E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, burg pa afat nipit dhe xhaxhait

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit "burg pa afat" për Beqir dhe Hasan Avdulin. Sipas gjykatës, dy të arrestuarit kanë konsumuar elementet e veprës penale të trafikimit të narkotikëve. Në fillim të seancës, organi i akuzës, duke parashtruar në gjykatë si provë materiale kapjen në flagrancë, si dhe vëzhgimet e përgjimet, i kërkoi gjyqtarit të gatshëm që të lërë në burg të arrestuarit. Ndërkohë, mbrojtja kërkoi nga gjykata një masë më të lehtë. Gjithsesi, gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi masën "burg pa afat". Sipas gjykatës, duke u bazuar te provat e organit të akuzës, në katin e parë të banesës dykatëshe të 44-vjeçarit Beqir Avduli, e cila përdorej prej tij si magazinë, u zbulua dhe një sasi tjetër e konsiderueshme hashashi. Në total, policia bllokoi 500 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë. Droga dyshohet se ka qenë e destinuar për trafik jashtë territorit shqiptar, konkretisht në Greqi, ku më pas do të transportohej në shtetin anglez.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›