Anëtari i bandës apelon sekuestrimin e pasurive
TIRANE – Avokatët e Afrim Hoxhës, të akuzuarit si anëtar të “Bandës së Lushnjës”, kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për sekuestrimin e një sërë pasurish të klientit të tyre dhe dy vëllezërve të tij. Mbrojtësit Alfred Balla dhe Selfo Dosti kanë apeluar vendimin e Shkallës së Parë, dhënë në 25 shkurt 2010, duke e konsideruar atë të kundërligjshëm dhe të pambështetur në ligj e në prova. Bëhet e ditur se vendimi i Krimeve të Rënda u ka sekuestruar të pandehurit Afrim Hoxhës dhe dy vëllezërve të tij rreth 443 metër katrorë sipërfaqe truall dhe ndërtesë, një kamion, dy autovetura, një motorçikletë dhe një llogari bankare me 1 mijë e 148 euro. Në apelimin e vendimit avokatët pretendojnë se vendimi është marrë në mungesë të tyre. “Gjykimi është zhvilluar vetëm me pjesëmarrjen e prokurorit, duke mos u zbatuar parimi i përfaqësimit me mbrojtës”, pohonin avokatët. Sipas tyre, çështja në ngarkim të pandehurit që ata mbrojnë është ende në gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda dhe ende ndaj tij nuk ka një vendim të formës së prerë. Ndër të tjera argumente, avokatët pretendojnë një fitim të konsiderueshëm të dy vëllezërve të Hoxhës, të arritur nga një biznes i tyre i përbashkët. “Provohet plotësisht dhe bindshëm se pasuritë, veprimtaritë si dhe të drejtat pasurore dhe të ardhurat financiare janë të përligjura, për shkak se janë përfituar në bazë të veprimtarisë private të ligjshme”, pretendohet nga avokatët. Në përfundim mbrojtësit e Hoxhës i kërkojnë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda ndryshimin e vendimit të datës 25 shkurt 2010 të Shkallës së Parë të kësaj gjykate. ar.ba