E Hënë, 2 Nëntor 2026

Angazhohem në krijimin e kushteve për tregtimin e prodhimeve vendase

04/06/2005  Kandidati i PDS, në Devoll, Rudolf Papa, thekson se përfaqësimi dinjitoz në Kuvend është çështje thelbësore

Kandidati i Partisë Demokracia Sociale, në zonën 87, Devoll, Rudolf Papa, thekson se e rëndësishme për një shtet është që të krijojë kushtet për tregtimin e prodhimeve. Ndaj, ai thekson se një nga prioritetet e tij në mandatin e deputetit do të jetë kjo pikë. Nga ana tjetër, ai shprehet se nuk do të ketë shpenzime të mëdha për fushatën elektorale, pasi nuk është e ndershme që në një shtet të varfër kandidatët të shpenzojnë shuma marramendëse për zgjedhjet.

Si e vlerësoni zonën elektorale dhe çfarë pretendoni nga zgjedhjet e 3 korrikut?

Zona elektorale është një zonë ku zakonisht kanë kandiduar Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, njëkohësisht ka patur dhe një pjesëmarrje të partive të vogla si Partia Socialdemokrate, PBDNJ-ja etj. Në zgjedhjet lokale të para dy viteve, më parë Partia Demokracia Sociale ka dalë me 3.2 për qind të votave, kështu që ambicja është përsëri mazhoritari dhe në proporcional, por, meqenëse, ky i fundit është një mundësi më e madhe për t'u arritur, kuptohet që do të jetë sistemi proporcional në prioritetet e mia. Duke siguruar mbështetjen sa më të madhe të elektoratit, do të mund të kemi dhe vende në parlament me kuota të kënaqshme.

Partia Demokracia Sociale është një parti relativisht e re, si e ka pritur elektorati?

Elektorati na ka pritur mirë, pasi në program vetë partia është në mbështetje të shtresave në nevojë. Përgjithësisht, kjo zonë ka shumë shtresa në nevojë, ashtu si gjithë Shqipëria. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e këtij elektoratit është i zhgënjyer dhe kërkon alternativa të reja, të cilat janë në mbrojtje jo vetëm të interesave të tij, por edhe të një spektri më të gjerë, të një ndryshimi rrënjësor në Shqipëri. Në këtë aspekt, ka një elektorat që është goxha i mjaftueshëm jo vetëm për të arritur kuotat e përfaqësimit, por edhe për t'u bërë faktor imponues dhe në dy faktorët e mëdhenj.

Duket se elektorati kërkon ndryshime, çfarë i ofroni ju dhe ku i bazoni ju platformat tuaja?

Ndryshimi që ne i ofrojmë është përgjithësisht me përfaqësimin dinjitoz, pra në arritjen e asaj që do të ketë një deputet, i cili realisht; së pari, duhet të përmbushë detyrat e tij si deputet me dinjitet për të përcjellë jo vetëm zërin e nevojave të zonës, por edhe për të diktuar me aftësitë e tij personale, në të cilët unë i përkas fushës së drejtësisë me qëllim që të realizojë ligje në funksion të mbrojtjes të të drejtave sociale të shtresave në nevojë, çka nënkupton, e thënë në një gjuhë më moderne, forcimin e institucioneve për mbështetje sociale dhe ligjore.

Cilat janë problemet kryesore të zonës ku ju kandidoni?

Problemet kryesore të zonës elektorale 87 janë njësoj si në të gjithë Shqipërinë, varfëria është prezente dhe atje, por, duke marrë në veçanti karakteristikat dhe resurset që ka kjo zonë është një zonë e orientuar kryesisht në bujqësi dhe blegtori, pra në këtë drejtim kërkon një vëmendje maksimale, që të shfyrtëzohen resurset e saj në mënyrë të efektshme, por edhe si zonë e shquar punëdashëse të arrijë që të justifikohet mundi i tyre. Prodhimet e tyre të konkurrojnë në tregun shqiptar, sepse e meritojnë, qoftë nga cilësia, qoftë nga sasia, e cila mund të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të tregut vendas.

Besoni se e majta do të sigurojë një qeverisje që do të sjellë rritjen ekonomike?

Kjo nuk është një çështje që duhet shqyrtuar. E majta apo e djathta, kjo është një çështje e seriozitetit dhe vëmendjes. Në këtë aspekt, nuk është e vështirë të kuptohet se një rol kyç kanë programet politike të partive që kanë shënjën e barazimit në atë që parathonë gjithmonë. Problemi në diferencat është në atë se çfarë bëjnë. Kështu, në procesin tim individual kjo nuk është as çështje politike, por është çështje e angazhimit dhe e orientimit real, profesional, në këtë strukturë se çfarë duhet nxitur dhe çfarë duhet zhvilluar në këtë zonë, për të mos humbur kohë dhe energji për gjëra teorike, por për t'u futur në gjëra praktike, të cilat janë të mundshme dhe me një rezultat tepër të shpejtë do të ndikojnë qoftë në anën ekonomike të zonës, qoftë dhe në dhënien e një shembulli krejt të ndryshëm, për të gjithë Shqipërinë. Pra, se si mund të ndërtojmë një ekonomi të bazuar në shfrytëzimin e resurseve zonale.

Përballë keni dy parti të mëdha, si i shikoni kandidaturat në garën elektorale?

Natyrisht, përballë tyre ndjehem si një ushtar i ri në betejë, pasi zona gjithë këto vite është dominuar nga dy forcat kryesore, qoftë nga kandidatët e PS-së, qoftë nga kandidatët e PD-së, por, meqenëse kënaqësia nuk është arritur në asnjë rast, atëherë unë shpresoj se do të kem hapësirën time të nevojshme për të treguar se cili jam dhe për të bërë atë që nuk kanë bërë të tjerët.

Ku i mbështesni fondet për të zhvilluar fushatën elektorale?

Kjo është një pyetje që më ngacmon, sepse personalisht jam futur me një ide për një fushatë zgjedhore pa kosto të lartë. Do të duket një veprim jo i drejtë, që në një shtet të varfër, si Shqipëria, ku flitet gjithmonë për shifra të larta të fushatave elektorale, të shoqëruara këto me modele nga më të avancuarat perëndimore. Nuk do të them se këto modele janë pa vlerë, por ato kanë vlerë në vendet e tyre. Unë do të jap shembullin që Shqipëria më tepër sesa të tregojë luks, ka nevojë të tregojë dhe të realizojë komunikim të drejtë me elektoratin. Për këtë, dua të them se kostot e mia janë minimale, kryesisht të bazuara në atë kontribut financiar që shteti ka parashikuar për partitë në këtë aspekt dhe çfarë unë personalisht kam siguruar nga të ardhurat e mia personale, si një preson, i cili e vendos veten në një nivel mesatar për të kontribuar në atë që është më e nevojshme për të realizuar këtë fushatë.

Pse kandidaoni në këtë zonë elektorale?

Unë kandidioj në këtë zonë, sepse me origjinë i përkas kësaj zone. Rrjedh nga një familje, e cila është nga fshati Ziçisht i rrethit të Korçës, natyrisht ky është ngacmimi kryesor që më nxiti për të pranuar ftesën për të kandiduar në këtë zonë.

Z.Rudolf Llazi Papa ka lindur në vitin 1961 dhe rrjedh nga një familje me tradita të shquara patriotike dhe intelektuale me origjinë nga fashati Ziçishti i Devollit, Korçë. Është i martuar me një fëmijë.

Është i diplomuar jurist në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë, me rezultate shumë të larta. Gëzon titullin avokat, dhe aktualisht punon si përgjegjës i Sektorit Juridik pranë Entit Rregullator të Telekomunikacioneve.

Eksperienca e gjatë në punë në pozicione drejtuese dhe të larmishme, i ka dhënë mundësinë e përgatitjes dhe kualifikimeve brenda dhe jashtë vendit dhe si drejtues për nivelet më të larta të kompanive dhe korporatave. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze, italiane dhe greke.

Si rezultat i prirjeve të tij, ka krijuar dhe një profil profesional si gazetar dhe analist politik.

Beson në vlerat e social-demokracisë si alternativa politike më e mirë për ndërtimin e një modeli të ri të shtetit, shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. PDS dhe programin e saj politik e çmon si një mundësi të madhe për zhvillimin e këtyre vlerave. Thirrja e tij drejtuar elektoratit të zonës nr.87 është: “Besomëni dhe më jepni mundësinë që së bashku të punojmë për një jetë më të mirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›