Pengmarrësi i autobusit: Zoti s’i bëri njerëzit njësoj
FIER/ MAJLINDA RAMA
Herë i acaruar dhe herë i qetë, duke mos pranuar të hajë. Kjo është sjellja e pengmarrësit të autobusit të linjës Tiranë-Sarandë që prej momentit të arrestimit mesditën e së martës. Burime nga komisariati i policisë së Fierit tregojnë se orët në izolim Eduart Rexhepi ka shfaqur shenja të paqëndrueshme mendore. Duke bërë pohime të ndryshme për të njëjta gjëra, ai e ka bërë të vështirë për hetuesit marrjen në pyetje. “Zoti i ka bërë njerëzit të gjithë njësoj. Përse disa njerëz duhet të kenë më shumë dhe të tjerë jo. Nuk është e mundur që disa njerëz të mos kenë mundësinë të blejnë as një biletë autobusi”, mësohet të jetë shprehur ai për grupin hetimor. I pyetur mbi qëllimet pse rrëmbeu autobusin, 32-vjeçari është përgjigjur se donte të shkonte drejt kufirit me Greqinë. “U drejtova për në Kakavijë bashkë me autobusin. S’kisha lekë ta blija biletën. Hipa në autobus për të shkuar deri në Kakavijë, nuk doja të bëja asgjë të keqe. U tremba kur pashë flakët dhe tymin. Njerëzit më luteshin që të ndaloja dhe unë e bëra. S’e kuptoj pse u bë kaq e madhe. Drejtësia vihet në vend vetëm me dhunë dhe zotësi”, mësohet të ketë thënë në ambientet e izolimit. Ushqimin e ofruar mësohet se ai nuk e ka ngrënë, duke mos dhënë shpjegim përse. Në të vërtetë zyrtarisht policia e qarkut Fier nuk ka dhënë asnjë version për situatën mendore në të cilën ndodhet autori i pengmarrjes së autobusit me 6 persona brenda. Ndaj tij, pavarësisht deklarimeve, organi i akuzës në Fier ka ngritur dy akuza: atë të heqjes së paligjshme të lirisë dhe shkatërrimit të pronës me zjarr. Pritet që ai të përballet me togat e zeza për të mësuar masën e sigurisë në lidhje me këto akuza, nga ku do të vlerësohet dhe gjendja psikike e tij. Ndonëse familjarët pretendojnë se Rexhepi është i sëmurë mendor, zyrtarisht për gjykatën do të jetë një ekspertizë zyrtare. Marrja peng e një autobusi të linjës Tiranë-Sarandë në një fshat të Ballshit alarmoi opinionin. Të gjashtë udhëtarët që ndodheshin brenda tij në aventurën e tmerrshme 20-minutëshe shpëtuan falë fatit që autobusi i drejtuar nga 32-vjeçari nuk doli jashtë rruge. Flakët e zjarrit që shpërthyen në mjet bënë që pengmarrësi të ndalte autobusin, prej nga zbritën pa lëndime pasagjerët. Policia pohoi pas ngjarjes se mbajtja e frenave të dorës ngritur shkaktoi dhe djegien e disqeve e më pas gomave, duke përhapur zjarrin në të gjithë autobusin.
Nëna: Izolojeni, i dhunshëm
Hatixhe Rexhepi, nëna e 32-vjeçarit tha dje se më mirë të birin ta mbajnë të mbyllur, pas asaj që ndodhi. “E dënoj veprimin që bëri se trembi shumë njerëz të tjerë. Me këtë që bëri, më mirë të qëndrojë i mbyllur e të kujdeset shteti për të, ta mbajë në spital. Edhe ne kemi frikë”, u shpreh dje e ëma. Ajo tregon se në shumë momente Eduarti ishte i papërballueshëm dhe dhunonte familjarët. “Unë dhe vajza nuk mund të parandalonim zemërimin e Eduardit në momente krize. Ne rrinin jashtë derisa lajmëronim fqinjët që të na ndihmonin, pasi ai ishte i papërmbajtshëm”. Familja Rexhepi jeton në Lagjen e Re Patos në gjendje të rëndë ekonomike. E ëma e të arrestuarit për pengmarrje thotë se i biri prej 7 vitesh kishte shfaqur probleme të çekuilibrit mendor. “Sa herë që bëhet keq, sidomos tani që ngrohet koha, ne e mbajmë me ndonjë gjilpërë se ilaçet nuk i pi. Doja ta mbyllnim në spital, po ai nuk bindej dhe ne nuk e çonim dot me zor”.