E Diel, 1 Nëntor 2026

Vikena Kamenica: Në Falstaff kam një rol sfidues

Vepra është cilësuar si një nga më të vështirat, por dhe të suksesshme në repertorin operistik botëror
Opera komike e kompozitorit Verdi, Falstaff,e ndërtuar mbi veprën e Shekspirit Gratë gazmore të Uindsorit, vjen kësaj here si premierë në skenën e TKOB nga regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili me këtë premierë sjell një prej veprave më të bukura të shkruara nga Verdi. Regjisori Gurakuqi ka disa kohë që i ka nisur provat me artistët e TKOB, por dhe të tjerë artistë të huaj, të cilët së bashku nën drejtimin e Gurakuqit do të sjellin për publikun një prej kryeveprave komike botërore, e cila ka korrur sukses në shumë skena të botës. Një prej roleve kryesore atë të Megut regjisori Gurakuqi i ka besuar zërit të talentuar të skenës operistike mexosopranos Vikena Kamenicës, e cila tregon se Falstaff është një ndër veprat më të bukura të këtij kompozitori, të cilin ajo e quan sfidues. Është një ndër nga veprat më të bukura do të thosha të Verdit, sepse nuk mund ta specifikoj si më e bukura. Është një vepër komike nga ai dhe nuk është se ka eksperimentuar shumë me veprat komike, dhe po flasim për një nga komeditë më të bukura të Shekspirit dhe që ka një lloj virtuoziteti shumë të veçantë Verdian, i cili është gjithmonë shumë sfidues, shumë interesant dhe shumë spektakolar si për vetë artistët ashtu dhe për publikun. Është një sfidë e veçantë për teatrin, për këngëtarët  si dhe një premierë shumë e bukur dhe një gjë e re për gjithë publikun shqiptar, tregon Kamenica. Mezzosopranoja Vikena Kamenica vjen këtë sezon nga Traviata tek vepra e Verdit Falstaff, e cila konsiderohet si një vepër e vështirë në skenën operistike botërore. Ndërkohë përballë kësaj sfide ajo për rolin tregon se: Megi është një rol jo me një protagonizëm shumë të madh dhe shumicën e rasteve gjendet nëpër ansamble, është një nga pjesët më të vështira që këngëtari mund të kalojë e kënduara në ansambël, them që është një rol sfidues. Faziviliteti i këngëtarit është kur këndon vetëm, sepse në momentin që ti varesh nga batuta dhe e kënduara në ansambël këtu qëndron dhe vështirësia e këngëtarit, por edhe sfida që marrin vetë artistët në këtë vepër të Verdit. Regjisori Gurakuqi sërish një tjetër rol i ka besuar tenorit të ftuar nga Bullgaria, Dobromir Tzvetanov, i cili për rolin tregon se: është një personazh shumë interesant. Më pëlqen mënyra e tij e jetesës i cili gjithnjë është në kërkim të aventurave të reja, një jetë që vetëm pi dhe ha, asgjë më shumë. Një jetë e shkujdesur, siç është ajo e Falstafit. Por nga ana tjetër është edhe një person shumë inteligjent e shumë finok. Do të shikoni që ai karakterizohet edhe nga veprime prej Don Zhuani, ndonëse është shumë i shëndetshëm fizikisht, nuk vjen si ata djemtë tipikë Don Zhuanë, si ne i përfytyrojmë, të pastër, bukurosh dhe që kujdesen në maksimum për veten për të rënë sa më shumë në sy të femrave, por është krejt e kundërtave këtë rol. Ndërsa dirigjenti Alqi Lepuri pohon se vepra është një vepër e gjallë dhe me veprim skenik. Veprat e Verdit nuk mund t`i prekësh pasi ai çdo gjë e ka në majën e përsosmërisë, pra çdo gjë e ka të menduar dhe kjo është vepra e tij e fundit, të cilën ai e ka shkruar në moshën 80-vjeçare. Kjo është një opera mjaft e gjallë, që përfshin një veprim skenik, është gjithçka. Edhe pse koha nuk është shumë e gjatë që ne të përgatitemi, pasi duhet një periudhë 2 apo 3 muaj për t`u përgatitur, përsëri ne jemi duke punuar shumë dhe mendoj se do t`i dhurojmë publikut një shfaqje shumë të mirë, tha ndër të tjera dirigjenti Alqi Lepuri.

Falstaff, një ndër veprat më të vështira operistike
Opera Verdiano-Shekspiriane e cilësuar si një nga veprat më të vështira, por dhe të suksesshme në repertorin operistik botëror, do të vihet në skenë për herë të parë në datat 24, 26, 28, 29 dhe 31 maj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë shfaqje do të interpretojnë dhe emra të tjerë të njohur të operës si Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Armand Likaj, Sonila Oshafi, Klodiana Laze, Roel Llupo, Gilmond Myftari, Denis Skura. Gjithçka do të shoqërohet nga tingujt e Orkestrës Simfonike të TKOB, e cila do drejtohet nga dirigjenti Alqi Lepuri Artist i Merituar dhe italiania Gianna Fratta, e cila vjen në këtë opera, si mjeshtre koncertuese. Ndërkohë që, kostumografia i është besuar Sartoria Arrigo dhe të ftuar do të jenë Cengiz Sayin, Dobromir Tzvetanov, Sahap Cuneyt Unsal, Deniz Denozhur dhe Ergys Mita. Regjisori i kësaj shfaqje, Nikolin Gurakuqi, duke e cilësuar këtë vepër si një margaritar, tha se premiera Verdiano-Shekspiriane mund të konsiderohet një ngjarje historike në jetën artistike", duke shtuar se: kam mbi 10 vjet që e njoh këtë vepër dhe prej kohësh e kam ëndërruar vënien e saj në skenë. Sipas regjisorit Gurakuqi Falstaff është një ndër veprat më të bukura që janë realizuar deri më sot. E cilësuar nga kritika botërore si vepra që çeli epokën e shekullit XX, Falstaff do të vijë në skenën shqiptare në një skenografi të realizuar po nga Gurakuqi, i cili pohon që shfaqja do të jetë plot zhdërvjelltësi skenike dhe mizanskena. E gjithë vepra luhet në tempo ritmin alegro vivaçe, gjë e cila kërkon jo vetëm përgatitje të lartë vokale nga interpretuesit, por dhe përgatitje të lartë nga ana aktoriale. Falstaff është një komedi që mbështetet mbi fjalën. Ajo nuk është një vepër e mirëfilltë operistike me numra muzikor të mbyllur, por është e gjitha e bazuar mbi dialogun dhe nuk ka ndarje mes pjesëve. E kompozuar nga Xhuzepe Verdi në vitin 1893, Falstaff pritet të sjellë risi si në konceptimin muzikor, ashtu dhe në libret. Kjo vepër bazohet në komedinë e Shekspirit Gratë gazmore të Uindsdorit, detaj që e bën edhe më të veçantë. Filozofia e shfaqjes shprehet në fund të veprës, kur interpretuesit të revoltuar nga ngjarjet thonë: Çdo gjë në botë është mashtrim, njeriu ka lindur mashtrues, mashtrues, mashtrues! Një tjetër e veçantë e kësaj shfaqjeje është se Falstaff konsiderohet si vepra e fundit e kompozuar nga Xhuzepe Verdi mbi libretin e Arrigo Boitos. Premiera e parë e saj u dha në skenën e teatrit La Scala të Milanos në vitin 1893. Që kur Boito i propozoi Verdit subjektin e ri shekspirian, Falstaff ishte i realizueshëm, pa lodhje, pa dhimbje, deri tek suksesi që rrëmbeu e fundit e mrekullueshme opera e maestros 80-të vjeçar në La Scala. Prej atij momenti opera zuri në mënyrë të qëndrueshme skenat e gjithë botës.

Last Updated on Wednesday, 20 May 2009 14:35

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›