Ura- Vajgurore, banorët furnizohen me ujë të ndotur prej 2 vitesh
Rreth 9 mijë banorë të 5 fshatrave të Bashkisë së Urës Vajgurore rrezikohen nga epidemia e ujit të ndotur. Problemi shqetësues ekziston prej 2 vjetësh, por ende nga ndërmarrja e bonifikimit nuk është marrë asnjë masë konkrete për eliminim të defektit që ndot ujin. Janë pikërisht fshatrat Konsebaltë, Pashalli, Mbreshtan, Vokopolë, Poshnjë, të cilët përdorin ujë të ndotur, për shkak të rrjetit të ujërave të zeza që depërton në tubacionin e ujësjellësit.
Ky defekt aktualisht ndodhet në vendburimin në fshatin Pashalli, ku është dhe stacioni i pompimit të ujësjellësit. Çarja e tubacionit të ujësjellësit, bën që brenda tij të depërtojnë ujërat e zeza nga kolektori i kanalit kryesor që shërben për shkarkim të ujërave të kënetës të fshatit Konesbaltë. Frika e banorëve është ripërsëritja e rasteve epidemike si para 1 viti ku rreth 110 persona nga kjo zonë, për shkak të konsumimit të ujit të përzier me fekale, përfunduan me diarre dhe simptoma të rënda në spitalin rajonal të Beratit. Edhe pse banorët janë ankuar që në fillim të këtij fenomeni, prej 2 vjetësh nuk është marrë asnjë masë, ndërsa rritja e temperaturave do të çojë në lindje të një epidemie tjetër. E vetmja përgjigje nga ndërmarrja e bonifikimit dhe institucionet e pushtetit lokal është se ky problem do të zgjidhet sapo të përfundojë shtrimi i një tubacioni tjetër të ujësjellësit që do furnizojë këto fshatra, por ende nuk dihet afati i përfundimit të një projekti të tillë. Në lidhje me këtë problem banorët thanë se e kanë zgjidhur paraprakisht duke blerë ujin e pijshëm ose duke e transportuar nga ujësjellës të fshatrave të tjerë. Ndërsa për gazetën për situatën e rënduar u shprehën se duhet të merren masa dhe mos të zvarritet problemi i ujit të pijshëm pasi sjell seriozisht rrezikun e epidemisë por faktin se banorët e fshatrave e përdorin këtë ujë pavarësisht ndotjes pasi nuk kanë mundësi ekonomike që ta blejnë atë.