E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni, asnjë mbledhje në dy muaj

• Kur duhet më pak se një muaj për mbarimin e mandatit të tretë kohor, komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje me anëtarët e tij.BLEDAR HOTIAshtu si dhe dy herët e tjera edhe kësaj here fati i punës së komisionit, duket se është i paracaktuar dhe në herën tretë të dështojë. Më 15 mars pritet që mandati i këtij komisioni të skadojë dhe sipas një prej anëtarëve të tij, Petrit Gjoni, "deri më tani nuk kemi zhvilluar asnjë mbledhje". Që prej shtyrjes së mandatit të tretë, klasa politike shqiptare u shpreh e gatshme për të realizuar reformën përpara samitit të NATO-s, që mbahet në muajin prill në Bukuresht të Rumanisë. Ndërsa përgjatë kësaj periudhe duket se takimet mund të jenë zhvilluar vetëm ndërmjet dy bashkëkryetarëve, Kastriot Islamit të PS-së dhe Ilir Rusmalit të PD-së. Ndërkohë duke parë këto dështime të njëpasnjëshme në skenën e veprimit është futur OSBE-ja dhe ODIHR-i, institucione të lëna në harresë fillimisht nga politika shqiptare. Takimet e zhvilluara së fundmi në selinë e OSBE-së në Tiranë, mes zyrtarëve të lartë të ODIHR-it dhe drejtuesve të partive politike kanë sjellë më pas dhe një përçarje mes partive të vogla përballë skemës që po synojnë PS-ja dhe PD-ja për reformën zgjedhore dhe sistemin e ri elektoral. Këto takime duket se do të pasojnë me bllokimin e komisionit, kjo për të shmangur pretendimet e partive të tjera në lidhje me sistemin zgjedhor në vend dhe rritjen e pragut elektoral. Për herë të parë komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore është krijuar më datën 17 maj të vitit të kaluar. Afati i këtij komisioni ishte 3 muaj, por ethet e zgjedhjes së presidentit, lanë në harresë punën e kësaj strukture të posaçme parlamentare. Më pas puna u ndërpre për shkak të mbylljes të sesionit parlamentar. Pas skadimit të këtij afati u mor përsëri vendim për shtyrjen nga muaji shtator, po me të njëjtët anëtarë dhe po me të njëjtët drejtues. Prej mëse shtatë vitesh, Parlamenti përfshihet në realizimin e reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare. Sa herë që janë zhvilluar zgjedhje në Shqipëri, si parlamentare dhe lokale, raportet e ndërkombëtarëve kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme në Kodin Zgjedhor, i cili kërkon votim me një shumicë të cilësuar votash. Por arritja e konsensusit mes PS-së dhe PD-së ka qenë përherë i vështirë, aq sa ndryshimet janë realizuar në momentin e fundit në prag të skadimit të afatit apo të afrimit të datës së zgjedhjeve.Komisionet ndër viteKomisionet për reformën zgjedhore kanë qenë më tepër me frymën bipartizane siç po tenton dhe tani. Dy bashkëkryetarët, të zgjedhurit nga PS-ja dhe PD-ja kanë pasur të drejtën e vetos, pa pyetur partitë e tjera parlamentare. Drejtuesit ndër vite kanë qenë Ruka-Gjana, Sherifi-Gjana, Bufi-Bano dhe së fundi dy bashkëkryetarët Islami-Rusmali, që po qëndrojmë për 9 muaj si drejtues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›