E Hënë, 2 Nëntor 2026

Romori Zalla: Duam të “ikim” nga Portokallia

04/06/2005  Për të treguar se janë aktorë të mirëfilltë dhe se publiku s’duhet t’i njohë gjithnjë me batutat e spektaklit të “Portokallisë”, ata vendosën të eksperimentojnë me humor të zi, me tendencë më klasike. Me regji të Gentian Bejkos, pesë aktorë të rinj, Marin Orhanasi, Gentian Zenelaj, Julian Deda, Ervina Kotolloshi, së bashku me aktorin e njohur të skenës së teatrit, Romir Zallën, realizuan për dy netë në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë “Hamleti”. Version totalisht i përmbysur, ku qëllimi ishte teatri i thjeshtë, ai eksperimental. Por, megjithë dyshimin se mund të ngjanin shumë me humorin e spektaklit televiz, komentet nuk kaluan pa vënë në dukje batutat vulg, ato bishta fjalësh që aktori Romir Zalla i justifikon me natyrën e shfaqjes, sepse publiku duhej të njihej dhe me prapaskenat e provave që bëhen nga një trupë teatri, me nervozismin që e shoqëron, ku rrëshqasin sharjet.

“Kjo pjesë erdhi shumë natyrshëm, sepse ideja ishte; duke mos dashur të shkëputemi nga teatri, nga skena, me dëshirën e mirë që të bëjmë një shfaqje teatri paralelisht me “Portokallinë”, paralelisht me natën finale që do të organizohet, paralelisht me përgatitjet për turne, ne punuam dhe nxorëm këtë shfaqje”, thotë Romiri.

Ironi mbi zanatçinjtë e skenës, humor i zi pikërisht duke ç’mitizuar “Hamletin”. Ishit një grup aktorësh të shkëputur nga “Portokallia”, duke realizuar në Teatrin Kombëtar një shfaqje eksperimentale. Nga erdhi kjo ide?

Nuk është çudi, se gjithmonë ka qenë tentativa e regjisorëve dhe aktorëve të rinj, që të bëhemi një grup miqsh e shokësh, në shoqata teatrore, ose siç kemi dëshirë ta quajmë në kompani teatrore (megjithëse funksionojnë ndryshe) për të bërë një shfaqje privatisht me forcat tona, me fatin e mirë, që deri diku të na ndihmojnë dhe sponsorët. Në të kundërt ta realizojmë vetë, pa pagesa, pa kontrata. Në këtë sens nuk ka asnjë çudi. Ndërsa impenjimi ynë në “Portokalli” është individual për gjithsecilin, që kryejnë thjeshtë një punë, e një natyre krejt tjetër nga teatri.

Kjo pjesë erdhi shumë natyrshëm, sepse ideja ishte; duke mos dashur të shkëputemi nga teatri, nga skena, me dëshirën e mirë që të bëjmë një shfaqje teatri paralelisht me “Portokallinë”, paralelisht me natën finale që do të organizohet, paralelisht me përgatitjet për turne, ne punuam dhe nxorëm këtë shfaqje. Ideja lindi natyrshëm. Ishte regjisori Genti Bejko, që kishte dëshirë të vinte këtë pjesë në skenë, që nuk është dramaturgji e mirëfilltë. Faktikisht është një ese komike, që ka shkruar pedagogu britanik Xhejms Mollos, me anë të së cilës ka dashur t’u shpjegojë studentëve të vet diçka rreth “Hamletit”, ka dashur t’ua bëjë sa më të thjeshtë.

Ka dashur t’u tregojë stilin që e ka shkruar Shekspiri “Hamletin”, të zbulojë disa nga pika të dyshimta dhe kyçe të tragjedisë së Hamletit dhe e tëra kjo në një vello ironie dhe sarkazme. Autori, fakti që është britanik, e ka për natyrë që për çdo gjë të gjejë zgjidhje humorin e zi. Është vetë lloji i këtyre shfaqjeve që punohen në vazhdimësi, që edhe kur vihet në skenë punohet, ti je duke e pasuruar, punuar, pasi mbështetet në improvizim, thjeshtë në lojën e aktorëve. Ne këtë e quajtëm thjeshtë lojë aktorësh, dhe nuk i vumë asnjë emër, as komedi, as tragjedi, as kabaret, as farsë etj.

Le të hidhemi te kjo loja individuale, aktoreske. Është një fenomen i veçantë, kur dihet personazhi kryesor në këtë vepër, Hamleti, ndërsa ju patët peshën më të madhe duke u shndërruar në një personazh pothuaj kryesor të pjesës. ǒishte kjo përballje?

Ishte një rol i vështirë për disa arsye. Një nga arsyet ishte që, kjo vlen dhe për trupën, jo vetëm për mua, ne duhet të bënim teatër brenda teatrit. Kjo do të thotë se duke dashur që ta justifikojmë këtë transformim që i bëjmë Hamletit, e kemi vënë në rrethanat e faktit që ai po vihet në skenë nga një grup zanatçinjsh. Dhe, kjo është e huazuar nga një pjesë tjetër e Shekspirit, është skena e famshme e zanatçinjve në “Ëndërr e një nate vere”. Është një rrethanë absurde kjo vendosje e Hamletit. Mirëpo kjo na vuri përpara faktit të kryer, që ne si aktor, në kuptimin interpretativ të fjalës, ishim të detyruar të bënim teatër brenda teatrit. Pra, të luanim karakterin e një zanatçiu, i cili luan karakterin e një prej karaktereve të pjesës së Hamletit.

Duke qenë teatër brenda teatrit, ku dhe vetë Hamleti luan teatër, bëhen tre teatër brenda, duke na detyruar që një pjesë ta kthejmë në film. Në këtë sens është shumë e vështirë që në një karakter të luash një tjetër brenda një shfaqje. Ndoshta për mua ishte më e vështira se aktorët e tjerë, sepse kisha dhe karakterin e regjisorit të trupës së zanatçinjve dhe të atij të tregimtarit të intrigës së Hamletit, miku i tij i ngushtë, që siç është dhe në orgjinal është i vetmi, i cili mbetet gjallë për të treguar këtë histori. Intensiteti i shfaqjes, volumi i tekstit, energjia e konsumuar për të mbajtur gjithë trupën me qenien me dashje apo padashjen time në epiqendër, pasi duhej të ishte Hamleti. Ndodhi e kundërta, sepse Hamleti u vu në grupin e disa zanatçinjve që duan të bëjnë teatër, por që nuk dijnë ta bëjnë siç duhet teatrin klasik, të cilët përpiqen dhe që kanë në krye regjisorin, e interpretuar nga unë.

Grupi i aktorëve të kësaj pjese janë SHBLSH-at e “Portokallisë”, ashtu sikurse dhe ju, u vu re se gjuha e batutave, humorit, gati përputhej me atë spektakël. Në këtë drejtim, a keni ndjerë këtë si konsumimin televiziv që mund të dëmtonte shfaqjen?

Më thënë të drejtën, disa nga dyshimet tona përpara se të dilnim në shfaqje, gati-gati në kufijtë e ngërçit dhe sikletit, ishin pikërisht këto, që të mos tingëllonte si seria e radhës e “Portokallisë”, e zakonshme e një grupi të rinjsh, të cilët tentojnë të bëjnë teatër dhe gjithsesi bëjnë diçka të papjekur mirë. Pa diskutim që rreziku ishte që të përafronte me “Portokallinë”, për hir të faktit të thjeshtë, që fytyrat e atij spektaklit luajnë në këtë shfaqje teatri. Por që në momentin që i mëshuam “aktori i Portokallisë”, që e thamë dhe në tekst të shfaqjes, ishte një moment që e vumë me qëllim për të treguar, nuk e di se si ka mbërritur te publiku, se është tjetër gjë të luash në spektakël televiz dhe është tjetër gjë të tentosh të bësh teatër klasik, të luash “Hamlet”, apo në rastin tonë të bësh një komedi të mirëfilltë në skenën e teatrit. Nuk e di në rastin tonë a u bë shkëputja, a ndryshimi. Nuk e dimë a i shkoi ky mesazh publikut, por, gjithsesi ka qenë në mënyrë absolute dhe kategorikisht e ndaluar për ne, që të dilnim dhe të abuzonim me idenë që jemi aktorët e “Portokallisë” dhe mund të luajmë me publikun si të duam. Është e vërtetë që, ndoshta, në dy-tre momente që teksti lëvizi, në sensin që nuk iu përmbajt tekstit origjinal të Hamletit, që në vazhdimësi u përmendën gjëra që janë në realitetin tonë. Dhe kjo nuk është bërë për të krijuar idenë se ne jemi aktorët e “Portokallisë” dhe këtu jemi në spektaklin e radhës. Por është bërë për një arsye tjetër, dhe kjo është nga pikpamja ideore, që të përpiqemi të ç’mitizojmë personazhet e Hamletit.

Pikërisht, ç’mitizimi i Hamletit nga ato bishtat e fjalëve, në këtë shfaqje janë diskutuar dhe si vulgaritete, ku shikohet tendenca për të përfunduar shpesh në një pikë te seksi, apo tek e shara e rëndomtë... Mos është abuzim me publikun ky?

Ka dhe një shpjegim për këtë, e cila ka të bëjë me realitetin paralel, që ka një shfaqje teatri. Ky realitet është momenti i provave, kur aktorët provojnë që ta nxjerrin këtë shfaqje, kur nuk luhej Hamleti, por kur shkëputej vëmendja nga tragjedia. Në këtë rast është një moment i zakonshëm provash që bëjnë disa njerëz, që quhen aktorë, të cilët në stres e sipër, në nervozizëm “pse jo”? Sigurisht që kjo mund të ketë një pikëpyetje shumë të madhe. Por ne menduam “pse jo”, mund të ketë dhe prishje të gojës, sharje, vulg, sepse ky është një realitet që publiku nuk e njeh. Ai vjen e shikon një shfaqje teatri, por nuk e di se si bëhet një shfaqje e tillë, si organizohet, prodhohet. Ne dolëm në këtë pikë, ku “pse jo” mund të ketë dhe aktorë që nga nervozizmi, nga stresi, ngërçi, nga fakti që nuk e kapin dot rolin “pse jo” dhe shajnë. Absolutisht nuk është bërë me mendimin që të abuzojmë, që të dalim tek ujërat e “Portokallisë”. Por një gjë duhet të jetë e sqaruar mirë te publiku; që “Portokallia” është banale, ky është një opinion i diskutueshëm në kuptimin që brenda këtij spektakli ka një shumëllojshmëri personazhesh, që i përkasin grupmoshave të ndryshme, kategorive të ndryshme, në këtë sens e mira e “Portokallisë” kjo është. Atë personazh që e pëlqej unë, nuk e pëlqen ti, dhe e kundërta, dhe ka humor për të gjithë llojet e njerëzve, profesioneve dhe moshave. Në këtë sens, ajo që është banale për mua nuk është për ty, në pozitat e një publiku të thjeshtë dhe është pak abuzive kur thonë se ai spektakël është banal. Në këtë sens nuk ka të bëjë fare me “Portokallinë” banale me ndonjë asosacion që mund të ketë krijuar shfaqja jonë me ndonjë moment me të ashtuquajturën “Portokalli”.

Por humori banal komentohet gjithnjë si karrem për të tërhequr publik...?!

Absolutisht jo. Në asnjë moment nuk kemi dashur të abuzojmë me faktin se jemi aktorë të “Portokallisë”. Përkundrazi, këtë shfaqje në teatër ne e kemi bërë pikërisht për t’u treguar njerëzve që ne jemi një grup aktorësh profesionistë, aq sa kemi moshë, dije dhe eksperiencë, të cilët, siç bëjnë disa role në një shfaqje televizive që quhet “Portokalli”, me komercialitetin e vet brenda, ashtu dijmë të bëjmë dhe një shfaqje teatri, komedia në skenën e Teatrit.

Si në hyrje, ashtu dhe në mbylljen e komedisë, jeni kapur pas idesë mjaft të ithtë edhe për ju si aktorë, që ka të bëjë me mënyrën se si funksionon teatri këtu, se si blihen rolet, si aktori i ri integrohet, dhe ai që siguron vazhdimësinë... Konkretisht duket sikur prek realitetin tuaj?

Ky përfundim mund të jetë në kuadër të rezultatit të asaj që kemi luajtur ne. Teatri ka një gjë shumë të mirë dhe të keqe njëkohësisht, ai thjeshtë është veprim dhe rezultati i lihet publikut, i cili mund të arrijë në konkluzione të ndryshme. Por nuk do merrem me rezultatin që ka dalë, se sa me idenë që kemi patur për ta sjellë përmes kësaj pjese, me këto momente, që kanë të bëjnë me mënyrën se si organizohet një grup teatror, si financohen, si ndajnë rolet etj. Ajo që donim të shprehnim është pikërisht kjo, që teatri është në krizë jo për faj të aktorëve, regjisorëve, jo për faj të sponsorëve, jo për faj të publikut. Por teatri është në krizë për faj të mungesës së politikave afatgjata për teatrin. Nëse i referohem një llogarie të thjeshtë, p.sh. supozojmë se në vit për teatrin është parashikuar që të harxhohet një shumë lekësh dhe për këto para duhet të punojë një komunitet i tërë njerëzish, për të cilën vetëm një çerek i këtij komuniteti do të ketë fat që brenda këtij viti të thithë këto para.

Përvoja dhe realiteti ka treguar se këto para i takojnë atij që është më i miri, në sensin që ka ndodhur dhe për dy ose tre vite me radhë, apo dhjetë vite, kanë qenë po të njëjtët emra aktorësh, të cilët kanë dalë në skenë dhe kanë punuar. Kjo ka treguar se ata kanë qenë produktive dhe kanë merituar këtë fond parash, që mund të jenë para që vijnë nga shteti, sponsor, raste, apo që e nxjerrë vetë komuniteti, nga xhepi për të bërë art dhe duke mos menduar se do të fitojë me këtë punë. Se çfarë ndodh me pjesën tjetër të komunitetit që nuk kanë fatin, shansin të dalin qoftë në teatër, televizion, film, apo kudo në skenë, ky pastaj është një problem që ka të bëjë me aftësinë dhe paaftësinë, nuk ka të bëjë as me aktorë të vjetër apo të rinj, aktorë të Teatrit Kombëtar apo jashtë tij.

Kush është i aftë arrin të marrë pjesë nëpër projekte dhe punon një ose dy vjet, apo dhe pas dhjetë vitesh. Ajo që ne themi, në rastin konkret, ky grupim i aktorëve, të cilët e thanë me gojë se “po i ndajnë këto role se paratë mbeten brenda nesh”, nuk e kanë jetën të gjatë. Ata do ta bëjnë këtë punë, do t’i ndajnë lekët midis tyre, por duke qenë të paaftë nuk do të kenë shans më të marrin lekë prapë. Kjo ka qenë e gjithë logjika, ironia e asaj që ne tentuam të themi në lidhje me këtë grup aktorësh, të cilët punojnë për të marrë lekë për momentin, por nuk mendojnë në mënyrë afatgjatë për t’i lënë vend vetes, për të qenë në treg. Pra, e gjithë ajo që ndodhi aty ishte një ëndërr, sepse në fund të shfaqjes ne u kthyem prap te skena e parë, dhe mbasi fjetëm të tërë dhe gërhitëm, u zgjuam dhe thamë “se pas dhjetë minutash do mblidhemi që ta bëjmë këtë shfaqje, por lekët ama i kemi ndarë midis nesh”. Në thelb është një grup njerëzish që më shumë kanë dëshirë të bëjnë diçka që të marrin ca lekë, dhe artin e vërtetë nuk e bëjnë kurrë, por vetëm ëndërrojnë. Pra dhe në ëndërr “zanatçinjtë” e teatrit luajnë keq.

Tentuat teatrin e hijes, po ashtu kishit ndërhyrë dhe me video-projeksion, ca si ngarkesë skenike për një shfaqje. Pse kjo zgjidhje?

Teatri i hijeve njihet nga teatri shqiptar. Këtë shfaqje, me sinqeritet ne e realizuam komplet për arsye teknike dhe personale. Kjo është një shfaqje e bërë pa asnjë lloj mbështetjeje, me para të nxjerra nga xhepi ynë. Në këtë sens prandaj u bënë zgjidhje të tipit që nuk ka kostume, një bluzë e zezë me pantallona dhe këpucë të blera te çamët. Ishte një shfaqje pa bufatorira, ishte thjeshtë një perde e bardhë, mbas së cilës ka prapë se çfarë ndodh me aktorët jashtë skenës dhe se si aktorët përpiqeshin të krijojnë këtë magji, që quhet në art, dhe meqë kjo perde ndodhej aty dhe ne luanim me hijet, menduam ta shfrytëzojmë dhe me videoprojeksion. Kjo ndodhi, sepse na bëhej tri herë teatër brenda teatrit. Hamleti vetë ka një shfaqje teatri brenda, ndërkohë që edhe zanatçinjtë janë duke luajtur Hamletin, pra teatër brenda teatrit. Ndaj menduam që këtë shfaqje që po luhej brenda shfaqjes së Hamletit të mos e bënim shfaqje, por film. Ndonëse ky videoprojeksion është pak e ngarkuar e rëndon pak pjesën, por duhet thënë se shfaqja është akoma në fazë pjekjeje. Nuk është absolutisht e përfunduar që do të thotë se ka nevojë për pastrime, qethje, retushime për kopsitje etj., por menduam ta nxirrnim tani, sepse turneu do të na krijonte një shkëputje shumë të madhe. Po ashtu kishim dhe një ide që me këtë shfaqje të mund të marrim pjesë në Festivalin e Butrintit. Gjithsesi nuk e dijmë sepse këtu gjërat lëvizin me sekonda dhe nuk mund të flasim me siguri. Thjesht për ta parë këtë shfaqje komisioni i festivalit ne “u ngutëm” të vinim në skenë. Shpresojmë të mos jemi ngutur aq shumë sa të nxjerrim një gjë të shpejtuar, por u përpoqëm të ishim dinjitozë.

Tani pak i pozicionuar nga roli, në syrin e një aktori, regjisori dhe publiku të rreptë meqë shfaqja ishte pothuaj eksperimentale, cila do të ishte kritika që do t’i bënit trupës?

Vërejtja e parë që dua t’i bëj kësaj shfaqje është që nuk duhet filluar asnjë projekt me duar në xhepa. Teatri ka nevojë për mbështetje. Nuk kërkojmë të bëhemi milioner me teatër, sepse asjnë nuk e ka arritur këtë. Por një mbështetje minimale cdo aktor sado i aftë a i paaftë, e do sepse gjithë stresi shfaqte brenda paralel me grupin tonë. Jo në kuptimin e paaftësisë e këtyre njerëzve që nuk dijnë të bëjnë një shfaqje por në kuptimin e asaj që ne si aktor, me një sy të hollë brenda nesh, do të reflektonim strese të tipit; “u ngjit posteri, nuk u ngjit posteri”, “a të shkoj të ha diçka, sepse duhej ngulur dhe një gozhdë diku”...etj. Duhet patjetër dhe urgjentisht të mos bëhen më shfaqje me punë vullnetare. Është gjëja më e dëmshme që mund t’i bësh teatrit në vetvete. Ne përpiqemi dhe bëjmë sakrifica të tilla, por është e pamundur.

Nga ana artistike ndoshta duhen parë pak projeksionet, sepse janë pak të gjata dhe i japin aritmi shfaqjes. Dy pjesë nga duhen teknikisht për të na dhënë kohë ne, për të na çlodhur, sepse shfaqja është e gjatë.

Nga ana tjetër, them se ndoshta i duhet kushtuar më shumë fabulës së Hamletit se sa ç’ndodh me zanatçinjtë. Sepse kam përshtypjen se deri diku prap nuk është përftuar intriga e Hamletit, ndërkohë që e gjithë ideja është që t’jua bëjmë sa më të thjeshtë njerëzve tragjedinë. Jetojmë në shekullin e 21, në epokën e internetit dhe njerëzit nuk kanë kohë të lexojnë më libra. Teatri po shkon drejt këtyre formave eksperimentale për ta bërë çdo gjë të thjeshtë. Njerëzimi po shkon drejt epokës së butonit, për të pasur gjithçka. Teatri ka çudira, dhe ne nuk ia arrijmë dot, qoftë dhe si publik për ta ndjekur. Por ideja është se po shkohet drejt teatrit të prekshëm.

Intervistoi: Violeta Murati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›