Bashkë me erën
Në historinë e Amerikës së Veriut asnjë subjekt tjetër nuk ka qenë më popullor se ai i Luftës Civile. Qoftë nëpër romane, qoftë nëpër shfaqje të ndryshme televizive, apo edhe filma, disa nga veprat më të bukura dhe më jetëgjata të kulturës popullore kanë përdorur pikërisht luftën si pikë referimi, largimi apo përqendrimi. Por asnjë vepër e shkruar për Luftën Civile nuk ka zënë atë vend që ka në letërsinë amerikanoveriore romani Bashkë me erën.
E lindur në Atlanta (Xhorxhia), Margareta u rrit mes të afërmve të saj, të cilët i kishin të freskëta kujtimet e luftës dhe të pushtimit të vitit 1864 që shkrumboi qytetin e tyre. Pas një martese jetëshkurtër e të dështuar, ajo filloi të jetonte duke shkruar për një gazetë të Atlantës. E ligështuar nga një sërë sëmundjesh që nuk iu ndanë deri në vdekje (1950), Miçëlli u tërhoq nga gazetaria në mesin e viteve 1920 dhe në këtë kohë nisi të shkruante romanin e saj: Bashkë me erën. Ajo hodhi poshtë kërkesat e përsëritura që dorëshkrimin t‘ia tregonte një botuesi kureshtar, kur ky i fundit po bënte një udhëtim në vitin 1935 nëpër Atlantë, për zbulimin e talenteve të reja. Por, kur një e njohur i shprehu atij habinë se Miçëlli ishte në gjendje të shkruante letërsi artistike, ajo ia paraqiti me inat atij, kur ky po bëhej gati të largohej nga qyteti. Ai e lexoi romanin në tren dhe, duke parë se kishte zbuluar një vepër klasike, i ofroi Miçëllit një kontratë për botimin e librit.
Qysh në fillim romani i Margaret Miçëllit korri sukses. Romani i Miçëllit tregon për historinë e Skarletë O‘Harës, një çupëlinë gjashtëmbëdhjetëvjeçare, e hijshme, jugore, që bie në dashuri me Eshli Uilksin, fqinjin e saj. Sidoqoftë, Eshli është fejuar me Melani Hamiltonin, një kushërirën e tij të largët. Ndërkohë që Skarleta po thur plane për t‘i fituar zemrën Eshlit, shpërthen Lufta Civile. Eshli shkon në luftë kurse Skarleta qëndron në qytetin e zhurmshëm të Atlantas. Për zhgënjimin e saj, tanimë jeta e Skarletës plekset me Melaninë, dhe me një burrë të pashëm e të misterioz: Ret Batlerin. Ky ia di vlerat Skarletës që është në gjendje të thurë plane dhe është ambicioze. Përgjatë gjithë luftës, paqes, martesave, lindjeve dhe vdekjeve, Skarleta vazhdon përpjekjet për ta fituar Eshlin, ndërkohë edhe Reti vazhdon përpjekjet e tij për ta fituar Skarletën. Marrëdhënia e trazuar midis Skarletës dhe Retit nxori në dritë një nga fjalitë më proverbiale në kulturën popullore amerikane: "E dashur, unë as që e çaj kokën fare për ty!" (Më vonë, gjatë versionit të filmit u rregullua: "Po ta them hapur, e dashur: mua s‘më bëhet vonë fare për ty!")
Bashkë me erën u botua në vitin 1936 dhe u shndërrua në një dukuri. Brenda një dite të vetme u shitën 50 000 kopje, kurse brenda gjashtë muajve u shitën një milion kopje, me një mesatare prej 3 700 kopjesh në ditë, për pjesën e mbetur të vitit. Në vitin 1937 romani fitoi çmimin Pulitzer për letërsinë artistike. Deri në vitin 1997 qenë shitur afërsisht 30 milionë kopje, duke e futur romanin në fjalë në listën e librave më të shitur në botë.
Madje, para se libri të dilte në qarkullim, u bë një luftë e ashpër për të blerë të drejtat e filmit. David O. Selzniku, një magnat hollivudian që e ishte ngritur studion e tij kinematografike kohët e fundit, i pagoi Miçëllit 50 000 dollarë. Por, pavarësisht dëshirave të Selznikut, Miçëlli nuk pranoi të shkruante një skenar apo ndonjë gjë që të kishte lidhje me xhirimin e filmit.
Prodhimi i filmit, që kërkoi më shumë se tre vjet, ishte epik në vetvete. Vështirësitë teknike ishin të shumta dhe montimi i metrazhit të gjatë e ngadalësoi procesin. Për të arritur përsosmërinë, Selzniku shfrytëzoi punën e tre regjisorëve - dy prej të cilëve punonin njëkohësisht - dhe të 17 skenaristëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe shkrimtarin F. Skot Fitxherald.
Ndërkohë, publiku i gjerë spekulonte pafundësisht për grupin e aktorëve. Njëzëri u arrit në përfundimin që Klark Gebëlli do të luante rolin e Retit. Po rolin e Skarletës kush do ta luante? Aktoret Bet Dejvis, Ketrin Hepbërn, Xhoan Fontejn dhe Lusill Boll bënë kinoprova, por që të tria nuk u pranuan. Selzniku lajmëroi se ishte në kërkim të një aktoreje të panjohur, e cila ngjalli shumë kureshtje. Më në fund ai zgjodhi Vivien Lejfin, një aktore e përmasave të vogla britanike, por që më pas fitoi një çmim të Akademisë për debutimin e saj.
Bashkë me erën u shfaq në Atlanta të premten e datës 15 dhjetor 1939. Të pranishëm ishin tërë yjet e Hollivudit, sikurse Miçëlli (Martin Luter Kingu, që asokohe ishte dhjetë vjeç dhe ndodhej po ashtu atje duke kënduar në korin e kishës për nder të të ftuarve të bardhë). Madje filmi fitoi një sukses edhe më të madh se libri, duke fituar nëntë çmime "Oskar". Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, 90 për qind e amerikanëve e kishin parë filmin nëpër kinema ose në ekranet e televizorëve.
Si libri, ashtu edhe filmi Bashkë me erën u bënë dokumente të rëndësishme të kulturës amerikane dhe të asaj botërore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria naziste e Gjermanisë e ndaloi qarkullimin e këtij libri, kurse anëtarët e Rezistencës Franceze e çmonin atë si simbol të qëndresës ndaj pushtimit. Pas luftës së Vietnamit, qeveria e këtij vendi e kërkoi filmin në fjalë si pjesë e shkëmbimeve kulturore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Bashkë me erën ka luajtur një rol të rëndësishëm për të shpjeguar Luftën Civile. Nëse Kasollja e xha Tomit sulmonte mënyrën e jetesës së Jugut, për shkak të skllavërisë që mbizotëronte atje, Bashkë me erën e përmbysi këtë situatë, duke i përshkruar marrëdhëniet midis skllevërve dhe pronarëve si të përzemërta, ndërsa veriorët si pushtues lakmitarë e pa personalitet. Pavarësisht prej debateve që janë bërë nga historianë profesionistë për të provuar të kundërtën, ndikimi i këtij libri do të vazhdojë të jetë i fuqishëm edhe për brezat e ardhshëm.
Margaret Mitçëlli nuk pranoi të spekulonte mbi fatin përfundimtar të personazheve që krijoi, kështu që ajo nuk deshi ta shkruante vazhdimin e romanit. Megjithatë, në vitet ‘80, trashëgimtarët e saj i dhanë të drejtën Aleksandra Riplit të shkruante Skarleta: Vazhdimi i Bashkë me erën, roman që u botua në vitin 1991. Ndonëse romani u prit keq nga kritika prapëseprapë ai u rendit menjëherë në majë të listës së librave më të shitur. Por, me gjithë vazhdimin e romanit të dytë, qoftë libri dhe filmi i parë zunë një vend të sigurt në kulturën amerikane, jo vetëm si vepra të rëndësishme që pasqyrojnë historinë, por edhe që bënë histori.
Bashkë me erën
Botuar më 1936-n
I. I. Mbi autoren
Lindur më 8 nëntor 1900, në Atlantë, Xhorxhia, Margaret Munerlin Miçëlli e filloi jetën në agimin e një shekulli të ri, në një shoqëri që ishte e përqendruar në kujtimin e së shkuarës. I ati, Eugjen Mjuz Miçëlli, ishte avokat dhe president i Shoqatës Historike të Atlantës. Këngët e rrëfenjat e Luftës Civile dhe të periudhës së Rindërtimit mbushën fëmijërinë e saj, ndërsa përvojat dhe personalitetet e miqve dhe të anëtarëve të familjes së saj ajo i ruajti në të vetmin roman të saj të botuar, Bashkë me erën.
Para se të regjistrohej në Universitetin Smith të Northemptonit, Masaçusets, në vjeshtë të 1918-s, Miçëlli u fejua me një burrë për të cilin Stiveni, vëllai i saj, më vonë e quajti dashurinë e vetme të vërtetë të jetës së saj, Kliford Henrin, që u dërgua përtejdetit të luftonte në Luftën e Parë Botërore. Miçëlli krijoi një personazh të përfytyruar të këtij personi të përmbajtur që ishte zotëri i vërtetë, i cili vdiq në betejë më 16 tetor 1918; sigurisht, marrëdhënia e tyre shërbeu si frymëzim për atë të Skarletës dhe të Eshli Uilksit. Në janar të 1919-s, ndërkohë që Miçëlli ishte në universitet, e ëma u sëmur me gripin spanjoll dhe vdiq para se treni, me të cilin po udhëtonte e bija, të mbërrinte në shtëpi në Masaçusets. Miçëlli, që nuk është se po ndrinte ndonjë gjë të madhe në universitet, e shfrytëzoi këtë mundësi ta linte shkollën njëherë e mirë. Me nxitjen e të atit, burimet financiare të të cilit ishin mjaft të kufizuara, ajo u bë pjesë e Klubit të Fillestareve, duke mbajtur shpresa se mund të gjente një kandidat martese pasunar të pranueshëm.
Marrëdhënia e Miçëllit me shoqërinë e ndershme kishte qenë gjithnjë e nderë; rebele dhe e pavarur, ajo nuk bënte kurrfarë përçapje për të fshehur parapëlqimin e saj të papërmbajtshëm tipësore e epokës së hedonizmit për pirjen e duhanit, pirjen e pijeve alkoolike dhe për automobilat e shpejtë. Në gusht të stinës së saj debutuese, ajo mori pjesë në një ballo me kostume dhe u magjeps pas një vizitori që kishte ardhur nga një qytet tjetër i quajtur Berien Kinard Apsho, i cili zakonisht njihej si Redi. Ajo e braktisi takimin që kishte lënë dhe u largua nga balloja me Apshoun, i cili së shpejti u bë i dashuri i saj i qëndrueshëm. Emri skandaloz që kishte bëri Redi - atë e patën dënuar nga Akademia Ushtarake e SHBA-së dy herë me radhë, kështu që për të nxjerrë jetesën drejtonte kontrabandën e uiskit nga malet - më vonë u bë materiali burimor për anën e pandershme të Ret Batlerit.
Meqë tashmë nuk ishte më e parapëlqyera e grupit të njerëzve më të mëdhenj se ajo, Miçëlli i skandalizoi zonjat e Atlantës tej çdo shprese për ta falur, duke kryer një vallëzim apash me një fustan zijosh të shkurtër gjatë një balloje për qëllime bamirësie. Në fund të stinës, Miçëlli nuk mori ftesën e nevojshme që të bashkohej me Lidhjen e të Rinjve e kësisoj iu mohua mundësia për t‘u martuar me ndonjë riosh më të pranueshëm nga pikëpamja shoqërore. Në fund, pjesërisht për të kundërshtuar haptazi familjen e saj dhe shoqërinë e Atlantës që e kishte mospranuar, Miçëlli u lidh në një martesë fatmjerë dhe të shkurtër me Redin më 1922-shin. Çifti nuk u pranua në shoqërinë e ndershme, ndërsa pirja dhe shpërthimet e dhunës nga ana e Redit shkaktuan prishjen e lidhjes ca muaj më vonë.
Përgjatë gjithë periudhës së njohjes dhe martesës së shkurtër e të trazuar, shoku i dhomës së Redit, Xhon Marshi, shërbeu si ndërmjetësi dhe paqebërësi i çiftit. Si një person që i falte siguri në mënyrë të vazhdueshme dhe që e donte, por që nuk ishte aspak kërkues ndaj Miçëllit, Marshi e ndihmoi që ajo të gjente një punë si shkrimtare e posaçme e Gazetës së Atlantës. Në dhjetor të 1924-s, Marshi pësoi një krizë lemzash që i zgjati për dyzet e dy ditë. Gjatë tridhjetë ditëve të para të krizës së lemzës, Miçëlli kuptoi se dashuronte pikërisht Marshin. Ai jetoi, lemza nuk e ngau më, dhe në ditën e pavarësisë të 1925-s, Miçëlli hodhi kurorë me të, siguria e të cilit frymëzoi anën e besueshme dhe të fortë të Ret Batlerit.
Nën trysninë e ushtruar nga bashkëshorti i saj i ri, Miçëlli u largua nga gazeta e lartpërmendur herët në vitin 1926 dhe nisi të shkruante letërsi artistike, për shkak të mërzisë që ndiente. Atë tetor ajo vrau këmbën në një aksident me makinë dhe për shumë javë qëndroi shtrirë në shtrat, duke e kaluar kohën me lexime romanesh dhe historish. Ditën e parë që ajo mundi të ngrihej në këmbë, Marshi i solli një vandak të madh me letra dhe i bëri të ditur se meqë nuk kishte lënë kurrgjë pa lexuar në bibliotekë, atëherë ajo duhej të shkruante librin e saj. Asnjëherë e sigurt se ndokush do të donte t‘i lexonte apo botonte shkrimet e saj, megjithëkëtë, Miçëlli i kaloi dhjetë vitet vijuese të jetës së saj duke u rraskapitur së shkruari Bashkë me erën. Pikërisht si një shkrimtare policore, ajo shkroi fundin e romanit të parë, duke filluar me një vërejtje për personazhin e saj qendror: "Ajo nuk i kish kuptuar kurrë asnjërin nga burrat që kishte dashuruar, kësisoj i kishte humbur që të dy."
Më 1935-n, Harold Latami i botimeve Macmillan, vizitoi Atlantën në kërkim të materialit. E nxitur për të kundërshtuar një të njohurën e saj sarkastike, që nuk kishte pranuar të besonte se ajo ishte në gjendje të shkruante romane, Miçëlli la një pirg me zarfe me letër ambalazhi - secili prej tyre përmbante shumë faqe të tekstit dhe disa versione mbi secilin kapitull - te holli i hotelit ku rrinte Latami. Disa krerë mungonin fare, ndërsa dorëshkrimi s‘kishte as titull e as nënshkrim. Menjëherë e tronditur nga ajo çka kishte bërë, Miçëlli i nisi një telegram Latamit, ku i thoshte: "M‘u kthye mendja." Mirëpo ishte tepër vonë; Latami dhe Ljuis Koli, një botues, e kishin lexuar veprën dhe kishin dalë në përfundimin se vepra në fjalë ishte deri diku e suksesshme. Miçëlli, për të përfunduar, rishikuar dhe kontrolluar dorëshkrimin për saktësi, u rraskapit aq shumë sa iu dobësua mjaft shikimi nga lodhja, por më 1936-n, dhjetë vjet plot pasi filloi ta shkruante, romani ishte gati për botim.
Bashkë me erën doli se ishte një sukses i menjëhershëm, duke i shkaktuar habi të madhe Miçëllit dhe burrit të saj. Ribotimet e parapaguara shiteshin para se të mbërrinin nëpër librari dhe në prill të 1938-s, kur nuk ishte më në majën e listës së librave më të shitur, Bashkë me erën ishte shitur dy milionë kopje vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe një milion kopje të tjera në gjashtëmbëdhjetë vende të tjera jashtë. Në jetëshkrimin e 1983-shit që shkroi për Miçëllin, An Eduardsi vërejti se Bashkë me erën vazhdon të gëzojë sukses të jashtëzakonshëm dhe është shitur, qoftë me kapak të fortë qoftë jo, më shumë se çdo libër tjetër përveç Biblës. Versioni i filmit të 1939-s Bashkë me erën cilësohet në mënyrë të padiskutueshme si një nga filmat më popullorë të të gjithë kohërave. Ndikimi i përbashkët i romanit dhe i filmit i ka bërë personazhet e Miçëllit të mirënjohur në mbarë botën.
Miçëlli fitoi çmimin Pulitzer për romanin e saj, ndërsa në 1938-n edhe Medaljen Përkujtimore të Carl Bohnenberger-it; ajo shpërblehej çdo dy vjet nga Shoqata e Bibliotekës Jugore për "ndihmesën më të shquar ndaj letërsisë së jugut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Porse këtë pritje të ngrohtë e shoqëruan kritikat e letrarëve që e hodhën poshtë Bashkë me erën si letërsi serioze. Më 1970-n, megjithatë, interesi i kritikës mbi romanin në fjalë u gjallërua teksa akademikët nisën ta rishqyrtonin sërish atë, pjesërisht si artifakt kulturor. Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm të Bashkë me erën, Miçëlli nuk botoi asnjë libër tjetër në të gjallë të vet. Ajo vdiq më 16 gusht 1949, në Atlantë, pasi u përplas me një taksi.
II. Vështrim i përgjithshëm
Miçëlli u rrit në Atlantë gjatë një epoke kur Lufta Civile dhe periudha e Rindërtimit kishin mbetur pjesë e kujtesës së gjallë të mjaft njerëzve; kur vetëm përmendja e emrit të gjeneral Uilliam Shermanit shkaktonte që jugorët atdhetarë ta mallkonin nëpër dhëmbë këtë; dhe kur disa njerëz besonin me zjarr se Jugu i Vjetër, me gjithë madhështinë e tij, do të ringjallej përsëri. Më 1930-n, një grup intelektualësh nga jugu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë Robert Penn Uorrenin, Alen Teitin dhe Xhon Krou Rensëmin botuan I‘ll Take My Stand: The South and the Agrarian Tradition, një përmbledhje esesh që u thurnin lavde vlerave tradicionale të kulturës jugore. Ndjenjat e shprehura në këtë vepër bënë për vete mjaft jugorë të varfër që po vuanin pasojat e Depresionit të Madh. Ndërsa dhjetëvjeçari përparonte dhe mjerimi ekonomik sa vinte e rritej gjithnjë e më shumë, veçse krenaria krahinore dhe kujtimet e kohërave më të mira mbështetën një pjesë të madhe të popullsisë. Prapa idilit agrar, gjithsesi, qëndronte realiteti agrar i Jugut të Vjetër - një ekonomi plantacionesh që varej nga institucioni i skllavërisë. Kur romani i Miçëllit u botua më 1936-n, ai kreu funksionin e dyfishtë të romantizimit të një qytetërimi të humbur dhe siguroi shpresën për mbijetesën ekonomike trashëgimtarëve të atij qytetërimi.
III. Sfondi
Bashkë me erën hapet më 1861-shin në plantacionin e familjes O‘Hara, Tara, një vend me bukuri baritore të jashtëzakonshme që Miçëlli modeloi në një pronë të paraluftës afër Xhonzborosë, Xhorxhia, afërsisht tridhjetë milje në jug të Atlantës. Plantacioni fqinj me atë të Tarës, Dymbëdhjetë Lisat, i përket familjes së Uilksëve. Pikërisht në një piknik që zhvillohet te Dymbëdhjetë Lisat, në prag të Luftës Vëllavrasëse, Eshli shpall fejesën e tij me të kushërirën Melaninë, ndërsa atje Skarleta takon Retin. Mbas shpërthimit të luftës, skena zhvendoset te rrënimi i Atlantës dhe mbërritja pasuese e ushtrisë së Shermanit, e cila shkrumbon qytetin. Gjatë periudhës së Rindërtimit, sfondi vazhdon të zhvendoset kah poleve qytetëse dhe atyre fshatareske teksa romani shtjellon fatin e Skarletës dhe të bashkëkohësve të saj.
IV. Temat dhe personazhet
Kur Margaret Miçëlli filloi të shkruante romanin e saj më 1926-n, pak njerëz dyshonin se vetëm pas disa vjetësh bursa do të shkatërrohej dhe bota do të zhytej pothuajse në një dhjetëvjeçar depresioni ekonomik. Pikërisht siç edhe ndodhi, tema e mbijetesës me të gjitha mjetet duke i pasur të gjitha gjasat kundër i foli drejtpërdrejt një brezi që luftonte të mbushte barkun me bukë dhe të përballonte pagesat e hipotekës. Që nga skena çelëse e romanit, kur Xherald O‘Hara i sqaron të bijës se dashuria për tokën është një tipar irlandez i spikatshëm, deri në përfundimin e tij, kur Skarleta betohet të kthehet në Tarë, Bashkë me erën bën të ditur se Skarleta e merr fuqinë nga toka.
Kjo temë ishte shumë e fuqishme për lexuesit e viteve 1930. Asokohe Amerika ishte shumë më tepër një vend fshatar nga ç‘është sot dhe një pjesë shumë më e madhe e popullsisë jetonte ose nëpër ferma, ose ishte rritur në një të tillë. Gjatë viteve të Depresionit, një numër i madh bujqish nuk mund të paguanin hipotekat, kështu që bankat detyroheshin t‘u hiqnin të drejtat mbi tokat e tyre. Ata që i kishin humbur fermat e tyre mund ta kuptonin fare mirë lidhjen e pandashme që kishte Skarleta me shtëpinë dhe përpjekjet e saj të dëshpëruara për të shpëtuar Tarën. Fjalët që Skarleta tha kur u kthye në Tarë dhe në fushat e saj, që ushtria e Shermanit i pat rrënuar kur kishte kaluar andejthi, i kanë frymëzuar lexuesit me mesazhin e shpresës, sido që e përzier me dëshpërim: "Kam Perëndinë si dëshmitar, po marr si dëshmitar Perëndinë, se veriorët nuk kanë më për të më sprapsur…. Edhe sikur të më duhet të vjedh a të vras… Marr Perëndinë si dëshmitar, se unë nuk do të vuaj më kurrë urie."
Kejt Skarletë O‘Hara, një bukuroshe shumë e kërkuar në Jugun e Shteteve të Bashkuara, gjatë ditëve të shkujdesura para shpërthimit të luftës pandeh se ka rënë në dashuri me Eshli Uilksin. Kur Eshli shpall fejesën me kushërirën e tij, Melani Hamiltonin, Skarleta në rrëmbim e sipër vendos të martohet me të vëllain e Melanisë, Çarlsin. E mbetur vejushë pothuajse menjëherë, Skarleta më vonë martohet me të dashurin e motrës së saj, Frenk Kenedin, për mbështetje financiare dhe bashkohet me të në tregtinë e lëndës drusore. Skarleta vazhdon ta adhurojë Eshlin dhe të ketë inat engjëlloren Melani, por ndërkohë vëmendja e saj përqendrohet përherë e më tepër te qejfliu Ret Batler. Qysh në çastin që Reti thotë për të parën herë se jugu nuk i jep asgjë luftës përveç "pambukut, skllevërve dhe arrogancës", realizmi i tij, rrethuar me cinizëm, e bën aspak popullor mes atyre idealistëve jugorë që janë të dhënë pas lavdisë së shkuar. Mbasi Kenedi vdes në një sulm të Ku-Kluks-Klanit që bëhet për të marrë hakun e Skarletës, ajo është e lirë të martohet me Retin. Sjellja e tij prej kryelarti dhe urdhëruesi, ndërthurur me dashurinë që ka për Skarletën dhe për bijën e tyre Bonin, e bën atë një figurë të ndërlikuar dhe përgjithmonë interesante. Ndërkohë që përqendrohet në ndërveprimin që zhvillohet mes Skarletës, Retit, Eshlit dhe Melanisë, Miçëlli i mbush personazhet e tjera - sidomos me Nënoken, Prisin dhe Bela Uatlingun - me thellësi të jashtëzakonshme karakteri.
Përmes personaliteteve të personazheve të saj të mëdhenj, Bashkë me erën shqyrton cilësitë që janë të nevojshme për ruajtjen e kulturës jugore. Eshli Uilksi, një idealist jopraktik i pafuqishëm, simbolizon një brez të tërë të dënuar, ndërsa dinakëria e Ret Batlerit siguron një model të mundshëm mbijetese. Skarletë O‘Hara, sidoqoftë, flet në emër të të gjithë njerëzve, ndërkohë që bota e tyre po shembet. Ajo është një heroinë tragjike, e paaftë të heqë dorë nga e shkuara, por nuk është se ka frikë nga e ardhmja. Ngaqë dështon të kalitë fuqinë e saj të madhe me njohjen e dobësisë së saj, asaj i duhet të durojë sprovë pas sprove derisa të thyhet. Për shkak të qëndrueshmërisë dhe trimërisë së saj, Skarleta fitoi admirimin jo vetëm të lexuesve jugorë, por edhe të individëve anekënd që kanë të njëjtën ëndërr me të sajën: atë të mbijetesës.
V. Vetitë letrare
Romancat historike kanë qenë popullore në letërsinë amerikane qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë - mjaft nga të cilat zhvillohen në periudhën e Luftës Civile dhe një pjesë e madhe e tyre që gëlojnë nga histori dashurie japin vetëm një paraqitje të mugët të kësaj periudhe intriguese. Mirëpo, Miçëlli bën që Bashkë me erën të mos bjerë në një batak të këtillë, duke krijuar personazhe me karakter të fortë të paharrueshëm dhe, në gjithë faqet e librit të saj, përcakton ardhmërinë vetjake të tyre përkundër sfondit të një epoke shëmbëllesën e tejzgjatur të së cilës libri ka arritur ta përcaktojë. Përkushtimin e tij ndaj Skarletës Reti e maskon me karakterin mbrojtës të veprimeve të tij sarkastike; dëshirimi i fortë prej fëmije që ka ndaj Eshlit e verbon Skarletën ndaj dashurisë së vërtetë për Retin; ndërsa Eshli lëkundet midis admirimit të zjarrtë për Skarletën dhe përkushtimit që ndien ndaj Melanisë. Përshkrimi që Miçëlli i bën këtij trekëndëshi dashurie mban gjallë interesin e lexuesit dhe intrigën e romanit.
Romani racist i Tomas Diksonit, The Clansman - që shërbeu si burim për filmin pa zë të D. W. Grifitit pro Ku-Kluks-Klanit, The Birth of a Nation (1915) - shërbeu si frymëzim edhe për Miçëllin që, si vajzë e re që ish, shkroi një skenar dramatik, në të cilin luajti rolin kryesor si shpëtimtarja e jugut. Duke pasur parasysh skenën e Bashkë me erën në të cilën njerëzit mësyhen të shfajësojnë emrin e Skarletës dhe të vendosin rendin në zonën e mbuluar nga barakat, që romani i Diksonit do t‘i jetë dukur Miçëllit një vlerësim i saktë dhe i ndershëm i Jugut të pas Luftës Civile. Një tjetër libër që u botua në të njëjtin vit me Bashkë me erën, është Absalom, Absalom! i Uilliam Folknerit, paraqit një version kundërshtues të trashëgimisë së skllevërve të Jugut. Folkneri e shikon fajin tek "institucioni i pazakontë" i skllavërisë, kurse dëmin që ky solli mbi moralin e të bardhëve dhe mirëqenien e të zinjve, si arsyen që Perëndia "lejoi që Jugu ta humbiste luftën", për ta shprehur me fjalët e njërit prej personazheve të tij. Çështje me moralshmëri të tillë nuk hasen fare në veprën e Miçëllit.
Miçëlli e mori titullin e librit të saj nga një varg i poemës "Sinara" të shkrimtarit të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë Ernest Dosoni. Te vargu i strofës së tretë lexohet: "Të harrova, Sinara! Ti ike bashkë me erën, / trëndafilat e flakëruar, trëndafilat, tok me mizërinë e tërbuar." Para se frazën në fjalë ta përshtaste si titullin e librit të vet, tashmë Miçëlli e kishte përfshirë në skenën ku Skarleta, Melania dhe foshnja e saj e porsalindur që ndodheshin në një qerre me kuaj, hamendet: "A po qëndron Tara ende, vallë? Apo mos ka ikur bashkë me erën që shkretoi Xhorxhian, vallë?" Një rrëfenjë që tetoja e Miçëllit, Sisi, e kishte zakon t‘i rrëfente për dy lloje njerëzish - ata ngjashëm grurit dhe ata ngjashëm hikrrës - e bën edhe më domethënës titullin e romanit: "Gruri… kur është i pjekur dhe një erë e fortë i fryn, e rrafshon përtokë e ai nuk ngrihet më kurrë…. Hikrra përkulet para erës, dystohet, por kur era kalon, ai ngrihet përsëri i drejtë si asnjëherë tjetër. Njerëzit, ngjashëm grurit, nuk i bëjnë dot ballë erës, ndërsa ata ngjashëm hikrrës po." Me këtë metaforë, titulli nxjerr në pah qoftë shkatërrimin e së shkuarës dhe, ashtu siç kishte pasur për qëllim Miçëlli, edhe aftësinë për të mbijetuar.
VI. Ndjeshmëria shoqërore
Bashkë me erën shqyrton periudhën e konfliktit të brendshëm më të madh që Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar ndonjëherë, duke paraqitur vetëm ndoca skena të shkurtra, por të lavdishme të jetës së Jugut të paraluftës, ndërsa më pas përqendrohet në Luftën Civile dhe pasojave të saj. Për shkak të popullaritetit të saj të madh, Bashkë me erën shërben si burim i madh informacioni për një numër të madh njerëzish anekënd botës lidhur me atë se çfarë ishin "në të vërtetë" skllavëria, lufta dhe periudha e Rindërtimit - duke krijuar kështu një situatë që u jep një domethënie të jashtëzakonshme temës dhe personazheve të librit. Kritika më e fortë që i bëhet Bashkë me erën është se ky paraqit sistemin e skllavërisë dhe jetesën thuajse aristokratike të pronarëve dhe plantatorëve të pasur në një mënyrë jokritike. Shkruar tërësisht nga këndvështrimi i skllavopronarëve, libri sugjeron se të zinjtë, fshatarët e bardhë të varfër dhe klasa e ulët e të bardhëve qytetës që përbëhej nga njerëz të tillë si Bela Uatlingu, "vendet" e tyre qëndrojnë poshtë klasës sunduese dhe pranohen e durohen vetëm nëse e përshtatin vetveten dhe aspiratat me sistemin e vlerave të eprorëve të tyre. Klasa sunduese është e mbushur plot e përplot me njerëz zemërartë; gratë punojnë pa u lodhur për të mbajtur plantacionet, kurse burrat më të mirë janë njerëz me parime, të ndjeshëm dhe zotërinj të vërtetë, megjithëse ca të zvetënuar. Kur Jugu shkatërrohet, nuk janë luftëtarët e lirisë, por përkundrazi veriorët e pashpirt dhe të pagdhendur që zhdukin bastionin e fundit të mirësisë dhe të ëmbëlsisë me dëshirën që ta kthejnë përmbys situatën.
Paraqitja e personazheve të të zinjve në roman dhe në film ka të meta serioze. Nuk sheh askënd që të vuajë për shkak të skllavërisë; nuk ka pronarë mizorë apo mbikëqyrës fyes që disiplinojnë skllevërit; dhe asnjë familje nuk shpërbëhet nga shitja e pronave. Të gjithë duken të lumtur në strehëzën e tyre të ngrohtë, dhe disa - si Nënokja në Tarë dhe xhaxha Henri në Atlantë - janë po aq urdhërues dhe autoritarë ndaj përgjegjësve të tyre të bardhë si të gjithë gjyshërit dhe gjyshet. Sipas librit, kaosi shoqëror i periudhës së Rindërtimit lejon që të zinjtë dhe të bardhët e zvetënuar të marrin kontrollin e shoqërisë. Një personazh i një të ziu dhe i një të bardhi sulmojnë karrocën e Skarletës, ndërsa ajo kthehet nga stabilimenti i sharrave; një i zi "i mirë", Semi që është i admirueshëm ngaqë ende ruan respektin për shkak të pronarëve të tij të dikurshëm, e shpëton Skarletën. Por sipas kodit të nderit të Jugut, veprimet e Semit pasohen nga veprime të tjera. Aristokratët e uzurpuar ndiejnë se e kanë përgjegjësi që të mblidhen dhe të marrin hak për fyerjen që u është bërë grave të tyre dhe kanosjes që u bëhet nderit të tyre nga ana e batakçinjve dhe skllevërve të liruar. Ku-Kluks-Klani përmendet me emër në libër dhe Miçëlli duket se i përkrah si qëllimin, ashtu edhe mjetet e tij. Ia vlen të vërehet se në skenarin e filmit regjisori Sidni Houard nuk paraqiti aspak referimet që kishin të bënin me Klanin për të shmangur kështu mbështetjen e organizatës në fjalë.
Vetëm në trajtimin që u bën roleve të grave Miçëlli sfidon gjendjen e tyre ekzistuese. Duke qenë bija e një sufragjisti që gjente kënaqësi duke skandalizuar zonjat e Atlantës, Miçëlli, nëpërmjet portretizimeve të personazheve të saj, iu vu punës për të sfiduar mjaft kufizime që shoqëria u kishte vënë grave. Në fillim të romanit Skarleta ankohet se i duhet të duket e ëmbël, teveqele dhe e pamend në mënyrë që të fitojë një bashkëshort me vlerë, madje duke qenë e detyruar t‘i merret fryma në gjoksoret tejet të ngushta që mban dhe të hiqet sikur nuk ha. Me t‘u martuar, gruaja duhet të marrë mbi shpatulla drejtimin e një plantacioni të tërë; nëna e Skarletës, Elenë O‘Hara, punon tetëmbëdhjetë orë në ditë, ndonëse shtëpia gëlon nga organika. Ndërkohë, Miçëlli i paraqit meshkujt madhorë si persona të papërmbajtshëm dhe me sjellje prej fëmije, të tillë si Xherald O‘Hara, apo si zotërinj që kënaqen teksa jepen pas sporteve të ndryshme apo letërsisë, por që nuk kanë zënë punë me dorë as edhe një ditë të vetme, si puna e Eshlit.
Meqenëse Bashkë me erën ia del mbanë edhe të përkrahë, por edhe të sfidojë një kulturë që ruante në mënyrë mitike atë çfarë pat humbur në luftë, romani mbetet një pjesë e ndërlikuar e historisë shoqërore. Miçëlli, që edhe vetë ishte një ikonathyese, e vë theksin te rëndësia e sfidimit të shoqërisë shtinjake dhe, si Skarleta, i përqendron energjitë e veta tek idealet e shkëlqyera. Por Skarleta nuk gjen asnjë objekt aq të denjë sa t‘i kushtojë përkushtimin e përhershëm të saj sa Tara, simbol i shoqërisë dogmat e së cilës ajo dhe Miçëlli do të sfidojnë. Duke mbuluar me lavdi një shoqëri që skllavëronte të zinjtë dhe kufizonte gratë, Miçëlli ia ul vlerën vlefshmërisë së mesazhit të saj.
IX. Përshtatja në film
Versioni filmik i 1939-s i Bashkë me erën është më i njohur se romani mbi të cilin u mbështet. Vitet që pasuan botimin e romanit, spekulimet e pafundme lidhur me atë se kush do të luante rolet kryesore të filmit nxitën parashikimet e njerëzve deri në histeri. Eleanor Ruzvelti u shkroi një letër personale regjisorëve të filmit në fjalë, duke i nxitur që t‘i bënin një kinoprovë shërbyeses së saj, Lizi MakDafit; ndërsa nënat, pa as më të voglën drojë, paraqitnin vajzat e tyre si kandidate për rolin e vogëlushes Bonnie Butler. Vendimet që roli i Eshlit t‘i jepej Leslie Houardit, kurse ai i Melanisë Olivia dë Havilandit ishin relativisht të ndershme. Klark Geblli fitoi rolin e lakmuar të Ret Batlerit në gusht të 1938-s, duke mënjanuar kështu Ronald Kolmanin, Erol Flinin dhe Gery Kuperin. Por ajo çfarë pritnin me padurim lexuesit dhe që e shqetësonte regjisorin e filmit David O. Selznikun ishte gjetja e aktores që do të luante rolin e Skarletës. Për rolin në fjalë bënë kinoprova tridhjetë e një aktore, duke përfshirë edhe aktoret Susan Hejard, Lana Tërner, Talula Benkhed dhe Bet Dejvis, që kjo e fundit në jetëshkrimin e saj të vitit 1962 deklaroi se "ishte marrëzi" që Selzniku i mohoi rolin në fjalë. Grupi përfundimtar i personave që mbanin ende shpresa përmbante Xhoan Benetin, Xhin Arthërin, Polet Godard dhe Vivien Leif, kjo e fundit ishte një aktore relativisht e panjohur britanike, të cilën Selzniku ia shtoi listës, pasi e takoi në skenën e djegies së Atlantës. En Eduardsi, jetëshkruesja qoftë e Leifit dhe qoftë e Miçëllit, bën të ditur reagimin e Selznikut: "E pashë vetëm njëherë dhe e kuptova se ajo ishte pikërisht personi i duhur për rolin… së paku, sipas konceptit që unë kisha për Skarletë O‘Harën… Ai shikim i parë nuk do të më shlyhet asnjëherë nga mendja." Kinoprova pasuese vërtetoi përshtypjen e tij të parë, kështu që Vivien Leifit iu dha roli i Skarletës në të dalë të dhjetorit të 1938-s.
Ndonëse djegia e Atlantës u bë më përpara me qëllim për të pastruar oborrin e pasmë të studiove të Metro Goldwyn-Mayer, xhirimet kryesore filluan më 26 janar të 1939-s. Fill pas përfundimit të filmit, guvernatori i Xhorxhias shpalli një pushim shtetëror, kurse Atlanta për kremtimin në fjalë bëri tri ditë pushim, një ngjarje që u prish nga përjashtimi i trupës së aktorëve të zinj. Një mbrëmje para premierës së filmit, Lidhja e të Rinjve mbështeti financiarisht një ballo me kostume të mëdha, duke paraqitur në këtë mënyrë yjet e filmit, politikanë të ndryshëm jugorë dhe elitën shoqërore, por Miçëlli - që ende nuk e kishte harruar se si Lidhja e të Rinjve e kishte hedhur atë poshtë afërsisht njëzet vjet më parë - nuk e pranoi ftesën.
Bashkë me erën mori nëntë çmime të Akademisë së Filmit më 1940-n, ndër të cilët Çmimi për Filmin më të Mirë, për Aktoren më të Mirë i vajti Vivien Leifit dhe për aktoren ndihmëse më të mirë Heti MakDeniel, që luajti rolin e Nënokes. MakDeniel ishte aktorja e parë e zezë që arriti të fitonte një çmim të Akademisë. Për "premierën" e dytë, në dhjetor të 1940-s, Selzniku shpresonte që të luante përsëri skenën e famshme të lidhjes së gjoksores që u kishte dhënë aktoreve dy çmime të Akademisë së Filmit, mirëpo MakDenieli, që ishte rritur në Denver, nuk pranoi të vinte në Atlantën e përçarë. Në parathënien e një përmbledhjeje esesh për Bashkë me erën, Dardën Pironi vëren se anketimet e ndryshme zbulojnë se "më se 90 për qind e popullit amerikan e ka parë të tërë [Bashkë me erën] ekranizimin prej katër orësh. Të rrallë janë ata amerikanë që nuk e kanë parë filmin njëherë të vetme, e akoma më të rrallë janë ata që nuk e kanë parë asnjëherë." Kur u transmetua në televizion më 1976-n, filmi u pa nga 110 milionë shikues, shikueshmëria më e lartë në historinë televizive.