Dy vëllezër shqiptarë martojnë bashkë fëmijët
Dy vëllezër shqiptarë, emigrantë në Londër, janë dënuar me 6 vite burg në total, pasi ilegalisht martuan fëmijët e tyre me njëri-tjetrin dhe i shtynë të kryejnë marrëdhënie seksuale mes tyre. Kujtim Lleshi, i njohur në Angli me emrin Resmi Lleshi, i tha policisë, se për të shpëtuar vajzën 12-vjeçare nga gjetja e një të dashuri të papërshtatshëm dhe jo mysliman, ra dakord me vëllain, Rexhep Lleshi, ta martonte me djalin e tij. Martesa mes dy kushërinjve të parë ndodhi më 25 mars 2008 në shtëpinë e Rexhep Lleshit, pasi sipas tyre ata kishin pyetur një imam, i cili u kishte thënë se kjo martesë, sipas fesë islame, është e lejueshme. Pasi kanë kryer lutjen e martesës, të dy vëllezërit bashkë me nënën e djalit 16 vjeç, i kanë inkurajuar ata të kryejnë marrëdhënie seksuale. Të nesërmen në mëngjes, nëna e djalit ka kontrolluar çarçafët për gjetjen e shenjave të gjakut. Mosgjetjen e shenjave të gjakut ia ka treguar bashkëshortit Rexhep Lleshi, i cili e ka rikthyer mbesën e tij tek i vëllai, duke i thënë se ajo nuk ishte e virgjër dhe e ndershme. E tronditur nga ajo që kishte ndodhur një natë më parë, 12-vjeçarja ia ka treguar ngjarjen nënës së saj, e cila ishte divorcuar prej Kujtim Lleshit, i cili ishte martuar përsëri dhe kishte shtatë fëmijë. Menjëherë, nëna e vajzës e ka denoncuar ngjarjen në polici dhe më pas kjo martesë ilegale është hetuar nga skuadra e krimeve seksuale. Gjatë procesit gjyqësor, viktima, mes lotëve gjeti kurajën të dëshmonte. Dy vëllezërit nuk i kanë pranuar akuzat, pasi sipas tyre, ata nuk kishin kryer ndonjë krim. Gjykatësi Robert Fraiser Morrison, duke lexuar masën e dënimit me nga tre vjet burg për dy vëllezërit, tha se kjo ngjarje ishte një incident i rëndë dhe se në Britaninë e Madhe, shtyrja për të kryer marrëdhënie seksuale një vajzë 12-vjeçare përbën krim të dënueshëm me burg. Kujtim Lleshi i ka bërtitur gjykatësit pse ai e dënoi, duke iu drejtuar me fjalët: "Unë s‘jam kriminel, doja të mbroja vajzën time". Ai ka rezistuar për disa minuta që të mos shoqërohej nga gardianët drejt qelive të gjykatës. Është dashur përdorimi i forcës nga pesë gardianë, duke e tërhequr atë zvarrë për në qeli. "Top Channel"