“Rrëmbyesit e Remziut na kërcënuan”
Armand Bajrami
Ish-specialisti i punishtes së biznesmenit Remzi Hoxha, i zhdukur në Tiranë në vitin 1995, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda momentet e rrëmbimit të shqiptaro-maqedonasit, mesditën e 21 tetorit të 14 viteve më parë. Dalip Seferi pohoi se i ka parë personat që morën pronarin, porse nuk kishte fiksuar fytyrën e asnjërit prej rrëmbyesve. Ai dhe punonjësit e tjerë nuk kishin mundur të ndihmonin Remziun në ato momente, pasi njëri nga rrëmbyesit i kishte zmbrapsur duke u drejtuar pistoletën.
Rrëmbimi
Në seancën e djeshme në ngarkim të katër ish-drejtuesve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt, dëshmitari okular tregoi se si biznesmeni ishte rrëmbyer nga strukturat e këtij shërbimi. “Kisha disa kohë që punoja tek Remzi Hoxha, si specialist xhami dhe duralumini. Ditën që e kanë marrë kam qenë aty”, pohoi dëshmitari te Krimet e Rënda. Sipas Dalip Seferit, rreth orëve të pasdites kur po punonin, një kolegu i tij i quajtur Meleq i kishte thënë se disa persona po merrnin pronarin e tyre. “Dera që shikonim në korridor ishte me xham. Një tjetër punonjës më tha që ‘Remziun e morën’. Aty unë pashë Remziun duke dalë jashtë me duar të lidhura mbrapa”, tha ai. Në vijim dëshmitari tregoi se ai dhe punonjësit e tjerë kishin dashur të dilnin të shikonin se ç’po ndodhte, por një pistoletë e drejtuar me grykë nga ata i kishte ndaluar. “Deshëm të dalim dhe të shihnim se ç’po ndodhte, por një person me një pistoletë në dorë na tha ‘asnjëri të mos dalë”, rrëfeu Seferi. Sipas tij, dy personat e kishin futur Remzi Hoxhën në një automjet, të cilit ai nuk i mbante mend as targën, ngjyrën apo tipin dhe ishin larguar. “Më vonë aty erdhën dy persona, vijoi në dëshminë e tij Seferi, që kontrolluan makinën e Remziut”. Sipas dëshmitarit, dy personat kishin marrë çelësat e automjetit te roja i godinës. “Pasi ata kanë kontrolluar makinën e Hoxhës dhe diçka kanë marrë që aty, janë larguar menjëherë me një makinë, të cilën nuk e mbaj mend se çfarë ngjyre kishte”, tha Seferi. Dëshmitari nuk ishte i qartë nëse personat që kontrolluan makinën e pronarit ishin të njëjtët me ata që e morën biznesmenin, pasi të parët ai i kishte parë vetëm me shpinë. Ndërsa ai pohoi se nuk kishte parë të ushtrohej dhunë mbi Remzi Hoxhën.
Kontrolli
Kontrolli i automjetit të Remzi Hoxhës pas rrëmbimit të tij, është bërë prezent në proces disa seanca më parë nga Qerim Cako, ish-oficer i SHIK-ut. Në dëshminë e tij, Cako ka pohuar se ishte urdhëruar nga shefi i tij (Ilir Kumbaro) të kryente një kontroll në makinën e Remzi Hoxhës. “Po zbrisja nga zyra kur vura re se në oborr hyri një makinë e drejtorisë. Kur dola m’u afrua shoferi R. Dedej. Ai më tha se i kishte thënë shefi (Ilir Kumbaro) që do të bëjmë një verifikim makine”, ka treguar ai në sallën e gjyqit të Gjykatës për Krimet e Rënda. Sipas dëshmisë së tij, ata kanë shkuar dhe e kanë gjetur makinën pranë një ndërtese te “Frigoriferi”. Aty ata kanë gjetur vetëm rojën e objektit. Sipas ish-SHIK-sit, në kohën që ai po fliste me rojën, shoferi ka shkuar tek automjeti, ka hapur derën dhe ka marrë diçka në kroskotin e saj. “Në dorë kishte një stekë cigare, një tjetër që ishte përgjysmë dhe një objekt që dukej si portofol”, ka treguar Cako. Më pas ata kanë udhëtuar drejt Kamzës. Atje çdo gjë që kanë gjetur në automjetin e biznesmenit ia kanë dorëzuar dy eprorëve të tyre, një ndër të cilët Ilir Kumbaro.
Ekstradimi, rifillon në Londër, gjyqi për urdhëruesin e rrëmbimit
LONDER – Një gjykatë rifilloi dje procesin për ekstradimin e ish-agjentit të Shërbimit Informativ, Ilir Kumbaro në Tiranë. Pas një ndërprerje 2-mujore, seancat gjyqësore në gjykatën britanike janë rihapur me prezantimin e provave nga palët pjesëmarrëse. Ilir Kumbaro, i akuzuar nga Prokuroria shqiptare si urdhëruesi për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, ra në prangat e policisë gjatë një aksioni të zhvilluar në Londër në tetor 2008. Ai ishte shpallur në kërkim që në vitin 2003, kur dosja e zhdukjes së Remzi Hoxhës u rihap dhe ndaj Kumbaros dhe tre kolegëve të tij u caktuan masa arresti. Policia nuk arriti ta gjente Ilir Kumbaron në Shqipëri, ndërsa u morën të dhëna që tregonin largimin e tij që prej vitit 1996, një vit pasi Remzi Hoxha ishte zhdukur pa gjurmë. Ish-agjenti i SHIK-ut mësohet se ishte vendosur në Angli, ku qëndronte me identitetin e rremë Shaqa Shatri, duke pretenduar se ishte shtetas çek i persekutuar politik në vendin e tij. Ky person u ndalua në zbatim të urdhër-arrestit që Interpoli kishte transmetuar për Ilir Kumbaron, ndërsa i ndaluari pretendon se nuk ka lidhje me të kërkuarin në Tiranë. Për këtë shkak, në gjykatat angleze është hapur procesi, ku shteti shqiptar si pala që e ka shpallur në kërkim, duhet të provojë se i ndaluari është pikërisht personi që kërkohet për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Pala shqiptare ka paraqitur në gjyq disa dokumente të personave të afërt të Ilir Kumbaros, të cilat janë gjetur në banesën e tij në Londër. Ndërkaq, avokati i të kërkuarit pretendon se klienti i tij është shqiptar nga Maqedonia, që ka banuar në Kosovë para vendosjes në Londër. Dje në gjykatën e Londrës ka vazhduar paraqitja e provave nga palët, ndërsa ende nuk është caktuar një datë për shpalljen e vendimit. tr.so
Gjykata thërret 9 dëshmitarë
TIRANE – Dëshmitari i paraqitur ditën e djeshme në seancën gjyqësore në ngarkim të ish-sekretëve, ishte i vetmi nga disa të tillë të njoftuar për t’u paraqitur në Gjykatë. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Idriz Mulkurti, relatoi se disa prej adresave të ofruara nga prokurori nuk kishin rezultuar të sakta. Ndërkohë që prokurori Xhevat Hana kërkoi të bëhet verifikimi i tyre, pasi sipas tij ato janë të sakta dhe se oficerët e Policisë Gjyqësore duhet të mundësojnë sjelljen e dëshmitarëve në gjykatë. Në përfundim, prokurori kërkoi që në seancën e radhës të paraqiten 9 dëshmitarë. Adresat janë bërë disa herë objekt debatesh në këtë proces gjyqësor. Edhe për ish-kreun e SHIK-ut, Fatos Klosi, i cili ka dëshmuar në këtë proces, u deshën disa javë për t’i dorëzuar atij njoftimin e thirrjes në gjykatë. ar.ba