E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllai: I sëmurë, me kartelë në Psikiatrik



VLORE – Familjarët e Eduart Rexhepit kanë qenë dje që herë të mëngjes në ambientet e spitalit psikiatrik të Vlorës. Aty kanë tërhequr dokumentacionin që ai ka qenë i shtruar në këtë spital 5 vite më parë, për shkak të problemeve mendore. I vëllai, Spartak Rexhepi tregon mbi sëmundjen e të vëllait, që e konfirmon dhe drejtoresha e Psikiatrikut.
A është i sëmurë vëllai juaj?
Vëllai im ka pësuar një aksident në vitin 2003 me makinën e tij, ku pësoi disa goditje në kokë. Gjatë këtyre viteve ne e kemi vizituar disa herë për shkak të dhimbjes së kokës, deri te mjekët psikiatër, sepse vuan nga një sëmundje e rëndë psikike për shkak të aksidentit. Ai nuk është i aftë të mbajë veten e tij dhe nuk e kuptojmë se si e ka bërë aktin e djeshëm.
Pse e rrëmbye autobusin sipas jush?
Ai ka pasur makinë disa vite, por pas aksidentit jo. Nostalgjia për të drejtuar mjet motorik mund të ketë qenë dhe arsyeja e marrjes së autobusit.
Si e cilësoni këtë akt?
Për mendimin tim ai akt ka qenë i pavetëdijshëm. Unë e kam çuar për kontrolle ndër mjekë dhe ka bërë disa kura me gjilpëra. Në momente të caktuara nuk e kontrollonte dot veten, shpeshherë bëhej dhe i rrezikshëm dhe pse më vonë bëhej pishman.
Ka ndodhur më parë raste të tilla?
Po, ka pasur raste të tilla kur është bërë agresiv. Mund të them se ai ka një pasion të tij, atë të ngarjes së makinave, që është dhe shkaku i marrjes të autobusit.
E mbanit të izoluar në shtëpi Eduartin?
Në ambientet e shtëpisë ai nuk ka qenë i izoluar, sepse nuk ka qenë shumë i rrezikshëm. Avancimi i sëmundjes dhe akti i djeshëm mund të ketë ndodhur për efekt të acarimit të ditëve të fundit. Ai ka qenë më parë i shtruar në Psikiatri për 3 javë dhe diagnoza e thotë qartë që ai është skizofren. Nuk është shtruar herë tjetër, por merrte mjekim sa herë nuk ndihej mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›