Meksike 1970: Brazili bluan Italinë

Fation Shehu (Panorama Sport) - Deri më 1970 kupa “Zhyl Rime”, e quajtur kështu për nder të nismëtarit të Botërorëve të futbollit, shëtiti në shumë kryeqytete të botës në pritje që të zotërohej tri herë nga e njëjta skuadër. Në ndeshjen finale në Meksikë kjo mundësi iu paraqit Italisë që e kishte fituar me 1934 e 1938 dhe Brazilit me 1958 e 1962. Dhe ja, në finalen e zhvilluar më 21 qershor 1970 midis tyre Brazili mundi Italinë 4-1 dhe e fitoi përfundimisht këtë kupë. Po të mos nxitohemi! Në këtë Botëror për herë të parë mund të ndërrohen lojtarët, qoftë kur dëmtohen, qoftë kur luajnë keq, faktor që bëhet i domosdoshëm po të marrim parasysh se Meksika, e ndodhur më shumë se 2000 m mbi nivelin e detit, ka vështirësi të mëdha aklimatizimi.
Pele
Pas disfatës së aventurës angleze, Brazili i markës së re i kryesuar nga legjendari Pele, me yje të tillë si Gerson, Tostao, Klodoldo, Karlos Alberto, Paulo Cesar e mbi të gjithë Zhairsinjo, është kandidati i parë për të fituar kupën. Nuk mbetet pas dhe RF e Gjermanisë, futbollistët e së cilës kërkojnë të marrin revanshin ndaj humbjes në “Uembli”. Dhe ia arrijnë qëllimit, duke eliminuar në çerekfinale Anglinë. Nga ana tjetër Italia me një gol kundër Suedisë e dy barazime të bardha me Uruguain e Izraelin shpartallon në çerekfinale 4–1 Gjermaninë Perëndimore. Në gjysmëfinale ndodhet dhe Uruguai, pas një goli fantazmë të shënuar me shtesë loje në takimin me B.Sovjetik. Kjo ndodh pas një topi me shumë se një metër, tutje vijës fundore pa u vënë re nga gjyqtari holandez Van Ravers.
Finalja
Në finale ndeshen Brazili dhe Italia. Kur Pele, ende i aftë për të bërë mrekulli, me një goditje të pamëshirshme me kokë pas dialogimit Tostao - Rivelino shënon golin e parë dhe duket se për Brazilin do të nisë një dialogim triumfal. Po pas 20 minutash Boninsenja, duke përfituar nga një keqkuptim midis Klodoldos dhe Feliksit, barazon. Pas pushimit gjithçka bëhet e qartë. Në 68’ minutë, Everaldo fton në aksion Zhairsinjon, i cili ndjek lëvizjet e Gersonit që me të marrë topin me një goditje prepotente me të majtën gjunjëzon portierin italian Albertozi. Tre minuta më pas, këmbim rolesh midis tij dhe tani është Zhairsinjo që shënon golin e tretë. Goli i katërt është një pjesë muzikore i interpretuar me virtuozitet. Klodaldo shkëputet, ndalet, shoqëron me sy galopimin e Zhairsinjos që ia kalon topin Peles, i cili ndjek mbrojtësin Karlos Alberto. Ky e ka shtegun të lirë, pasi Faketi kontrollon për çdo të papritur magjistarin Pele dhe pason një goditje tepër të fortë. Sipari i Botërorit mbyllet kështu 4-1 për Brazilin. Fitore plotësisht e merituar, ndonëse mund të kishte pasur përmasa dhe më të ngushta. Pra, nuk meritonte të fitonte me rezultat kaq të thellë. Brazili pa dyshim kishte një meritë tjetër; zbatimin me sukses të sistemit taktik 4-4-2 që zëvendësoi sistemin 4-3-3, me të cilin anglezët kishin ngadhënjyer në Botërorin e 1966-ës.
2.97
gola për ndeshje ishte mesatarja e Kupës së Botës së Meksikës, duke treguar se ka pasur një prodhueshmëri të lartë dhe se është luajtur një futboll i hapur.
50
mijë e 124 spektatorë për ndeshje ishte mesatarja e shikuesve në stadium gjatë ndeshjeve të Botërorit, ndërsa vetëm në finale pati më shumë se 100 mijë spektatorë në “Azteka”.
10
gola arriti të shënojë sulmuesi i kombëtares gjermane, Gerd Myler, duke fituar edhe çmimin si golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni.
Kombëtarja e Perusë
Kombëtarja e Perusë fitoi çmimin si skuadra më “fair-play” e kompeticionit, duke luajtur një futboll të pastër dhe pa ndërhyrje apo sjellje të parregullta në fushë. Në këtë Botëror u përdorën për herë të parë edhe kartonët, të cilët shërbyen për të evidentuar edhe skuadrat që tregoheshin më të sakta në lojën e tyre.
Xhixhi Riva
Lindur në provincën e Varezes më 1944, Riva është futbollisti më i çmuar i Italisë në vitet `70. Rruga e tij legjendare në futboll nis që në moshën 14-vjeçare, kur braktis mësimet për t’u bërë mekanik që të sigurojë bukën e gojës, aq më tepër që mbetet jetim. Kaljari e blen nga Lenjano. I bëhen oferta të majme edhe nga Juve e Milani, por preferon Kaljarin. Gjatë 12 viteve të karrierës së tij sportive shënon në kampionate 186 gola në 289 ndeshje. Sot është një nga drejtuesit e Kaljarit.
Zep Majer
Majeri me ekipin kombëtar zhvilloi 95 ndeshje. Me Bajernin e Mynihut ka luajtur nga viti 1958, kur ishte 16 vjeç, deri në fund të karrierës së tij, e përgjysmuar për shkak të një aksidenti automobilistik. Me Bajernin zhvilloi 473 ndeshje. Nga Meksika mori me vete një fotografi, ku ruan një kujtim të hidhur. Sapo është shënuar goli i katërt nga Rivera në shtesën e lojës me Italinë dhe Majeri nga dëshpërimi përplas grushtet përtokë, ngaqë Gjermania nuk arriti në finale.
Xhani Rivera
Lindur në 1943 në Aleksandria, Rivera është një talent i parakohshëm në botën e futbollit. Pa mbushur 16 vjeç shfaqet në kategorinë e parë në radhët e skuadrës së qytetit të lindjes. Por më 1960 bëhet simboli i Milanit. Më 1966 fiton “Topin e Artë”. Mbetet i paharruar sidomos në “Vaterlone” të Meksikës, më 1970, ku shënon një gol të shkëlqyer në portën e Majerit, i cili ndihmon në fitoren 4-3 që Italia të kalojë në finale. Me kombëtaren zhvillon 60 takime e shënon 14 gola.
Sandro Macola
Në moshën 17-vjeçare Macola nis të aktivizohet me Interin. Takimin e parë me Kombëtaren italiane e luan me Brazilin më 1963, zhvilluar në Milano. Luan pastaj dhe 69 herë të tjera, duke përfshirë edhe tre Botërorë (66, 70, 74) dhe shënon 22 gola. Me Interin luan 450 takime e shënon 116 gola. Fiton katër tituj kampionesh, dy kupa të kampioneve të Evropës, një kupë ndërkombëtare, dhe më 1965 me 17 gola është golashënuesi më i mirë i Italisë.
Gjysmëfinalja, Itali-Gjermani u cilësua
si ndeshja e shekullit
Kupa e Botës e vitit 1970 ka dhuruar shumë episode dhe ngjarje që nuk mund të harrohen lehtë, mirëpo ajo që ka mbetur gjatë në mendjen e shikuesve është pikërisht ndeshja gjysmëfinale mes Italisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Ajo përballje është cilësuar edhe si ndeshja e shekullit, për shkak të rivalitetit të lartë dhe spektaklit që dhuroi. Italianët kaluan të parët në avantazh, pas vetëm tetë minutash lojë me anë të Boninsenjës. Të dyja skuadrat u munduan të gjejnë sërish rrugën e rrjetës, por të kaltrit bënë një rezistencë të madhe në mbrojtje. Gjithsesi, kur u duk se skuadra e trajnerit Valkarexhi do niste festën e fitores, ishte Karl-Hainc Shnelinger që barazoi në minutën e 90-të dhe bëri që ndeshja të shkojë në kohë shtesë. Askush nuk mund ta harrojë imazhin e Franc Bekenbauerit, i cili luajti me krahë të fashuar, pasi ishin ezauruar zëvendësimet që kishin në dispozicion dhe nuk donte të linte skuadrën e tij me një lojtar më pak. Vetëm katër minuta pasi filloi koha shtesë, Gerd Myleri kaloi në avantazh gjermanët, por Burgnish barazoi 240 sekonda më pas. Të gjithë lojtarët në sulm dhe të gjithë në mbrojtje. Xhixhi Riva kaloi përsëri në avantazh kombëtaren e kaltër, duke gjetur rrugën e rrjetës në të 104-ën, por Gerd Myleri nuk u dorëzua dhe sërish gjeti rrugën e rrjetës, duke e çuar rezultatin në 2-2. U duk si një përballje e përjetshme. Gjithsesi, Xhani Rivera në të 111-ën, 60 sekonda pasi Myleri kishte barazuar, e çoi rezultatin në 3-2. Italia ruan “me shpirt nëpër dhëmbë” rezultatin për minutat e mbetura dhe siguron një biletë për në finale. “Nëse dikush nuk e ka parë këtë ndeshje, ka humbur gjysmën e bukurisë së futbollit”, tha Rivera pas ndeshjes.
Sulmuesi, Zharzinjo, trashëgimtari i
Garrinçës te Brazili
Fillimi i karrierës së tij në skuadrën kombëtare nuk është i lehtë. Më 1966 në Angli luan vetëm dy takime. Por shpërthen në kostelacionin e Brazilit të markës 1970, që në Meksikë fiton për të tretën herë titullin kampion botëror. Është i zhdërvjellët, i furishëm, ndonëse nuk ka shkëputje shpërthyese të Garrinçës në krahun e djathtë. Por mjafton t’i japësh një top të gjatë diagonal, që ai ta zotërojë atë e t’u kallë tmerrin portierëve.
Por katër vjet më pas, në Botërorin gjermano-perëndimor, ylli i tij venitet. Vendos të hidhet në skuadrat evropiane dhe luan me Olimpik Marsejën. Ne maj të vitit 1975 sulmon gjatë ndeshjeve një gjyqtar anësor dhe përjashtohet për një vit. Atëherë kthehet në Brazil, por tashmë si futbollist i rëndomtë.
Televizioni, për herë të parë, ndeshjet
u transmetuan me ngjyra
Botërori Meksikë 1970 është i pari që është transmetuar në televizione me ngjyra. Kualiteti i transmetimit ishte shumë herë më i mirë se në të shkuarën dhe mbi të gjitha ndeshjet transmetoheshin live dhe jo me disa ditë vonesë. Edhe pse ky ishte një hap i madh teknologjik, pjesa më e madhe e teleshikuesve i panë ndeshjet në televizorë bardhezi, pasi në atë kohë ishte luks të kishe televizor me ngjyra. Në fakt, elementi që ndikoi më shumë në rritjen e ndjeshme të popullaritetit të këtij sporti dhe të reklamimit të talenteve ka qenë transmetimi i ndeshjeve në televizor, sepse në atë kohë ndeshjet e Botërorit kishin luksin të transmetoheshin, kurse ato kombëtare liheshin më shumë pas dore.
Rregullorja, për herë të parë u përdorën
zëvendësimet dhe kartonët
Gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës u shtuan edhe dy rregulla mjaft të rëndësishme. Për herë të parë u lejua që të bëheshin zëvendësimet mes futbollistëve dhe i pari që e provoi ishte Bashkimi Sovjetik. Në ndeshjen hapëse kundër Meksikës, Viktor Serebrianikov doli nga fusha e lojës në minutën e 45-të dhe në vend të tij u fut Anatoli Puzak. Po për herë të parë u përdorën edhe kartonët. Në të shkuarën ishin nxjerrë lojtarë nga loja dhe paralajmëruar, por simbolika e përdorimit të kartonëve nuk ekzistonte. Në ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Bashkimit Sovjetik u morën pesë kartonë të verdhë, por gjatë gjithë Kupës së Botës nuk u dha asnjë karton i kuq.
Rezultatet
Grupi 1
Meksikë-B.Sovjetik 0-0
Belgjikë-Salvador 3–0
Van Moer 12’, 54’, Lambert 76’ (P)
B.Sovjetik-Belgjikë 4-1
Bishovets 14’, 63’, Asatiani 57’, Khmelnitski 76’ / Lambert 86’
Meksikë–Salvador 4-0
Valdivia 45’, 46’, Fragoso 58’, Basaguren 83’
B.Sovjetik–Salvador 2–0
Bishovets 51’, 74’
Meksikë-Belgjikë 1–0
Penja 14’ (P)
1. B. Sovietik 2 1 0 6-1 5
2. Meksika 2 1 0 5-0 5
3. Belgjika 1 0 2 4-5 2
4. El Salvador 0 0 3 0-9 0
Grupi 2
Uruguaj-Izrael 2-0
Maneiro 23’, Mujika 50’
Itali-Suedi 1–0
Domengini 10’
Itali-Uruguaj 0–0
Suedi-Izrael 1-1
Spiegler 56’ / Tureson 53’
Suedi-Uruguaj 1–0
Grahn 90’
Itali-Izrael 0–0
1. Itali 1 2 0 1-0 4
2. Uruguaj 1 1 1 2-1 3
3. Suedi 1 1 1 2-2 3
4. Izrael 0 2 1 1-3 2
Grupi 3
Angli-Rumani 1–0
Hërst 65’
Brazil–Çekosllovaki 4–1
Rivelino 24’, Pele 59’, Zharzinjo 61’, 81’
Rumani–Çekosllovaki 2–1
Neagu 52’, Dumitraçe 75’ (P) / Petras 5’
Brazil-Angli 1–0
Zharzinjo
Brazil-Rumani 3–2
Pele 19’, 67’, Zharzinjo 22’ / Dumitraçe 34’, Dembrovski 84’
Angli-Çekosllovaki 1–0
Klark 50’ (P)
1. Brazil 3 0 0 8-3 6
2. Angli 2 0 1 2-1 4
3. Rumania 1 0 2 4-5 2
4. Çekosllovakia 0 0 3 2-7 0
Grupi 4
Peru–Bullgari 3–2
Gajardo 50’, Çumpitaz 55’, Kubilas 73’ / Dermendzhiev 13’, Bonev 49’
RF Gjermane-Marok 2–1
Zeler 56’, Myler 78’ / Humane 21’
Peru-Marok 3–0
Kubilas 65’, 75’, Shale 67’
RF Gjermane-Bullgari 5–2
Libuda 20’, Myler 27’, 52’ (P), 88’, Zeler 67’ / Nikodimov 12’, Kolev 89’
RF Gjermane–Peru 3–1
Myler 19’, 26’, 39’ / Kubilas 44’
Bullgari-Marok 1–1
Zheçev 40’ / Ghazuani 61’
1. RF Gjermane 3 0 0 10-4 6
2. Peru 2 0 1 7-5 4
3. Bullgaria 0 1 2 5-9 1
4. Marok 0 1 2 2-6 1
Çerekfinale
Uruguaj-B.Sovjetik 1–0
Esparrago 116’
Itali–Meksikë 4–1
Penja (A) 25’, Riva 63’, 76’, Rivera 70’ / Gonzalez 13’
Brazil–Peru 4-2
Rivelino 11’, Tostao 15’, 52’, Zharzinjo 75’ / Gajardo 28’, Kubilas 70’
RF Gjermane–Angli 3–2
Bekenbauer 68’, Zeler 76’, Myler 108’ / Maleri 31’, Peters 49’
Gjysmëfinale
Itali-RF Gjermane 4–3
Boninsenja 8’, Burgnih 98’, Riva 104, Rivera 111 / Shnelinger 90’, Myler 94’, 110’
Brazil–Uruguaj 3–1
Klodoaldo 44’, Zharzinjo 76’, Rivelino 89’ / Kubila 19’
Për vendin e 3-të
RF Gjermane-Uruguaj 1–0
Overat 26’
Finale
Brazil–Itali 4–1
Shënues: Pele 18’, Gerson 66’, Zharzinjo 71’, Karlos Alberto 86’ / Boninsenja 37’
Brazili: Feliks, Karlos Alberto, Everaldo, Brito, Piaca, Klodoaldo, Zhairsinjo, Gerson, Tostao, Pele, Rivelino
Italia: Albertozi, Burgniç, Faketi, Bertini (Juliano 73’), Rosato, Çera, Domengini, Macola, Boninsenja (Rivera 84’), De Sisti, Riva
Kartonë të verdhë: S’ka
Gjyqtar: Rudolf Glekner (R.D Gjermane)
Spektatorë: 107,412
Stadiumi: Azteka, Meksiko
Formacioni më i mirë i Botërorit 1970
(4-3-3)
Zharzinjo (Brazil)
Myler (Gjermani)
Pele (Brazil)
Rivera (Itali)
Gerson (Brazil)
Klodoaldo (Brazil)
Macola (Itali)
Faketi (Itali)
Piaca (Brazil)
Bekenbauer (Gjermani)
K.Alberto (Brazil)
Mazurkievicz (Uruguaj)
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili