Konkluzionin nga kjo mund ta nxirrni ju", insistoi Rehn. Sakaq, ministri i Jashtëm çek, Karen Schwarzenberg kishte deklaruar para Rehn se "nëse ju do më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën dhe i bie ziles, e pikërisht në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni aq mikpritës sa do ishit në një moment normal". "Nga kriza ekonomike BE-ja është tashmë si një shpi e mbushur me ujë. Pra nxirrini vetë pasojat e kësaj", tha Schwarzenberg.
Berisha-Basha
Të vendosur për aplikim
Diplomacia shqiptare nuk ka përfillur deri më tani sugjerimin e faktorit ndërkombëtar për të mos u nxituar në aplikimin drejt statusit kandidat në BE. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, iu përgjigj deklaratave të funksionarëve evropianë duke thënë se "tani mund të shtyhet pak, sa të thahet uji, kjo është normale, ne miqtë i mirëkuptojmë, por brenda presidencës çeke ne duam që ta paraqesim". Sakaq, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka insistuar gjithashtu se aplikimi do të kryhet brenda mandatit të presidencës çeke të Bashkimit Evropian. Ekspertët mendojnë se një aplikim i tillë, nëse ndodh, nuk ka gjasa të shqyrtohet përpara vitit të ardhshëm. Kjo nisur nga problemet me të cilat ndeshet vetë Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet që pritet të zhvillohen së shpejti në strukturat drejtuese të unionit.
Berisha-Basha
Të vendosur për aplikim
Diplomacia shqiptare nuk ka përfillur deri më tani sugjerimin e faktorit ndërkombëtar për të mos u nxituar në aplikimin drejt statusit kandidat në BE. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, iu përgjigj deklaratave të funksionarëve evropianë duke thënë se "tani mund të shtyhet pak, sa të thahet uji, kjo është normale, ne miqtë i mirëkuptojmë, por brenda presidencës çeke ne duam që ta paraqesim". Sakaq, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka insistuar gjithashtu se aplikimi do të kryhet brenda mandatit të presidencës çeke të Bashkimit Evropian. Ekspertët mendojnë se një aplikim i tillë, nëse ndodh, nuk ka gjasa të shqyrtohet përpara vitit të ardhshëm. Kjo nisur nga problemet me të cilat ndeshet vetë Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet që pritet të zhvillohen së shpejti në strukturat drejtuese të unionit.