E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezi i infiltruar kapi në Lazarat 500 kg drogë

Një shtetas anglez, i infiltruar nga policia shqiptare, ka porositur sasinë e 500 kilogramëve marijuanë, e cila është kapur tri ditë më parë në afërsi të fshatit Lazarat, në Gjirokastër. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme deklarojnë se çështja ishte nën hetim prej katër muajsh nga Krimet e Rënda. Hetues të kësaj prokurorie përdorën të gjitha teknikat e hetimit, si përgjimet dhe infiltrimet. Fillimisht grupi hetimor "rekrutoi" një shtetas kosovar me banim në Tiranë, i cili mori kontakt me familjen Avduli në Lazarat, duke fituar besimin e tyre. Kosovari arriti të porosiste disa herë lëndë narkotike te Beqir Avduli dhe te nipi i tij, Hasan Avduli. Sasitë ishin rreth 10-20 kilogramë marijuanë. Më pas hyn në "lojë" një shtetas anglez, i cili paraqitet në Lazarat dhe porosit sasinë e 500 kilogramëve hashash. Duke parë lëndën e parë, anglezi u ka thënë dy shqiptarëve se droga duhej të paketohej dhe nëpërmjet malit të transportohet për në Greqi. Nga Porti i Pireut në Athinë, droga do të transportohej më pas në Angli.

Skenari

Një metodë e re infiltrimi është përdorur nga drejtësia shqiptare për të vënë në pranga dy persona që kultivonin hashash. Një shtetas anglez dhe një kosovar janë rekrutuar për të blerë në fshatin Lazarat sasinë e lëndës narkotike. Shtetasi anglez ka marrë instruksione nga hetuesit e çështjes për të negociuar me familjen Avduli për lëndën narkotike. Ai është mësuar nga prokurorët dhe hetuesit se nuk duhej të binte në sy dhe duhej të tregonte itinerarin e lëndës narkotike, me qëllim që të mos vihej re. Duke u ndihmuar edhe nga shtetasi kosovar, ai ka takuar "pronarët" e lëndës narkotike, duke u treguar se marijuana ishte e mirë dhe kishte menduar se lënda narkotike do të shitej menjëherë në shtetin e lindjes. Duke u treguar lazaratasve për njohjet në shtetin helen, anglezi ka bindur Beqir dhe Hasan Avdulin të mbledhin lëndën narkotike. Por, nëpërmjet përgjimit dhe infiltrimit, policia ka mundur të ketë nën kontroll të gjithë sasinë prej 500 kilogramësh lëndë narkotike, e cila ishte destinuar për në Greqi. Të dy, nip e xhaxha, janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Operacioni

Rreth orës 05.00 të ditës së diel, forcat speciale të policisë organizuan operacionin e koduar "Darka jashtë", duke sekuestruar sasinë prej 500 kilogramësh lëndë narkotike. Operacioni u realizua në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, në banesën e Beqir dhe Hasan Avdulit. Mësohet se ata po mbushnin një furgon në pronësi të tyre, me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike marijuanë. Fillimisht policia ka bllokuar një sasi të vogël në furgonin e tyre me targa GJ 7320 A dhe më pas pjesa tjetër më e madhe është bllokuar në katin e parë të shtëpisë së familjes Avduli, e cila shërbente si vend për magazinimin e mallit. Përpara arrestimit të dy personave, oficerët e policisë kanë qëndruar së paku tri net jashtë, ndërsa vëzhgonin lëvizjet e dy personave të arrestuar. Pas bllokimit të saj, hetuesit e antidrogës kanë nisur përpunimin e të dhënave të reja, për goditjen e grupeve të tjera të dyshuara si të përfshira në rrjetin e trafikut të marijuanës nga kjo zonë. Sipas burimeve nga policia, për një periudhë kohe janë mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit Beqir dhe Hasan Avduli, me qëllim kapjen e tyre me mall, si prova më të rëndësishme për çështjen. Oficerët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të Policisë së Shtetit, të cilët prej disa ditësh ndodheshin në Gjirokastër për këtë çështje, janë angazhuar menjëherë, me qëllim kapjen e të dyshuarve. Në operacion kanë marrë pjesë edhe oficerë të policisë së Gjirokastrës, duke bërë të mundur ndalimin e furgonit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›