Në fabrikën e kampionëve të rinj
Kampionë bote, kampionë në gjithçka. Me lojë, stil, mentalitet dhe programim. Gjithçka nis nga sektori i të rinjve, sShkolla e të rinjve të Barçës, fabrika e kampionëve. Shembuj? Victor Valdes, Pujol, Xavi, Messi, Iniesta, Pique, Busquets, Dos Santos, Jeffren dhe Pedro: të gjithë të rritur në fabrikën e të rinjve të katalanasve, "La Masia". E ndërtuar në vitin 1702 dhe e kthyer në selinë e klubit 248 vjet më pas, nga viti 1979 ajo është rezidenca e të rinjve që duan të ndjekin ëndrrën e tyre. Përtej futbollit. E ardhmja do të jetë një pallat i ndërtuar brenda "Ciutata esportiva", pak kilometra jashtë Barcelonës, ndërsa e tashmja është kjo shtëpi me pamje nga Kamp Nou, në hyrje të së cilës gjendet një tabelë e madhe e sponsorëve me fytyrat e kamionëve ku shkruhet: "Jemi sulmues që mbrojmë, jemi mbrojtës që sulmojmë". "Ftojmë rreth 60 të rinj me moshë nga 11 deri në 18 vjeç", tregon Carles Folguera, 41 vjeç, që prej tetë vjetësh drejtor i "Masias". Aty ditët janë të përcaktuara nga oraret që të diferencojnë sipas moshës, por ritmi i bazës është kështu: "Zgjimi në orën shtatë, pastaj mëngjesi. Në orën tetë të gjithë në shkollë, deri në orën 1 e gjysmë. Dreka, pushimi, detyrat dhe studimi. Pastaj stërvitjet, darka dhe disa orë argëtim. Në orën 11.00 të gjitha dritat e fikura". Folguera, me një diplomë pedagogjie, që në të kaluarën ka qenë edhe portier i Barçës, shpjegon: "Klubi zbulon talentin e këtyre të rinjve. Ne na takon të kujdesemi për aspektin psikologjik dhe social: jemi familja e tyre". Bashkë me të, Ruben e Richard, profesorë që ndjekin kampionët e ardhshëm në studime; pastaj një mjek dhe një edukator që organizon aktivitetet në të paktët ditë të lira të javës. Po ashtu dy kuzhinierë, shtatë persona shërbimi dhe të punësuarit që sigurojnë vaktet, pastrimin dhe sigurimin e shtëpisë. Ajo që shërben si një lloj mamaje për këta fëmijë është Josefina Branzales, shefja e personelit. Sepse, mes problemeve është "edhe ai i largësisë nga familjet, përveç faktit që në skuadrat ku luanin ishin në qendër të vëmendjes, ndërsa këtu janë të barabartë me të tjerët. Shpesh shfaqen pasiguri". T‘i zgjidhësh dhe t‘i kalosh problemet, janë hapat e parë për të ndjekur ëndrrën. Si përralla e Leo Mesit, për shembull, lojtari më i mirë në botë, fituesi i "Topit të Artë" dhe "Fifa World Player 2009", por mbi të gjitha një nga lojtarët kryesorë të një skuadre që ka fituar gjashtë trofe në këtë sezon. I "importuar" në moshën 11-vjeçare nga Argjentina, me një problem hormonal që nuk e lejonte të rritej ndërsa familja nuk kishte paratë e nevojshme për ta kuruar. "Ishte i turpshëm dhe i rezervuar. Por të gjithë e donim shumë", kujton Folguera. "Në shkollë nuk ishte shumë mirë, por deri në moshën 16 vjeç ka studiuar". Në fushë ishte një fenomen dhe kurat e paguara nga klubi bënë që t‘i dhuronin futbollit një yll. Pastaj Iniesta, që është regjistruar në Fakultetin e Psikologjisë, por që ndërkohë bashkë me Xavin formojnë një dyshe të mrekullueshme. Edhe ky padyshim që ka kaluar prej këtu. Por është edhe Bojan, që vjen të studiojë anglisht. Për ata që nuk duan të respektojë rregullat, ka edhe përjashtime. "Deri në moshën 18-vjeçare janë të ndaluara piersing, tatuazhet dhe flokët e lyer. Duhet të mësojmë barazinë dhe respektin. Për t‘u dalluar mjaftojnë vetëm kapacitetet sportive". Ndalohet alkooli, asnjë telefon në tavolinë, ndërsa seksi është një argument që duhet përballuar me ndihmën e psikologut, nëse është e nevojshme. "Objektivi është t‘i shoqërojmë këta djem drejt fillimeve të tyre te Barcelona, por e dimë që shumë pak prej tyre mund t‘ia dalin mbanë. Megjithatë duhet t‘i edukojmë për jetën". Sipas vlerave të Barcelonës: sjellje të mira dhe besnikëri. "U themi se mund të mbahen kampionë, duke qëndruar urtë dhe ndjekur rregullat". Pastaj ka edhe nga ata që nuk ia dalin mbanë. "Një djalosh senegalez deri në moshën 17 vjeç ishte më i zoti, luante si sulmues dhe ishte miku më i mirë i Bojan. Por nuk po përmirësohej më dhe përfundoi në pankinë". Bojan u bë titullar, ai në shtëpi. "Ditën kur ia thanë qamë të gjithë. Djaloshi u kthye në shtëpinë e tij në Almeira dhe sot luan në një kampionat të vogël". Kjo gjë u ndodh shumë vetave, çdo vit. Skarcohen nga fabrika e kampionëve. "Skuadra e të rriturve sot përbëhet 50 për qind nga lojtarë të rritur në shkollën e të rinjve të klubit, 35 për qind nga ata që vijnë nga Spanja dhe Europa, ndërsa 15 për qind përbëhet nga ‘top player‘". Megjithatë synimi është diçka tjetër. "Duam që skuadra e parë të përbëhet 60 për qind nga djemtë e talentuar që dalin prej këtu, duke reduktuar numrin e lojtarëve të blerë nga skuadrat e tjera", thotë Albert Capellas, koordinator teknik. Po ashtu, edhe seleksionimit të të rinjve u kushtohet një rëndësi e madhe. "Më të privilegjuarit janë ata të Barcelonës që mund të jetojnë dhe rriten me familjet. Pastaj katalanasit dhe pas tyre kërkimi shtrihet në të gjithë Spanjën dhe nëpër botë". Pjesa tjetër është organizim i centralizuar. "Trajnerët e të rinjve janë të detyruar të ndjekin programin që u japim ne", thotë Capellas. Me fjalën "ne" nënkuptohet një lloj komiteti qendror i futbollit në epruvetë: drejtori i përgjithshëm (Txiki Beguiristain), trajneri i skuadrës së parë (Pep Guardiola) dhe drejtori i shkollës së të rinjve të futbollit Jose Alexanco, jo rastësisht ish-shokë të skuadrës së ëndrrave që fitoi katër kampionate radhazi dhe të parën Kupë Kampionesh nga viti 1990-1993 me Johan Krojf në pankinë. "Të gjitha skuadrat tona luajnë me skemën 4-3-3, por ajo që ka më shumë rëndësi është stili. Domethënë që të rinjtë duhet të mësojnë të marrin përgjegjësitë teknikë dhe karakteriale për të prekur topin dhe ndërtuar lojën, duke e interpretuar futbollin në mënyrë kreative dhe ofensive". Kush arrin të ecë përpara kalon tek "Barça Atletik". Skuadra e dytë që luan në "Mini stadium", aty ku stema e Barçës është "gdhendur" në bar. Asnjë emër në bluzat e lojtarëve. Luhet në sulm dhe me një teknikë të mirë. Në sfond silueta e Kamp Nout. Pastaj ëndrra dhe pika e mbërritjes: Barça, kampionia e gjithçkaje.