E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kompensimi i pronave nuk nis para vitit 2007

04/06/2005  OSBE thekson se janë shkelur të gjitha afatet, ndërsa nuk është përmbushur regjistrimi i pasurive

OSBE shprehet se nisja e kompensimit faktik të ish-pronarëve nuk do të fillojë para vitit 1997. "Kuvendi, së fundi, votoi për shtyrjen për një vit të afateve për paraqitjen e kërkesave, deri në vitin 2006, që do të thotë se shlyerja për pretenduesit e mundshëm nuk do të fillojë para vitit 2007. Megjithatë, ende mbeten shqetësim përmasat e mundshme të detyrimeve shtetërore sipas skemës së kompensimit", thuhet në raportin e OSBE. Një tjetër pikë shqetësuese për Prezencën mbetet regjistrimi i pronave, pasi kjo pikë pengon statistikat për pronat e lira që do të përdoren për kompensimin. "Në lidhje me regjistrimin e pasurisë, Prezenca është duke vepruar me qëllim nxitjen e një transparence më të madhe për të luftuar korrupsionin, duke qartësuar të drejtat e pronësisë. Ky është një hap thelbësor që nevojitet për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe planifikimin afatgjatë të administrimit të tokës. Ai është parakusht për zgjidhjen e pretendimeve për rikthim dhe kompensim, një çështje në të cilën luan rol edhe Prezenca, si dhe për përfundimin e procesit të privatizimit", thekson OSBE. Bëhet e ditur se zbatimi i plotë i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave është penguar nga fakti se shumë afate kohore të parashikuara në ligj janë shkelur. Ndërsa institucionet shqiptare nuk kanë marrë hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimet e tyre. Të vetmin fkat pozitiv OSBE ka parë nisjen e punës nga komisionet vendore. Është vlerësuar se një prej akteve të fundit në zgjidhjen e kësaj çështjeje është miratimi i Metodikës së Propozuar të Vlerësimit të Tokës, përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por tërhiqet vëmendja se para miratimit të kësaj metodike, Prezenca, në bashkëpunim me FMN-në, BB dhe KE, i shprehën Kuvendit shqetësimin e tyre për faktin se nuk ishte ndërmarrë një rishikim i pavarur i metodikës. "Metodika mund të sjellë pasoja të konsiderueshme në buxhet (ndoshta në miliarda euro), duke ndikuar drejtpërsëdrejti në aftësinë e qeverisë për të zbatuar përparësitë e zhvillimit social-ekonomik të vendit për vitet në vijim", thekson OSBE.

Zgjidhja

Në fund të vitit 2004, gjatë hartimit të akteve nënligjore përkatëse, u bë e dukshme se

një zgjidhje e drejtë dhe e plotë e kthimit dhe kompensimit varet nga të dhëna të qarta të

të drejtave të pronësisë dhe, për rrjedhojë, Prezenca arriti në përfundimin se ligji i

nuk mund të zbatohet si duhet në ato zona, ku regjistrimi i pasurisë nuk ka përfunduar. Zonat kryesore urbane dhe zonat bregdetare mbeten të paregjistruara. Në mars 2005, Norvegjia u angazhua të japë fondet dhe USAID-i dha Prezencës harta të përditësuara satelitore për të vazhduar me Regjistrimin e Parë në zonat e identifikuara urbane dhe bregdetare me përparësi. Veprimtaritë e Regjistrimit të Parë janë caktuar për të filluar nën drejtimin e Prezencës në qershor 2005 dhe të vazhdojnë deri në vitin 2007. Sipas informacionit të dhënë nga Sistemi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Shqipëri ka 3058 zona kadastrale gjithsej. Janë regjistruar 2402, në zonat rurale, 2377 pra 82% prej 2920 zonave; kurse nga 138 zonat urbane janë regjistruar vetëm 25, 18%.

Shqipëria vend origjine për trafikun e grave dhe fëmijëve

OSBE dhe pse evidenton operacione të suksesshme të zbatimit të ligjit kanë ndaluar kalimin e parregullt të kufirit për në Itali me skafe, thekson se sërish Shqipëria mbetet vend i burimit të trafiqeve. "Pavarësisht nga ky përparim, numri i viktimave shqiptare, që shfrytëzohen aktualisht në Evropë, mbetet i lartë, duke treguar se Shqipëria është ende një vend origjine për gratë dhe fëmijët e trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar. Megjithëse mbetet një vend tranzit për njerëzit e trafikuar, ndonëse në numra më të vegjël, trafikimi i brendshëm po bëhet një shqetësim në rritje", thuhet në raport. Si kudo, numri i rasteve të dokumentuara, i cili është rreth disa qindra, besohet të jetë veçse një pjesë e së tërës. OSBE tërheq vëmendjen se "Strategjia Kombëtare e Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2001–2004, hartuar me ndihmën e Prezencës në vitin 2001, është zbatuar pjesërisht nëpërmjet tri planeve kombëtare vjetore të veprimit. Detyra të mbetura pezull, si zbatimi i procedurave të mbrojtjes së dëshmitarëve, si edhe përqasje të reja strategjike janë përfshirë në një Strategji të dytë Kombëtare për periudhën 2005–2007". OSBE bën me dije se Qeveria shqiptare është aktualisht duke hartuar një marrëveshje bashkëpunimi për të krijuar një mekanizëm kombëtar referimi për të gjitha viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.

Nën vëmendje është ligji për median

Në vëmendje të OSBE-së ka qenë dhe zhvillimi në median shqiptare. OSBE thekson se Komisioni parlamentar e pa ligjin për median e shkruar si një mjet për të trajtuar problemet e shumta që has shtypi i shkruar, të cilat kanë çuar në mungesën e besimit tek ajo, tirazhin e saj të ulët, si edhe në një shkallë të lartë varësie nga politika dhe biznesi. "Komisioni e miratoi projektligjin në mars 2005 pas debateve të gjata publike, që u përqëndruan vetëm në një nen, neni 10, për përcaktimin e çmimit minimal referues të shitjes për të gjitha gazetat dhe për të përjashtuar në mënyrë përzgjedhëse disa kompani mediash nga pjesëmarrja në tendera publikë. Votimi i komisionit erdhi pas një ndërhyrjeje të Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, i cili i shkroi Kryetarit të Kuvendit se metodat e përvijuara në nenin e diskutueshëm nuk ishin të përshtatshme për një ligj për median dhe se debati duhet të përqëndrohej në aspekte të tjera të projektligjit “për të pasur një ligj, që do të ishte në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›