Shtyhet gjyqi, Aldo Bare: Akuza paguan dëshmitarët
Armand Bajrami
Aldo Bare, i akuzuari si kreu i “Bandës së Lushnjës”, ironizoi dje prokurorinë, kur një nga dëshmitarët e paraqitur në seancë shfaqi pakënaqësi për shtyrjen e gjyqit.Nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit, Bare i tha dëshmitarit të ardhur nga qyteti i Lushnjës, që t’ua kërkonte përfaqësuesve të prokurorisë shpenzimet e udhëtimit. Në batuat e tij me ironi, Aldo Bare përmendi edhe dy dëshmitarët e mbrojtur, të pyetur në seancat e mëparshme. Njëri prej dëshmitarëve të atakuar ishte Gramoz Selmani, i cili tregoi në gjykatë tri vrasje të “Bandës së Lushnjës”, ndërsa dëshmitari tjetër ishte A.Kicja. Seanca e djeshme nuk mundi të zhvillohej normalisht për mungesë të mbrojtësit ligjor të Bares. Në një deklaratë drejtuar gjykatës, avokati Vladimir Meçi pohonte pamundësinë e paraqitjes në seancë për shkak të arsyeve shëndetësore. Gjykata vendosi dje shtyrjen e seancës dhe ftoi në sallë dy dëshmitarët e paraqitur, për t’u njoftuar shtyrjen. Dëshmitarët, të kërkuar nga organi i akuzës, Alfred Gjyla dhe Vebi Arapi, u revoltuan kur mësuan që nuk do të dëshmonin. “Unë nuk vij më në gjykatë. Nuk kam para. Kemi halle të tjera. Një ditë e humbëm. Nuk vij më, vetëm nëse na shoqëron policia. Nuk kam mundësi ekonomike”, u shpreh i nervozuar dëshmitari Gjyla. Ndërkohë që gjykata po i sqaronte detyrimin ligjor dëshmitarit për paraqitjen në seance, pjesë e “debatit” u bë edhe i pandehuri Bare. “Kërkoju lekë atyre zotërinjve”, iu drejtua Bare dëshmitarit, duke bërë me shenjë nga prokurorët e çështjes. “Të të paguajnë ata, siç bënë me A. Kicjen dhe atë ‘Penelopën’”, duke nënkuptuar dy dëshmitarët e mbrojtur, Kicja dhe M. Demiri, të cilët kanë dëshmuar në seancat e mëparshme të këtij procesi. Në vijim gjykata u mori nënshkrim dëshmitarëve për pamundësinë e tyre ekonomike, që më pas t’u mundësonte mbulimin e shpenzimeve të ardhjes së tyre në gjykatë. Procesi në ngarkim të Aldo Bares, i njohur edhe si Alfred Shkurti, në Gjykatën për Krimet e Rënda është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Ndër të tjerë dëshmitarë të paraqitur, që kanë dëshmuar mbi ngjarje për të cilat akuzohet Bare, dy prej tyre gëzonin statusin e “dëshmitarit të mbrojtur”. Prokuroria për Krimet e Rënda akuzon Baren për një sërë veprash të rënda penale, përfshi “vrasjen me dashje”.