Vendimi Strasburgut: Policia manipuloi provat për grabitësit
TIRANE - Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë dy shqiptarëve të dënuar për grabitje, duke dënuar shtetin shqiptar me 9600 euro gjobë, që duhet të kalojnë në favor të të burgosurve. Vendimi për ta është shpallur dy ditë më parë, ndërsa Gjykata e Strasburgut ka pranuar faktin se janë manipuluar provat ndaj dy të dënuarve. Sipas kësaj gjykate, gjithçka ka nisur mëngjesin e 31 marsit 2001, kur tre persona të veshur blu dhe të bardhë grabitin një minibus të linjës Tiranë-Kukës. Autorët, të veshur me bluzat bardha me vija blu, nën kërcënimin e dy kallashnikovëve dhe një thike u kanë marrë pasagjerëve paratë e bizhuteritë dhe janë larguar pa shkaktuar viktima. Disa orë pas ngjarjes, policia kontrolloi shtëpitë pranë skenës së krimit, duke përfshirë atë të aplikantit Artur Lika, ku ky ishte gjetur duke drekuar me të atin, vëllain dhe një shokun e tyre të mitur B.L. si dhe të bashkëdënuarin me të, Vladimir Laska. Policia ka pohuar se kontrolli në banesën ku janë kapur dy të dënuarit është bërë pa praninë e avokatit të tyre, por edhe pas kësaj, ata nuk kanë gjetur armët e krimit apo sende dhe para të grabitura. Diku pranë shtëpisë janë gjetur disa granata. Dy të dënuarit kanë pasur veshur bluza të bardha me vija blu, ndërsa bashkë me ta janë shoqëruar në polici edhe personat që po drekonin me ta. Aty janë pyetur pa praninë e avokatit, ndërsa kanë akuzuar policinë se ka manipuluar provat, duke i paraqitur për ballafaqim të veshur me bluza të bardha me vija blu. Po kështu ata janë ankuar në Strasburg, duke pretenduar se janë keqtrajtuar nga policia në momentin e arrestimit dhe gjatë marrjes në pyetje, për t’i detyruar të firmosnin procesverbalet. Më pas Gjykata e Rrëshenit i ka dënuar të dy të rinjtë, ndërsa u ka rrëzuar kallëzimin për dhunë ndaj policëve, duke pretenduar se kishte kaluar afati gjashtëmujor. Vendimi i Faktit ka mbetur në fuqi nga Apeli dhe më pas është refuzuar të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja, ndërsa Strasburgu ka vendosur t’i pranonte kërkesat e tyre. fa.ma.