E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezët: Policia prapë blof me kërpin

Shoqata angleze “Partneritet për Rritje”, ka reaguar ashpër vetëm një javë pas arrestimit nga policia shqiptare të kultivuesit të kërpit industrial në Shkodër, Martin Pëllumbi. 

Dashamir Biçaku

Sipas anglezëve ai është arrestuar qëllimisht nga policia shqiptare, në kohën kur pritej t’i jepej dëmshpërblimi prej 130 milionë lekësh, i caktuar nga gjykata për kërpin e korrur gabimisht më parë nga policia. Në një deklaratë të shoqatës angleze të nënshkruar nga kreu i saj Majk Tejlor, cilësohet si një veprim i gabuar arrestimi i Martin Pëllumbit, nga policia dhe Prokuroria e Shkodrës. Anglezët shkruajnë në deklaratë se: “Mbeten të shqetësuar për arrestimin e kreut të Shoqatës së Fermerëve të Shkrelit me akuzën e kultivimit dhe të tregtimit të bimëve narkotike”. Drejtori i “Partneritetit për Rritje”, Majk Tejlor, tha se: “Ne mbështesim çdo lloj aksioni, që ndërmerret për uljen e prodhimit dhe të trafikimit të drogës”. Megjithatë, ai pohoi se në dosjen hetimore në ngarkim të Martin Pëllumbit, nuk ka asnjë provë që e ngarkon atë me përgjegjësi penale. “Në dosje nuk është sjellë asnjë provë e re dhe akuzat ndaj tij, nuk kanë asnjë bazë ligjore”, tha Tejlor. Sipas tij, analizat e kryera nga laboratorët jashtë vendit kanë treguar se, përmbajtja e THC-së e ka përjashtuar bimën e kërpit nga familja e narkotikëve. Përmbajtja e THC-së ka qenë në limitet e lejuara nga autoritetet përkatëse dhe nga ligji.
Reagimi i anglezëve
Dy javë pas arrestimit të Martin Pëllumbit nga policia e Shkodrës me urdhër të Prokurorisë së këtij rrethi, Tejlor dhe Shoqata “Partneritet për Rritje”, e cilësojnë të paligjshëm dhe të pabazuar në ligj dhe në prova arrestimin e biznesmenit shqiptar nga Shkodra. Shoqata angleze ka hedhur dyshimet se momenti i arrestimit të Martin Pëllumbit, lidhet me pagesën e dëmshpërblimit prej rreth 130 milionë lekësh të vjetra, të vendosur nga Gjykata e Apelit në vitin 2004, shumë e cila duhej t’i dorëzohej së fundi të arrestuarit. Dëmshpërblimi u vendos pas procesit gjyqësor të kërkuar nga pala angleze, lidhur me dëmin e shkaktuar nga policia në vitin 2001, gjatë korrjes së kërpit të mbjellë në fshatrat e Shkrelit në Qarkun e Shkodrës. Arrestimi i Martin Pëllumbit, sipas Tejlor, po shkatërron fondet britanike dhe përpjekjet për të krijuar vende të reja pune. Për këtë shkak sipas tij, ata kanë kontaktuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare, dhe përfaqësues të ambasadës britanike të Komisionit Evropian etj. Në fund, shoqata angleze ka kërkuar nga autoritet Shqiptare lirimin e menjëhershëm të Martin Pëllumbit, pasi sipas saj, arrestimi nuk është i bazuar në prova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›