Si t‘u rezistoni kapriçiove të fëmijës
Ka momente në jetë që është shumë e vështirë të ruash qetësinë me fëmijët. Edhe nëse prindërit janë të qetë, të dashur dhe kanë lexuar shumë libra pedagogjie, nuk ka dyshim që do të kumbisnin durimin përballë kapriçiove të radhës që bën fëmija i tyre kur është në një supermarket. Ndonjëherë është tepër e vështirë t‘i bindësh fëmijët dhe për të mos bërë ndonjë skandal u duhet të mbledhin të gjitha forcat e të ruajnë qetësinë. Por jo gjithmonë ia dalin. Stresi, vështirësitë, jeta frenetike nuk i ndihmon prindërit të bëjnë një jetë të qetë dhe të jenë autoritarë. Ata që mendojnë se të bërtiturat e nënës dhe babait të bëjnë më pak keq se një pëllëmbë, gabohen: kohët e fundit, "New York Times" i ka mëshuar argumentit, duke theksuar se sa të rëndësishme janë studimet mbi efektet e shuplakave, ndërkohë që janë bërë shumë pak kërkime mbi pasojat e të bërtiturave të prindërve.
"Prindërit e sotëm janë shumë të stresuar, duhet të bëjnë gjithçka me shpejtësi, sepse nuk kanë kohë për të humbur dhe nevrikosen për gjënë më të vogël, ndryshe nga ç‘ndodhte në të kaluarën. Tani fëmijët kanë kaluar në plan të dytë. Për prindërit është më e rëndësishme puna", shkruan Hollie Smith, gazetare dhe autore e librit mbi shëndetin dhe edukimin e fëmijëve "Numërojmë deri në 10". "Ndonjëherë duket sikur nënat dhe baballarët do të marrin pjesë në kompeticione të rëndësishme olimpike, që janë në garë për medaljen e artë për shtëpinë më të bukur, për punën më të mirë, për fëmijët e ushqyer me ushqime bio dhe që arrijnë të bëjnë gjithçka", thotë gazetarja.
Nëse mendoni se jeni prindër të këqij vetëm sepse humbisni shpesh qetësinë, ta dini se nuk jeni vetëm: flisni me miqtë ose të njohurit tuaj dhe do të zbuloni se e njëjta gjë u ndodh edhe atyre. Por nuk është kjo arsyeja për të cilën duhet të ndryshoni sjellje. E rëndësishme është të mësoni të kontrolloni inatin dhe të përmbaheni.
Përpiquni të njihni pikën tuaj të dobët dhe cila sjellje, ose situatë ju bën të inatoseni më shumë. Për disa prindër rrëmuja që bëjnë fëmijët në shtëpi është shumë shqetësuese. Të tjerëve nuk u pëlqen padurimi. Disa momente klasike "të rrezikshme" janë përgatitja për në shkollë në mëngjes, orari për të fjetur, vaktet etj. Momentet më acaruese për prindërit janë kur fëmijët zihen me vëllain ose motrën, qajnë me zë të lartë, bëjnë pis shtëpinë. E rëndësishme është të identifikohet problemi dhe të zgjidhet sa më parë të jetë e mundur, duke lënë pas dore gjërat e vogla e të parëndësishme dhe duke u fokusuar më shumë te sjelljet e pahijshme.
Përpiquni të përmbaheni, para se të shpërtheni, bëni pak pushim, kërkojini partnerit të marrë në dorë situatën, ndërsa ju përqendrohuni dhe merrni një vendim. Gjithashtu numëroni deri në 10 (dhe nëse nuk mjafton, atëherë numëroni deri në 20). Pasi të jeni qetësuar dhe keni marrë një vendim, mos harroni të ndëshkoni sjelljen e fëmijës dhe jo të voglin. Provokimet mos i merrni personale, madje përpiquni të jeni shumë të qetë: nëse fëmija ju thotë "Mami të urrej!", përgjigjuni duke i thënë: "Sa keq, sepse unë të dua shumë".
Ktheni faqe. Nëse jeni të inatosur, kërkoni falje dhe sigurojini fëmijët tuaj se çfarëdo lloj gjëje që të bëjnë, ju do të vazhdoni t‘i doni. Dialogu, mbështetja dhe rregullat janë tri shtyllat e një edukimi të mirë. Zakonisht prindërit nuk hasin vështirësi për dy të parat, ndërsa për sa u përket rregullave, u lindin probleme të mëdha.
Në fakt prindërit, edhe pse e dinë që rregullat janë shumë të nevojshme për mirëqenien e fëmijës, shpesh për arsye të ndryshme refuzojnë t‘ua imponojnë fëmijëve dhe kështu durojnë kapriçiot e tyre. Por fëmija ka nevojë të vërë në provë vetveten dhe aftësitë e tij, duke u ballafaquar me realitetin. Është e natyrshme që një fëmijë të reagojë negativisht ndaj kufizimeve. Këto momente janë tepër normale dhe shumë të rëndësishme për zhvillimin e tij.
Në fakt, shumë prindër i përjetojnë keq refuzimet e fëmijëve. Ata mendojnë se janë të paaftë dhe kanë dështuar si prindër, kështu që preferojnë të zgjedhin rrugën e tolerancës, shumë e rrezikshme, sepse pengon gjithçka që është natyrale në zhvillimin e fëmijës, rebelimin, sfidën, shkaqet e dobësisë dhe brishtësinë. Mungesa e vlerave të forta që familjet nuk ua transmetojnë më fëmijëve, prindërit që kanë hequr dorë nga roli i tyre, krijojnë shumë pasiguri te të rinjtë dhe i shtyn të kërkojnë pika të reja referimi. Por çfarë duhet bërë? E vetmja rrugë për të siguruar një të ardhme më të mirë është ajo për të përballuar me vendosmëri detyrën e vështirë të prindërit-edukator dhe të pranoni momentet konfliktuale si aspekte të pashmangshme dhe të nevojshme në rrugën edukative të fëmijës, sepse duhet kujtuar që zhgënjimet ndihmojnë që fëmijët të rriten më të fortë e të shëndetshëm.