E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli-Itali historia favorizon axurret

Anglia donte të evitonte Spanjën dhe ia arriti këtij qëllimi. Megjithatë, “Tre Luanët” nuk mund të jenë aspak të qetë me Italinë, kundërshtarin që do të kenë përballë në çerekfinale.

Në fakt, duke parë historikun e sfidave ndërmjet këtyre dy skuadrave, britanikët duhet të jenë të shqetësuar dhe të përgatiten shumë mirë, nëse dëshirojnë që të realizojnë ambicien e tyre për të vazhduar sa më gjatë aventurën në Euro 2012.

Në 22 përballjet e mëparshme me “axurrët”, ku e para daton në majin e vitit të largët 1933 e deri më sot, Italia ka fituar nëntë ndeshje, anglezët kanë triumfuar në 7 raste, ndërsa gjashtë takime janë mbyllur në barazim.

Kundër Anglisë, përfaqësuesja e Italisë nuk humbet prej 4 qershorit të vitit 1997, në ndeshjen miqësore të luajtur në Nantë, ku anglezët fituan 2-0 me golat e Rajt dhe Skolls. Edhe më të frikshme statistikat përsa i takon ndeshjeve zyrtare: “Tre Luanët” nuk fitojmë përballë “axurrëve” prej plot 35 vjetësh. Hera e fundit ka qenë më 16 nëntorin e vitit 1977, kur në “Uembli” anglezët fituan 2-0 në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës me gola të Bruking dhe Kigan.

Historia flet në favor të italianëve, edhe pse për afro 40 vjet, ose më saktësisht nga 1933-shi e deri në mesin e viteve ’70, Anglia ka qenë “macja e tyre e zezë”, me 4 humbje dhe katër barazime. Tabuja u thye nga Fabio Kapelo. Në vitin 1973 Italia e mposhti Kombëtaren angleze në miqësore me rezultatin 2-0 me rrjeta të Anastasit dhe Kapelos, ndërsa pesë muaj më pas, ata fituan edhe në Londër, sërish falë një goli të Fabio Kapelos.

Nga ai moment, Italia është shndërruar në makthin e Anglisë, me axurrët që fituan 2-1 finalen për vendin e tretë në Botërorin 1990. Ndërkohë, e vetmja përballje në Kampionatin Europian është ajo e vitit 1980: edhe në atë rast fituan italianët e Bearxot me një gol të Marko Tardelit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›