Angli, ADN-ja shpëton "vrasësin" nga Shqipëria
Oficerët e skuadrës së ekstradimeve në "Scotland Yard" mendonin se kishin goditur në shenjë, duke prangosur një të kërkuar shqiptar për vrasje. Në fakt kësaj radhe, ata kanë dalë blof, pasi testi i ADN-së ka rezultuar në favor të shqiptarit të arrestuar që besohej të ishte Sokol Sinani. Që në momentin e parë të arrestimit, i dyshuari si Sokol Sinani i tha policisë se quhej Ismail Sinani dhe se ishte një qytetar nga Dragashi i Kosovës që kishte fituar nënshtetësinë britanike, pasi kishte kërkuar azil. Për të zbuluar identitetin e vërtetë të shqiptarit të arrestuar u krye testi i ADN-së, pasi në Britaninë e Madhe jetonte Afrim Sinani, vëllai i Sokol Sinanit, bashkautor në vrasjen e ndodhur në një fshat të Kukësit në vitin 1996. Në seancën e fundit gjyqësore të ekstradimit, përfaqësuesi i shtetit shqiptar në këtë proces i tha gjykatës se testi i krahasimit të ADN-së së Afrim Sinanit me atë të personit të arrestuar si i dyshuari Sokol Sinani, rezultoi negativ. Gjykatësja Daphine Wickam, menjëherë ka anuluar mandatin ndërkombëtar të arrestimit, duke lënë të lirë Ismail Sinanin, i cili nën shoqërinë e bashkëshortes ka lënë ambientet e Gjykatës së Ekstradimeve. Burime policore thanë se Sokol Sinani dhe Afrim Sinani janë vëllezër nga i njëjti baba, por me dy nëna të ndryshme, prandaj edhe testi i ADN-së ka dalë negativ.