Kili 1962: Brazili shkakton termet

(Panorama Sport) - Botërori i vitit 1962 zhvillohet në Kili përfaqësuesja e të cilit do të renditet në vendin e tretë në këtë kompeticion. Favoritët kryesorë janë sërish brazilianët të cilët në fund do ti kënaqen fitores së dytë rresht të Kupës së Botës. Mungesa më e madhe e këtij botërori është Pele i cili dëmtohet që në takimin e parë ndaj Çekosllovakisë. Të papriturën e përbën në këtë botëror pikërisht Çekosllovakia e cila, ashtu si më 1938 arrin në fund, duke pasur si hero jo një portier si Planiçka, por një mesfushor si Mesopusti. Edhe një vend tjetër përfaqësues i futbollit danubian që bën pjesë në bllokun lindor, Jugosllavia, zë vëndin e katërt, pasi mund në çerekfinale skuadrën e fortë të RF Gjermane që vinte në këtë botëror me letrat kredenciale të kampionatit të botës e të fituesit të vëndit të katërt më 1954 dhe 1958. Dështojnë gjatë ndeshjeve në grupe Spanja, e përforcuar nga hungarezi Pushkash, i natyralizuar si spanjoll, Argjentina dhe në çerekfinale edhe Anglia.
Botërori shterpë
Është kampionati më pak spektakolar dhe me më pak gola, ku ikonat si Garrinça, Vava (Brazil), Albert (Hungari), Sançe (Kili), Ivanov (Bashkimi Sovjetik) dhe Jerkoviç (Jugosllavi), arrijnë të shënojnë vetëm nga 4 gola, shumë më pak se Fonteni katër vjet më parë. Por nuk duhet harruar ndeshja Bashkimi Sovjetik–Kolumbi 4–4, ku i madhi Jashin pëson katër gola, ndër të cilët një drejtpërdrejtë nga goditja e këndit. Së fundi, ky kompeticion bëhet i mërzitshëm dhe humbet interesin në Evropë për shkak të largësisë së madhe midis qyteteve të Kilit që shtrihen në territorin e një rripi të gjatë e të ngushtë në brigjet e Oqeanit Paqësor, dy nga pikat më të skajshme, Santiago në veri dhe Arika në Jug që ndodhen 1800 kilometra larg njëri–tjetrit (sa largësia mes Tiranës dhe Berlinit).
Finalja
Finalja Brazil–Çekosllovaki ka vetëm një pikë kulmore, golin e çekut Meopust në 15 minutat e para. Vjen pastaj barazimi i shpejtë i Amarildos që zëvëndësoi Pelenë. Po futbollistët danubianë të drejtuar nga Vitlaçili, dinë të zënë shtigjet në kufijtë e zonës së rreptësisë. Por ajo që i tradhëton është pasiguria e portierit Shroif, i cili i jep mundësi Zitos të shënojë golin e dytë. Pastaj një tjetër gabim i Shroifit dhe Vava shënon golin e tretë. Megjthatë Brazili e meriton plotësisht suksesin në këtë botëror, falë përvojës së mbrojtësve Xhelma e Nilton, që të dy së bashku bëjnë 70 vjeç, por ofrojnë ende siguri, së bashku me Mauron përpara portierit Xhilmar. Frymëzimi i Garrinçës në sulm, vrulli i Amarildos, pjekuria e Didit dhe zgjuarsia e Zagalos nuk janë pak për skuadrën dy herë kampione të Botës, që natyrisht është shumë superiore kundrejt çekosllovakëve.
Kili, Kupa e Botës nën frikën e tërmeteve
Pas vitit 1950, FIFA vendosi të rikthejë kampionatin botëror në Amerikën e Jugut, konkretisht në Kilin e varfër. Një gjë e tillë natyrisht që nervozoi shumë Argjentinën, e cila priste prej kohësh të organizonte këtë kompeticion. Pas këtij vendimi të FIFA-s, shtypi argjentinas filloi një fushatë kundër Kilit dhe zhvillimit të Botërorit nga ana e tyre, duke marrë parasysh situatën e vështirë ekonomike në të cilën gjendej ky vend dhe frika që ekzistonte pas tërmetiti të 22 majit 1960, lëkundja tektonike më e fortë e shekullit të 20-të dhe fakti se një tjetër tërmet të fortë mund të përsëritej në ditët gjatë zhvillimit të Botërorit.
Formacioni më i mirë i Botërorit 1962 (4-4-2)
Gento (Spanjë)
Amarildo (Brazil)
Vava (Brazil)
Haler (RF GJermani)
Garrinça (Brazil)
Masopust (Çekosllovaki)
Voronin (B.Sovjetik)
Zito (Brazil)
Shnelinger (RF Gjermani)
Xh.Santos (Brazil)
Xhilmari (Brazil)
Italia, të kaltrit
nuk reshtin së dështuari
Dy herë kampionët e botës, pas dështimit në Belfast katër vite më parë dhe humbjes së mundësisë për t’u kualifikuar në Botërorin e zhvilluar në 1958-ën në Suedi dhe eliminimit që në fazën e grupeve në turneun e vitit 1954, sivjet arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në Kili. Por Italia nuk resht së dështuari. Pasi siguron të mundë Izraelin (4-2 në Ramat Gan dhe 6-0 në Torino) në eliminatore dhe të fitojë një biletë për këtë botëror, Meaca me shokë janë pjesë e grupit më të vështirë të turneut kilen dhe nuk arrijnë të kalojnë në çerekfinalet e kompeticionit. Italia mundet në ndeshjen vendimtare nga vendasit e Kilit.
Gjykimi, ky Botëror, më
i ashpri i të gjitha kohërave
Botërori i zhvilluar në Kili do të mbahet mend në histori si më i ashpri dhe natyrisht që fajtorët më të mëdhenj për këtë gjë janë gjyqtarët e impenjuar në këtë aktivitet. Sfida e grupit të dytë mes Italisë dhe Kilit vazhdon të mbahet mend si beteja e Santiagos. Pavarësisht se të zotët e shtëpisë ndërhynin në mënyrë të ashpër kundër italianëve, ishin këta që u penalizuan me dy kartonë të kuq pasi ju përgjigjen sulmeve të Kilit. Ndërkohë që Humberto Maskio, për të mos lënë të kaltrit me 8 vetë, qëndroi në fushë për 90 minuta me hundë të frakturuar. Por pavarësisht lojës së ashpër të kilenëve, ishte Brazili ai që gjunjëzoi me klas në çerekfinale Kilin.
4 qytete
pritën ndeshjet e Botërorit 1962 në Kili, Arika, Rankagua, Santiago del Çile dhe Vina del Mar, por të gjithë këta, ndodheshin nga njëri-tjetri në një distancë të konsiderueshme.
89 gola
u regjistruan në 32 ndeshjet e këtij edicioni të Kupës së Botës, për një mesatare prej 2.78 golash për ndeshje. Kjo shifër është më e vogla nëse krahasohet këtu me kompeticionet e mëparshëm.
Brazili si Italia...
Pas Botërorit të fituar në Suedi në vitin 1958, Brazili fiton trofeun e dytë radhazi të Kupës së Botës në Kili në vitin 1962. Dy herë radhazi këtë trofe kishte arritur ta fitonte më parë vetëm kombëtarja e Italisë, pas sukseseve të tyre në vitin 1934 në shtëpinë e tyre dhe kompeticionit të vitit 1938 të zhvilluar në Francë.
Mungesat, nënkampionët e
Suedisë dhe Franca jashtë
Botërori i Kilit jo më kot përkufizohej për atë periudhë si më i mërzitshmi i të gjitha kohërave. Pasi për ta bërë të tillë menduan edhe skuadrat që morën pjesë dhe ato që munguan këtë vit. Kujtojmë se dy mungesa të rëndësishme ishin ato të Francës dhe mbi të gjitha ajo e Suedisë, nënkampiones së botës në Kupën e Botës të zhvilluar në vitin 1958. Ndërkohë, porsa i përket debutueseve, këtë edicion ishte radha e Bullgarisë dhe Kolumbisë për të bërë paraqitjen e tyre në arenat e futbollit ndërkombëtar.
BrazilianiGarrinça këmbëçali
që u bë kampion bote
Manuel Francisko Dos Santos, i mbiquajtur Garrinça, përfaqëson një nga “faqet” më tërheqëse e disi përrallore të futbollit brazilian dhe atij Botëror. Këmbëçalë në vitet e fëmijërisë së tij, për shkak të sëmundjes së poliomielitit, Garrinça nis të luajë futboll në vitin 1953 dhe pesë vite më pas në radhët e përfaqësueses së “Seleçaos” shpallet Kampion i Botës. Në Brazil, ai ka simpatizues fanatikë, pavarësisht se gjatë karrierës së tij ka veshur fanellat e Botafogos, të Korinthiansit dhe të Flamengos. Në kombëtare luajti 41 takime, duke përfshirë edhe botërorët e viteve 1958 dhe 1962. Më 1966 kthehet i zhgënjyer nga Anglia, ku përfaqësuesja verdhejeshile fundoset pas humbjeve tragjike me Hungarinë dhe Portugalinë. Si jo rrallë me të përkëdhelurit e mëdhenj, Garrinça mbetet varfanjak dhe detyrohet t’i drejtohet për ta ndihmuar ekonomikisht shokëve të tij të kombëtares, në mënyrë të veçantë Peles. Për të organizohen takime miqësore dhe të ardhurat financiare shkojnë të gjitha për Manuel Francisko Dos Santosin. Megjithatë gjendja e tij ekonomike nuk përmirësohet...
Amarildo
Trajneri brazilian Moreira ndodhet përballë një të papriture aspak të këndshme, kur sheh se pas dëmtimit në takimin me Çekosllovakinë, Pele nuk mund të luajë më. Dublanti gjendet menjëherë. Ky është Amarildo, i cili gjatë botërorit kilian shënon tri gola. Shkëlqen me Flamengon dhe më pas kalon me Botafogon, ku arrin të jetë dy herë kampion i Brazilit. Nga vitet 1963–1967 luan në Itali me Fiorentinën, duke zhvilluar 137 ndeshje dhe shënuar 32 gola.
Vladimir Beara
Ishte i gjatë 182 centimetra dhe peshonte 79 kilogram, me profesion elektricist dhe kohën e lirë e kalonte duke frekuentuar klubet e vallëzimit. E nis karrierën si futbollist rastësisht me skuadrën e Hajdukut të Splitit, por në harkun e dy viteve bëhet portieri i kombëtares jugosllave. Pasi luan me Hajdukun gjatë viteve 1948–1955, kalon tek Cervena Zvezda. Gjatë botërorit kilian është 34 vjeç e megjithatë mbetet një nga portierët më të mirë të Kupës së Botës.
Omari Sivori
Lindur më 1935 në San Nikolas, qytet 200 kilometra larg Buenos Airesit nga prindër kilenë. Në moshën 17 vjeç është në radhët e River Plejtit. Pastaj vjen radha të luajë në Itali me Juventusin e më pas transferohet te Napoli. Zhvillon në Itali 278 ndeshje duke shënuar 147 gola. Ka luajtur gjithashtu 18 ndeshje me përfaqësuesen e Argjentinës, ku ka shënuar 9 gola dhe 9 ndeshje me kumbëtaren italiane duke shënuar një gol më pak. Është lojtari më i mirë i Evropës më 1961.
Alfredo Di Stefano
Në radhët e Realit të Madridit, ka fituar pesë kupa kampionësh dhe ka shënuar 49 gola. Në vitin 1957 dhe 1959 cilësohet futbollisti më i mirë i Evropës. Po fama e tij njihet mirë kur nis të luajë me River Plejtin. Kalon pastaj te skuadra Milionaris e Bogotasë dhe më 1953, pasi shkëlqen në një turne në Spanjë, blihet nga Reali i Madridit. Pasi merr nënshtetësinë spanjolle, zhvillon 23 takime me skuadrën përfaqësuese të Spanjës, edhe pse këtu nuk shkëlqen ashtu sikurse me Realin.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili