E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimi për pasaporta, edhe gjatë fundjavave

Sportelet për të aplikuar për pasaporta biometrike do të qëndrojnë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë dhe të diel. Ministria e Brendshme ka informuar opinionin publik se duke filluar nga dje, zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike do të shërbejnë për qytetarët nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes. Zyrat do të jenë të hapura në të gjitha bashkitë dhe komunat e mëdha, me të njëjtin orar, edhe ditën e shtunë dhe të diel. Shërbimi për qytetarët do të ofrohet edhe në datën 31 dhjetor nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Zyrat nuk do të jenë të hapura në datën 25 Dhjetor, që është festa e Krishtlindjeve. Ky shtim i orarit të punës të zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike synon t‘u vijë në ndihmë në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe ndodhen në Shqipëri për festat e fundvitit. Në të njëjtat orare do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë. Marrëveshja për këtë shtim orari u arrit pas negociatave të Ministrisë së Brendshme me kompaninë koncesionare "Aleat". Ministria e Brendshme kërkon angazhimin maksimal në shërbimin ndaj qytetarëve të të gjithë punonjësve të zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të kompanisë "Aleat". Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të gjithë kohën e shërbimit të zyrave përkatëse për të aplikuar dhe për t‘u pajisur me pasaporta biometrike. Pajisja me pasaportën biometrike ju jep në dorë një dokument të standardeve europiane dhe në të njëjtën kohë është kontributi i çdo qytetari shqiptar për të arritur liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›