Pranga shqiptarit të kërkuar nga SHBA-ja
Arrestohet shqiptari i kërkuar nga drejtësia amerikane për trafik makinash. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Uashington, u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shtetasit Françesk Pashko Pashku, alias Fran Malocaj, 32 vjeç, nga fshati Trush i Shkodrës, i cili është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga organet amerikane të drejtësisë. Shqiptari i arrestuar, në vitet 1997-1998 ka qenë i përfshirë në vjedhjen dhe transportin e automjeteve luksoze nga Nju Jork drejt Jacksonville, në Florida të SHBA-së, me qëllim rishitjen e tyre. Për këtë arsye është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet amerikane. Gjykata e Floridës në SHBA ka lëshuar urdhër-arrestin për shtetasin Fran Malocajn, për kryerjen e veprës penale të "Trafikimit të mjeteve motorike".