E Diel, 1 Nëntor 2026

Leja, grabitësi i taksisë mashtron Burgun e Lezhës



TIRANE - Një i burgosur për grabitje, që vuante dënimin në Burgun e “Shën Kollit” në Lezhë, u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Spartak Alia, 24 vjeç, të cilit i kishte mbetur edhe një vit e gjysmë burg për të kryer, ka marrë leje 24-orëshe për të vizituar familjen në Shkodër, por në fakt ka shkelur lejen, duke u arratisur në Tiranë. Pasi janë njoftuar se i dënuari Alia nuk kishte shkuar në destinacionin që pretendonte të ishte Shkodra, autoritetet e burgut kanë lajmëruar Policinë e Lezhës, duke u vënë në lëvizje për arrestimin e tij. Nga hetimet ka rezultuar se 24-vjeçari, i cili kishte kryer 4 vjet e gjysmë burg në Lezhë, nuk kishte kontaktuar me familjarët e tij në Shkodër, por i ndihmuar nga një kushëriri i tij, ka mbërritur në Tiranë dhe është strehuar për disa orë në shtëpinë tij. Ai është dënuar për grabitjen e një taksisti në Tiranë në vitin 2006 dhe tashmë rrezikon të dënohet edhe deri në 7 vjet të tjera. Më 19 tetor të vitit 2006, rreth orës 20:30 në afërsi të Shkollës “1 Maji”, Spartak Alia, Silvi Bajramaj dhe Imran Huti, pasi kanë hipur si pasagjerë në taksinë e Llazo Bullaçit, i kanë kërkuar atij t’i çonte në një hotel. Pasi janë nisur dhe kanë shkuar deri në vendin e quajtur “Gurorja”, Silvi Bajramaj i ka kërkuar taksistit që t’i çonte në Dajt, duke pretenduar se kishin ngatërruar hotelin, por i dëmtuari Bullaçi nuk ka pranuar. Në kthim, tre autorët i kanë kërkuar sërish taksistit që t’i çonte në Sauk dhe pranë karburantit të vjetër, e kanë drejtuar për në Farkë, deri në afërsi të liqenit. Sapo makina ka ndaluar, Silvi Bajramaj i ka fikur kuadrin e makinës, i ka marrë çelësat dhe taksisti ka vrapuar të dalë nga makina, i ndjekur nga tre “pasagjerët”. Fillimisht e kanë goditur Bullaçin me grushte e shkelma e më pas Spartak Alia ka tentuar ta godasë me thikë, por taksisti i ka kapur armën. Më pas, tre autorët i kanë lidhur duart dhe gojën me natriban, në mënyrë që ai të mos bërtiste dhe më pas i kanë marrë 150 mijë lekë të vjetra dhe makinën tip “Benz 200”. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›