E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontestimi i rezultatit të votimeve, kurthi që duhet shmangur

04/06/2005  OSBE parashikon se Shqipëria do të kalojë në sistemin zgjedhor proporcional

OSBE i rekomandon Shqipërisë që të rishikojë sistemin zgjedhor në Shqipëri, duke parashikuar kalimin në sistemin proporcional. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, Pavle Vacek shprehet se kurthi më i madh për Shqipërinë do të jetë kontestimi i rezultateve nga humbësit e zgjedhjeve. "Mbi të gjitha, kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve nga humbësit është kurthi më i madh që duhet shmangur. Përgjegjësia është qartazi e partive politike shqiptare dhe udhëheqësve të tyre", thuhet në raportin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që do të paraqitet në Vjenë. Nga ana tjetër është përshëndetur fakti se partitë kryesore kanë rënë dakord që reformën elektorale ta vazhdojnë dhe në të ardhmen. "Reforma e ardhshme mund të përfshijë heqjen dorë nga sistemi zgjedhor maxhoritar", theksohet në raport.

Qëndrimi

Frika që shpreh OSBE për kontestimin e zgjedhjeve, duket se ka lindur nga debatet e ashpra mes partive politike për reformën në Kodin Zgjedhor. Për këtë, Vacek ka paraqitur një raport mbi zhvillimet në Shqipëri. "Në vijim të një marrëveshjeje të arritur më 1 korrik 2004, midis Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë, Prezenca ngriti dhe kryesoi një Grup Ekspertësh Teknikë, me qëllim hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor", sqaron Vacek. Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje në lidhje me përbërjen e KQZ bllokoi punën e GET-it dhe të komisionit të posaçëm deri në arritjen e një marrëveshjeje PS-PD më 14 tetor. "Marrëveshja, e lehtësuar nga Prezenca, parashikonte që një anëtar i KQZ-së të humbiste vendin e tij dhe që anëtari zëvendësues të caktohej nga partia më e madhe e opozitës, PD-ja. Kjo marrëveshje zgjidhi një prej çështjeve më të debatueshme të zgjedhjeve në të shkuarën në Shqipëri dhe i hapi rrugën miratimit të hapave të tjerë në reformën zgjedhore, si paketa ligjore në lidhje me listat e zgjedhësve dhe fillimi i verifikimit dhe regjistrimit të shtetasve". Por, veç këtyre, një tjetër debat ka qenë dhe ndarja e re zonale. Vacek thekson se PD-ja këmbënguli se miratimi i kodit do të kushtëzohej nga rindarja e zonave zgjedhore. Nën patronazhin e Prezencës, u ndërmjetësua një tjetër protokoll midis PS-së dhe PD-së më 30 dhjetor, duke ngritur një tjetër grup ekspertësh, të kryesuar nga Prezenca. Megjithëse harta e re e zonave nuk përmbush plotësisht kriteteret ligjore në një numër të kufizuar zonash, ajo prapëseprapë përbën një përmirësim të ndjeshëm, krahasuar me zonat

zgjedhore në të shkuarën dhe siguron bazat për një konkurrim më të drejtë. Përveç lehtësimit të procesit politik, në themel të reformës së legjislacionit zgjedhor, Prezenca ka dhënë gjithashtu asistencë të mëtejshme teknike për përmirësimin e listave të zgjedhësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut në lidhje me rëndësinë e regjistrimit dhe verifikimit të të dhënave të shtetasve. Kjo është mundësuar nëpërmjet një projekti me përmasa të mëdha, financuar nga Komisioni Evropian (me vlerë 800000 euro). Edhe vendimmarrja e këtyre komisioneve u modifikua për të siguruar një mbarëvajtje të funksionimit të tyre, duke hequr votimin me shumicë të cilësuar, që, megjithëse u fut në vitin 2003 për të forcuar besimin, vërtetoi se krijoi bllokime për shkak të politizimit të komisionerëve. Shumica e cilësuar u ruajt vetëm për KQZ-në dhe vetëm për vendime kyçe në lidhje me shpalljen e rezultatit dhe pavlefshmërinë së zgjedhjeve.

Vacek: Nuk parashikojmë reduktim të stafit apo të mandatit

Prezenca e OSBE-së ka bërë të ditur në qëndrimin më të fundit se nuk do të ketë reduktim të stafit apo të mandatit të saj në vitin e ardhshëm. Një qëndrim i tillë ka ardhur pavarësisht deklaratave të politikanëve shqiptarë, se OSBE duhet të ketë një mandat më të reduktuar, ose të përfundojë misionin në Shqipëri. "Që prej shtatorit të kaluar, Prezenca ka vepruar me një numër punonjësish paksa më të vogël se numri i planifikuar prej 120 vetësh, kryesisht për arsye të vendeve bosh, që nuk mund të plotësoheshin pjesërisht për shkak të mungesës së kandidatëve të kualifikuar dhe pjesërisht për shkak të buxhetit provizor. Buxheti i miratuar i Prezencës për vitin 2005 përfaqëson një ulje neto prej 3,2 % krahasuar me buxhetin e miratuar të vitit 2004.

Pavarësisht nga kjo, vëllimi financiar i veprimtarive të financuara nga buxheti bazë i

Prezencës është rritur pesë herë në krahasim me vitin 2004 (përafërsisht 260 000 euro),

falë edhe kursimeve të bëra në zëra të tjerë të buxhetit. Vëllimi i veprimtarive të projekteve të financuara nga burime jashtëbuxhetore është rritur më tej në vitin 2005.

Nga shuma e përgjithshme 3,8 milionë euro për të gjitha projektet e planifikuara

jashtëbuxhetore, deri tani janë marrë 2,2 milionë euro, një pjesë e të cilave përfshin

financim shumëvjeçar", thuhet në raport. Ndërsa shtohet se Projekti i Prezencës do të orientohet nga mandati dhe kërkesa dhe do të mbështetet te konsultimet e plota me autoritetet përkatëse shqiptare, si dhe në transparencë. "Pas Programit të paraqitur të Prezencës për vitin 2006 qëndron presupozimi i një rritjeje reale të nivelit zero; raporti i përgjithshëm midis kostove programatike dhe atyre operative në buxhet do të ruhet. Prezenca planifikon të ruajë kapacitetin aktual të personelit dhe të ripërshtasë strukturën e saj të zyrave rajonale për të mbështetur gjithnjë e më shumë zbatimin e projekteve të saj në shkallë vendi", përfundon Vacek.

Gjyqësori në nivel të lartë korrupsioni

Korrupsioni në gjyqësor është parë sërish me shqetësimin prej OSBE-së. Në raport thuhet se "sistemi gjyqësor konsiderohet i prekur nga një nivel i lartë i perceptuar korrupsioni, që sjell besim të ulët të publikut te sistemi gjyqësor dhe institucionet që kanë lidhje me të. Duke qenë se një prej mjeteve parësore të luftimit të korrupsionit është transparenca dhe aksesi në informacion". Si pasojë në tetor 2003, Prezenca nisi Projektin për Zhvillimin e Gjykimit të Drejtë, i ngjashëm me nisma të ndërmarra nga misione të tjera të OSBE-së në rajon. Ndërkohë që disa aktorë ndërkombëtarë në Shqipëri janë të përfshirë në ndërtimin e kapaciteteve brenda sistemit të drejtësisë, nëpërmjet trajnimit dhe mbështetjes logjistike, Prezenca është i vetmi aktor që vlerëson sistemin gjyqësor, duke vëzhguar nga afër seancat gjyqësore dhe që jep vlerësime të drejtpërdrejta mbi përmirësimin e tyre. Në shkurt 2005, Prezenca publikoi Raportin e Ndërmjetëm të Projektit për Zhvillimin e Gjykimeve të Drejta, duke u përqëndruar kryesisht në mjediset ku zhvillohet gjyqi dhe problemet logjistike. Megjithëse gjyqtarët në Shqipëri shpesh e njohin mirë ligjin material dhe procedural që rregullon çështjet që shqyrtojnë, ende nuk janë trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështje të etikës gjyqësore, që do t’i ndihmonin gjyqtarët të fitonin njohuri të thella në këtë fushë. Kjo si një pamjaftueshmëri e pranuar para Prezencës edhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Komisioni i Etikës.

Kodi aktual shqiptar i Etikës Gjyqësore nuk parashikon ndonjë mekanizëm që kërkon zbatueshmëri të detyrueshme të tij, duke lënë të paqarta pasojat në rast të shkeljes së tij.

Sistemi gjyqësor konsiderohet i prekur nga një nivel i lartë i perceptuar korrupsioni, që sjell besim të ulët të publikut te sistemi gjyqësor dhe institucionet që kanë lidhje me të.

Numri i viktimave shqiptare, që shfrytëzohen aktualisht në Evropë, mbetet i lartë, duke treguar se Shqipëria është ende një vend origjine për gratë dhe fëmijët e trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar.

Strategjia Kombëtare e Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2001–2004,

hartuar me ndihmën e Prezencës në vitin 2001, është zbatuar pjesërisht nëpërmjet tri

planeve kombëtare vjetore të veprimit.

Mbi të gjitha, kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve nga humbësit është kurthi më i madh që duhet shmangur. Përgjegjësia është qartazi e partive politike shqiptare dhe udhëheqësve të tyre.

Rregullorja e Kuvendit është reformë e rëndësishme

Mbyllja e seancës së fundit të Legjislaturës së 16-të, më 20 maj, për t’i hapur rrugë

fushatës zgjedhore, përbën rastin e duhur për të njohur zhvillimet e rëndësishme në

Kuvendin e Shqipërisë gjatë katër viteve të fundit. Gjatë kësaj kohe, Prezenca ka

zbatuar një projekt me fonde jashtë buxhetit të saj për Modernizimin e Kapaciteteve të

Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, financuar nga Holanda. Megjithëse legjislatura u

hap me bojkotimin e opozitës pas zgjedhjeve të vitit 2001, Kuvendi, që nga ajo kohë,

është bërë gjithmonë e më shumë forumi qendror për shkëmbime dhe debate politike.

Miratimi i Rregullores së Re të Kuvendit në dhjetor 2004, vetëm e ka theksuar këtë

përparim të arritur drejt forcimit të kapacitetit institucional të Kuvendit, duke e bërë atë

një organ më transparent, më operativ dhe më të përgjegjshëm. Prezenca mbështeti

procesin e hartimit të rregullores së re, duke siguruar materiale kërkimore dhe burime

njerëzore, përfshirë konsulentë nga parlamenti finlandez dhe ai evropian. Rregullorja e re parashikon përmirësime thelbësore, për sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, vendimmarrjes në mënyrë bashkëpunuese, autonomisë buxhetore, zhvillimit organizativ dhe transparencës publike. Rregullorja parashikon ndryshime në strukturën dhe personelin e administratës parlamentare, si dhe forcon rolin e saj në planifikim, hartimin e buxhetit dhe mbikëqyrjen administrative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›