Katërfishohet tarifa e dëshmisë së penalitetit
Trazhgim Sokolaj
Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë vendosur të rrisin tarifat e shërbimeve të institucioneve gjyqësore, për të cilat në disa raste është katërfishuar pagesa që duhet të bëhet nga qytetarët. Sipas një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, është caktuar tabela e re të çmimeve për shërbimet që ofrohen nga institucionet gjyqësore përfshi Përmbarimin, Ministrinë e Drejtësisë, gjykatën dhe prokurorinë. Sipas udhëzimit, pagesa për lëshimin e vërtetimit se shtetasi nuk ka pengesa për t’u pajisur me pasaportë është bërë 400 lekë të reja. Ndërkohë 800 lekë të reja bëhet çmimi për lëshimin nga gjykata të çdo kopjeje vendimi e çdo dokumenti tjetër që kërkohet nga qytetarët. I njëjti udhëzim i firmosur nga Bode e Nishani përcakton se pagesa për atë që rëndom quhet dëshmi e penalitetit ose thënë ndryshe “dëshmi e gjendjes gjyqësore”, është rritur në 400 lekë të reja. Deri më tani çmimi për një dëshmi penaliteti ka qenë 100 lekë për prokurorinë dhe 200 lekë për gjykatën. I njëjti udhëzim përcakton se pagesa për dokumentet që tërhiqen nga Ministria e Drejtësisë për legalizimin e akteve të noterisë është 800 lekë të reja. Udhëzimi përcakton se qytetarët që do të kërkojnë vërtetim në prokurori se ndaj tyre nuk është nisur çështje penale, duhet të paguajnë 400 lekë të reja për këtë dokument. Ndërkohë vërtetimi i gjykatës, se ndaj qytetarit nuk zhvillohet proces gjyqësor, sipas udhëzimit ka çmimin e ri prej 400 lekë të reja. I njëjti dokument i firmosur nga dy ministrat, përcakton se për ço kërkesë në gjykatë “për vërtetim fakti”, qytetari duhet të paguajë 800 lekë të reja. Në rast padie për zgjidhje martese, në momentin e dorëzimit të kërkesës, sipas udhëzimit, qytetarët duhet të paguajnë 12 mijë lekë të reja. E kushtueshme akoma më shumë është padia për “pavlefshmëri të veprimeve juridike”, për të cilën Bode e Nishani kanë përcaktuar si tarifë pagesën prej 12000 lekë të reja. Udhëzimi parashikon se qytetari duhet të paguajë 12000 lekë të reja për çdo kërkesë të paraqitur në gjykatë me objekt më shumë se 100.000 lekë. çmime të reja janë vendosur edhe për paditë “për pjesëtim pasurie”, për të cilën në momentin e depozitimit, qytetarët duhet të paguajnë 12 000 lekë të reja. Pagesa prej 800 lekësh të reja është vendosur për ço rast të depozitimit të padive kundër vendimeve të gjykatës, me përjashtim të rasteve kur objekti është për pensionin ushqimor dhe kthimin në punë.