E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS hap fushatën tek "Asllan Rusi"

04/06/2005  Nuk zhvillohet miting në Shesh por do transmetojnë në ekrane të mëdha në qendrat e Tiranës

Kandidatët shoqërohen me 20 të rinj që do të mbajnë foton e Nanos dhe të konkurentëve

Partia Socialiste do të startojë zyrtarisht fushatën elektorale, me një miting në kryeqytete në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", ndërsa deklaron se mbyllja do të jetë në sheshin "Skënderbej". Sot do të prezantohen të gjithë kandidatët për deputet të Tiranës. Mitingu i konceptuar më tepër me ngjyrat e një spektakli do të zhvillohet mbasdite në sallën e pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Organizatorët e fushatës elektorale për kryeqytetin thonë se duke dalë jashtë traditës së partive të tjera, që filluan fushatën me mitingje në sheshin simbol të vendit, kanë vendosur të modernizojnë stilin klasik të veprimtarive politike, duke zhvilluar përgjatë ditëve të fushatës mitingje në salla të mbyllura. E veçanta e këtij mitingu spektakël, sipas organizatorëve, është se do të jenë prezent 100 kandidatët për deputetë të PS-së, të cilët do të jenë të shoqëruar gjithsecili me nga 20 të rinj dhe të reja. 20 të rinjtë për çdo kandidat do të simbolizojnë stafin elektoral të kandidatit dhe do të mbajnë në duar portrete të konkurrentëve si dhe portrete të Kryeministrit Fatos Nano. Prezantimi i kandidatëve për deputetë të Tiranës do të shoqërohet me një fjalim politik të Kryeministrit, njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, Fatos Nano. Mitingu do të ketë elementë të theksuara të spektaklit, të cilat do të shfaqen në ekrane televizivë të shpërndarë në Tiranë.

Mesazhet

2000 të rinj e të reja, që janë stafet elektorale të 100 kandidatëve do të shpërndajnë mesazhet personale të kandidatëve për këto zgjedhje. Mesazhet do të jenë të shumëllojshme. Fjalitë e stampuara në bluzat e të rinjve, në kapele dhe nëpër posterat që do të jenë të afishuar në çdo skaj të sallës, do të jetë karakteristike për takimin. Mesazhet elektorale do të vijnë dhe nga kryetari i PS-së, Fatos Nano, i cili do të zyrtarizojë fillimin e punës elektorale për 99 kandidatët e tjerë të partisë për të fituar zgjedhjet e 3 korikut. Natyrisht kryefjala e çdo mesazhi do të jetë “Mbro të Ardhmen”. Mitingu, përveç spektatorëve në sallën e pallatit sportiv, do të ndiqet dhe nga mijëra qytetarë të Tiranës, nëpërmejt monitorve gjigandë të vendosur në disa pika kyçe të kryeqytetit.

Ideja

Relizimi i një mitingu në salla të mbyllura, siç është pallati i sportit “Asllan Rusi”, sipas organizatorëve, është preferuar të bëhet për shkak të efekteve dhe mesazheve që kërkohen të përçohen nga moderatorët. Në këtë mënyrë ato shkojnë më mirë te dëgjuesit. Duke argumentuar pyetjen pse një sallë e mbyllur dhe jo sheshi “Skënderbej”, organizatorët shprehen se “Partia Socialiste do të organizojë një miting madhështor përmbyllës për fushatën në një nga sheshet kryesore të Tiranës dhe për të eliminuar zërat se kjo parti nuk mund të mbushë këtë shesh, mjafton të themi se çdo kandidat i PS-së të sjellë në këtë shesh të paktën 100 persona, efekti që krijohet është një shesh i mbushur me njerëz”. Gjithsesi, për organizatorët e mitingut hapës të fushatës, çdo detaj që duhet të dalë në dritë realizohet më bukur në një sallë të mbyllur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›