E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli 1966: Triumfi i dyshimte i "tre luanëve"

Fation Shehu (Panorama Sport) - Në vitin 1966 Anglia organizon për herë të parë Kupën e Botës. Futbolli kthehet në vendin ku është zbuluar që në fillesat e veta dhe këtij fakti nuk kishte se si t’i mungonin të papriturat e radhës. Dalja nga skena e dy skuadrave dy herë kampione të botës, Brazilit dhe Italisë, ndikoi shumë edhe në triumfin e padronëve të shtëpisë. Të papritura të tjera shënohen në çerekfinale në takimet Angli – Argjentinë dhe RF Gjermane – Uruguai. Në ndeshjen e parë pas 35 minutash lojë dëbohet argjentinasi Ratin, e megjithatë vetëm pas 70 minutash anglezët arrijnë të shënojnë golin e fitores me anë të Hërstit. Kurse në takimin tjetër dëbohen dy uruguaianë që e lehtësojnë fitoren e thellë 4–0 të kundërshtarit. Një Botëror i përfolur për shkak të ndihmës që iu dha vendit organizator nga arbitrat, por gjithashtu u vlerësua loja e bërë nga Anglia, falë talentit dhe klasit të disa prej futbollistëve si Mur, Hërst apo Çarlton.

Eusebio

Po ndoshta të papriturën më të madhe do ta kishte shënuar skuadra e Koresë së Veriut. Kur ajo udhëhiqet 3–0 kundër Portugalisë, të paktë mund të ishin ata që besonin se Euzebio me shokë do të shënonin të paktën katër gola dhe do të fitonin. Po ata shënuan pesë gola, katër nga të cilët me anë të Euzebios. Megjithatë futbollistët e orientit të largët kthehen krenarë në atdhe. Futbolli i tyre i bën të njohur në botë. Kështu pas gjysmëfinaleve, RF Gjermane - B. Sovjetik dhe Angli – Portugali, të fituar me të njëjtin rezultat nga skuadrat e para, arrijmë në finalen anglo-saksone.

Finalja

Një finale që gjithashtu u ndikua nga arbitrat dhe ka të bëjë me një gol që ka mbetur enigmë, nëse ishte apo jo. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2 dhe ndeshje u detyrua të shkojë në shtesë. Gjermania Perëndimore po bënte rezistencë dhe u duk shumë e fortë për t’i hapur rrugë organizatorëve të kompeticionit. Pas një rivaliteti të madh në fushë, heroi i finales, sulmuesi anglez Hërst, shënoi golin e avantazhit 3-2 në minutën e 101-të të lojës. Topi kapi traun dhe më pas ra në tokë. Arbitri zviceran Dinst iu drejtua anësorit Bahramov dhe nuk ishin dakord nëse ishte gol apo jo. Gjithsesi, përfundimi ishte se vendësit kaluan në avantazh dhe kjo çoi në ekstazë të gjithë të pranishmit në stadiumin “Uembli”. Hërst shënoi edhe një herë tjetër në sekondat e fundit, duke finalizuar fitoren 4-2, e cila i dhuroi Kupën e Botës Anglisë.

Mesfushori Bobi Çaltron, ylli
i skuadrës kampione

Në shkurt të vitit 1957, aeroplani ku udhëtonte skuadra e njohur angleze “Mançeter Junajtid” rrëzohet në afërsi të Mynihut. Mbeten të vrarë tetë futbollistë, një pjesë e të cilëve ishin baza e Kombëtares së Anglisë. Por midis tyre ka edhe nga ata që shpëtojnë mrekullisht. Një ndër ta, së bashku me trajnerin Basbi, është dhe Bobi Çaltron, i cili do të jetë një nga protagonistët më të njohur të futbollit anglez të të gjitha kohërave. Lindur në Uashington më 1 tetor 1937, në familjen e një muratori, ai shpejt do të bëhet futbollist. Repertori i tij është tepër i pasur, 606 ndeshje me skuadrën e Mançester Junajtid, 198 gola të shënuar, një kupë kampionati më 1968, kur skuadra e tij mund Benfikën 5 – 1, tre tituj kampionë, një kupë të Anglisë, pjesëmarrës i tre Botërorëve të viteve `62, `66, `70. Është futbollisti më i mirë i Anglisë dhe i Evropës më 1965.

Euzebio, “Këpuca e Artë” e Botërorit

Lindur më 1942 në Mozambik, atëherë koloni portugeze, shkon në Lisbonë dhe menjëherë bie në duart e drejtuesve të Benfikës që i çmojnë të dhënat e tij të shkëlqyera. Kur Euzebio ndahet përfundimisht nga Benfika dhe futbolli më 1973, regjistron 19 gola për ndeshje, rekord i rrallë. Atë vit shënon edhe golin e tij të 1000-të. Është cilësuar si futbollisti nr. 1 i Evropës më 1965. Në Botërorin e vitit 1966 ishte pa diskutim lojtari që ra më tepër në sy. Ishte një nga të paktët lojtarë të Portugalisë që bënin diferencën në fushën e lojës, ndërkohë që doli edhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit, pasi e gjeti rrugën e rrjetës nëntë herë.

Lev Jashin - Lindur më 1929. Nis të luajë futboll më 1945 me skuadrën e qytetit të vogël Tushino. Nga viti 1949–1970 mbron portën e Dinamos së Moskës, ku zhvillon 326 ndeshje dhe fiton 5 tituj kampionë. Është cilësuar 11 herë portieri më i mirë i Bashkimit Sovjetik. Pjesëmarrës i kampionateve botërore të viteve 1958 – 1962. Më 1960 Kampion i Evropës dhe katër vjet më pas nënkampion. Më 1963 fiton “Topin e Artë” si futbollisti më i mirë i Evropës.

Bobi Muri - Më 1966, kur nuk është veçse 25 vjeç, Bobi Muri bëhet kapiten. Lindur në Londër më 1941, Muri do të bëhet futbollisti anglez që ka zhvilluar deri nga viti 1962–1973 108 takime ndërkombëtare. Me skuadrën e tij Uest Ham nis të luajë që në moshën 16-vjeçare. Më 1973 ai zhvillon takimin e fundit me përfaqësuesen angleze kundër Italisë dhe një vit më pas ndahet edhe nga skuadra e Uest Hamit, pasi ka luajtur me ta për 13 vjet 642 takime, duke fituar gjithashtu gjashtë tituj kampionë.

Franc Bekenbauer - Nënkampion në botërorin anglez, i treti në Meksikë, më 1974 do të arrijë apogjeun e tij në botërorin që zhvillohet në atdheun e tij. Madje në Mynih, qytetin ku ka lindur më 1945 dhe me skuadrën e të cilit Bajerni do të luajë që 18-vjeçar e do të fitojë 5 herë titullin kampion kombëtar, tri herë Kupën e Kampionëve të Evropës dhe dy herë “Topin e Artë” si lojtari më i mirë i Evropës. Më 1977 kalon te Kozmosin për tre milionë dollarë.

“Piklet”, u “punësua” një qen për
të gjetur Kupën e Botës

Mes lajmeve të shumta mbi Kupën e Botës, binte në sy edhe ai që një qen me emrin “Piklet”, ishte “punësuar” për të gjetur trofeun e Kupës së Botës, i cili ishte vjedhur prej disa ditësh. Qeni, i specializuar për një gjë të tillë, për shkak të ndjeshmërisë së lartë dhe gjurmimit, ishte ngarkuar të binte në gjurmët e hajdutit. Gjithsesi, si dhuratë për punën që i ishte ngarkuar, ai së bashku me pronarin e tij, u ftuan për të parë finalen e Botërorit në një vend shumë të shtrenjtë të stadiumit dhe madje, ishin të ftuar special në Kupën e Botës, të zhvilluar katër vite më pas në Meksikë, me të gjitha shpenzimet të paguara nga organizatorët e kompeticionit.

Argjentinasi, Incidenti i Ratinit, që ishte
lojtari më i famshëm i kohës

Argjentinasi Antonio Ubaldo Ratin ishte një nga futbollistët më të mirë të Argjentinës në atë periudhë dhe mbi të gjitha, kapiten i ekipit kombëtar. Në ndeshjen kundër vendit organizator, Anglisë, në çerekfinale, ai u bë protagonist i një incidenti, i cili e bëri edhe futbollistin më të famshëm të kohës. Në minutën e 37-të të lojës, arbitri gjerman i takimit, Rudolf Kreitlein, vendosi që ta nxjerrë atë nga fusha e lojës. Në atë kohë nuk kishte kartonë të verdhë apo të kuq, por thjesht merrej vendimi nga gjyqtari dhe transmetohej verbalisht. Por, Kreitlein nuk dinte as anglisht dhe as spanjisht dhe mesfushori argjentinas nuk e kuptoi vendimin e arbitrit duke mos dalë nga fusha e lojës. U deshën rreth dhjetë minuta paqartësi, derisa në fushë erdhi një përkthyes, i cili qartësoi gjithçka. Pas ndeshjes, gjyqtari tha: - “Po më vështronte me kërcënim dhe u ndjeva i fyer, ndaj e nxora nga fusha e lojës”, duke shtangur të gjithë me këtë pretekst të pajustifikueshëm. Gjithsesi, Ratin nuk e priti mirë nxjerrjen nga fusha e lojës. Kur po dilte, ai tërhoqi një flamur të Britanisë në këndin anësor të fushës, i cili irritoi 90 mijë spektatorët në stadiumin “Uembli”. Më pas, kapiteni argjentinas u ul këmbëkryq në tapetin e kuq, i cili ishte vetëm për mbretëreshën e Anglisë, duke detyruar dy policë që ta shoqërojnë atë me forcë. Një incident, që e bëri mesfushorin, futbollistin më të famshëm të asaj kohe.

Mbështetja, Koreja e Veriut pagoi 10
mijë tifozë për skuadrën

Koreja e Veriut ishte surpriza e Kupës së Botës. Askush nuk e kishte menduar se ata do arrinin të kalonin fazën në grupe, kur kishin përballë skuadra shumë të forta si Bashkimi Sovjetik, Italia dhe Kili. Gjithsesi, koreano-veriorët u renditën të dytët, duke lënë pas Italinë dhe Kilin. Në raundin e ardhshëm, ata u mundën me rezultatin 5-3 nga Portugalia. Një nga arsyet e ecurisë së tyre pozitive ishte edhe mbështetja e madhe nga tifozët e pranishëm në Botëror. Qeveria e Koresë së Veriut kishte vendosur të hiqte shpenzimet e rreth 10 mijë tifozëve. Edhe pse ata nuk e pranuan një gjë të tillë, u vërtetua që pagesat ishin bërë në të njëjtën mënyrë. Përkrahja e mijëra tifozëve ndihmoi Korenë e Veriut që të bëhet e para kombëtare aziatike që kalon fazën në grupe në Kupën e Botës.

Braziliani, U organizua një plan
për të dëmtuar Pelenë

Brazili kishte arritur të bëhej një nga skuadrat më të forta të momentit, duke triumfuar edhe në Botërorët paraardhëse. Duke iu trembur dominimit të tyre edhe në Kupën e Botës që po zhvillohej në Angli, çuditërisht Brazili ra në një “grup ferri” kundër skuadrave si Bullgaria, Hungaria dhe Portugalia. Nëse do kualifikoheshin, do kishin përballë Bashkimin Sovjetik ose Italinë. Gjithsesi, kishte gjithashtu një plan për të ndaluar dy yjet kryesorë, Garrinçën dhe Pelenë. Në ndeshjen e parë kundër Bullgarisë, mbrojtësi Zheçev kishte si detyrë që të dëmtonte Pelenë dhe bëri disa ndërhyrje shumë të ashpra ndaj tij, të cilat nuk u penalizuan aspak nga arbitri gjerman, Kurt Tshensher. Pavarësisht kësaj, brazilianët fituan 2-0. Në ndeshjen e dytë kundër Hungarisë, trajneri Visente Feola vendosi të lërë pushim Pelenë, nga frika se e dëmtonin dhe i kushtoi shumë, pasi skuadra e tij u mund me rezultatin 3-1. Më pas, iu desh të luante ndeshjen deçizive ndaj Portugalisë së Eusebios, duke mundur sërish 3-1 dhe s’arriti që të kalojë fazën në grupe. Një zhgënjim i “Seleçaos”, por që nuk e patën të lehtë për të mbijetuar kundër shumë “sulmeve”...

Rezultatet

Grupi 1

Angli–Uruguai 0-0

Uruguai–Francë 2-1
Rosha 26’, Kortes 31’ / De Burguan (P) 15’

Angli–Meksikë 2–0
Çarlton 37’, Hant 75’

Francë–Meksikë 1-1
Hauser 62’ / Borja 48’

Uruguai–Meksikë 0-0

Angli–Francë 2–0
Hant 38’, 75’

1. Angli 2 1 0 4-0 5
2. Uruguai 1 2 0 2-1 4
3. Meksika 0 2 1 1-3 2
4. Francë 0 1 2 2-5 1

Grupi 2

RF Gjermane–Zvicër 5-0
Held 16’, Haler 21’, 77’ (P), Bekenbauer 40’, 52’

Argjentinë–Spanjë 2-1
Artime 65’, 77’ / Pirri 67’

Spanjë–Zvicër 2-1
Sançis 57’, Amansio 75’ / Kuentin 31’

Argjentinë–RFGJ 0-0

Argjentinë–Zvicër 2-0
Artime 52’, Onega 79’

RF Gjermane–Spanjë 2–1
Emerish 39’, Seler 84’ / Fuste 23’

1. RF Gjermane 2 1 0 7-1 5
2. Argjentina 2 1 0 4-1 5
3. Spanjë 1 0 2 4-5 2
4. Zvicra 3 0 0 3 1-9 0

Grupi 3

Brazil–Bullgari 2-0
Pele 15’, Garrinça 63’

Portugali–Hungari 3-1
Augusto 1’, 67’, Torres 90’ / Bene 60’

Hungari–Brazil 3-1
Bene 2’, Farkas 64’, Mezoli 73’ (P) / Tostao 14’

Portugali–Bullgari 3-0
Vutsov 17’ (A), Eusebio 38’, Torres 81’

Portugali–Brazil 3-1
Simoes 15’, Esuebio 27’, 85 / Rildo 70’

Hungari–Bullgari 3–1
Davidov 43’ (A), Mezoli 45’, Bene 54’ / Asparuhov 15’

1. Portugalia 3 0 0 9-2 6
2. Hungari 2 0 1 7-5 4
3. Brazil 1 0 2 4-6 2
4. Bullgaria 0 0 3 1-8 0

Grupi 4
B.Sovjetik–K.Veriut 3-0
Malofejev 31’, 88’, Banishevskij 33’

Itali–Kili 2-0
Macola 8’,Barison 88’

Kili–K.Veriut 1-1
Markos 26’ (P) / Zin 88’

B.Sovjetik–Itali 1-0
Çislenko 57’

K.Veriut–Itali 1-0
Do-Ik 42’

B.Sovjetik–Itali 2–1
Porkujan 28’, 85’ / Markos 32’

1. B.Sovietik 3 0 0 6-1 6
2. Koreja e V. 1 1 1 2-4 3
3. Itali 1 0 2 2-2 2
4. Kili 0 1 2 2-5 1

Çerekfinale
Angli–Argjentinë 1-0
Hërst 78’

RF Gjermane–Uruguai 4-0
Haler 11’, 83’, Bekenbauer 70’, Seler 75’

Portugali–K.Veriut 5-3
Eusebio 27’, 43’ (P), 56’, 59 (P), Agusto 80’ / Zin 1’, Dong-Uon 22’, Sung-Kok 25’

B.Sovjetik–Hungari 2–1
Çislenko 5’, Porkujan 46’ / Bene 57

Gjysmëfinale

RF Gjermane–B.Sovjetik 2-1
Haler 42’, Bekenbauer 67’ / Porkujan 88’

Angli–Portugali 2–1
Çarlton 30’, 80’ / Eusebio 82’ (P)

Për vendin e tretë
Portugali – B.Sovietik 2-1
Eusebio 12’ (P), Torres 89’/ Malofojev 43’

Finalja
Angli–RF Gjermane 4–2
Golat: Hërst 18’, 101, 120, Peters 78’ / Haler 12’, Ueber 89’
Anglia: Benks, Kohen, Uillson, Stajls, Xh.Çarlton, Mur, Boll, Hurst, B.Çalton, Hant, Piters
Trajner: Alf Ramsej
RF Gjermane: Tilkovski, Hëtges, Shnelinger, Bekenbauer, Shulc, Veber, Haller, Zeler, Held, Overat, Emerih
Trajner: Helmut Shoen
Kartonë të verdhë: S’ka
Arbitër: Gotfrid Dienst (Zvicër)
Spektatorë: 93,000

Formacioni më i mirë (4-4-2)
Eusebio (Portugali)
Hërst (Angli)
Koluna (Portugali)
B.Çarlton (Angli)
Bekenbauer (Gjermani)
Simoes (Portugali)
Shnelinger (Gjermani)
Mur (Angli)
Xh.Çarlton (Angli)
Sançis (Spanjë)
Banks (Angli)

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›